12.7 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Brukseli nuk zgjidh problemin kolonial të Kosovës, por OKB-ja!

Rekomandime

Prandaj, politika dhe diplomacia e Kosovës, nuk duhet të humbasin kohë kot, duke shpresuar kot i kotit, se Brukseli i Hashim Thaçit dhe i Aleksandër Vuçiqit, do ta zgjidhë problemin kolonial 100-vjeçar të Kosovës (1912-1999).-Jo, kjo nuk ka për të ndodhur në “Dialogun e Brukselit (2011-2022), sepse problemi nuk është “minoriteti serb” në veriun e Kosovës, por problemi kolonial i pazgjidhur njëqindvjeçar mes Serbisë dhe Kosovës.

Mirëpo, këtë qasje të problemit kolonial të Kosovës nuk e përfillin as Prishtina e as Tirana zyrtare(!?) Por, një shpërfillje e tillë, mund t’u kushtojë shtrenjtë, nëse problemi kolonial i Kosovës nuk ngritet dhe nuk shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mbase deri më sot në Brukselin e Beligjkës, nuk është zgjidhur asnjë problem kolonial në Afrikë e as në Azi (1945-2022).

- Advertisement -

Prandaj, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të jetë epilogu politiko-diplomatik paqësor i “Dialogut të Brukselit” (2011-2022). –Derisa Kosova nuk trajtohet si çështje koloniale (1912-1999), ekziston rreziku potencial që “asët” ultranacionalistë të lidershipit të Serbisë me presidentin e tyre Aleksandër Vuçiq në krye ( i mbështtur direkt nga Moska zyrtare, madje edhe nga Pekini zyrtar), do të ngulmojnë që ta copëtojnë territorin e Kosovës, ose të paktën që ta kantonizojnë sipas enklavave të pastra njëetnike serbe në Kosovë.

Një kompromis i tillë politik i keq dhe i papranueshëm për palën shqiptare, mund të shpërfaqet vetëm nëse do të vinte në shprehje ndonjë ultimatum ose ndonjë diktat i fuqive të mëdha, që po e mbështetin Serbinë, edhe pse kjo do të ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me Opinionin Këshillëdhënës (që fatkeqësisht nuk është vendim i detyruar për Serbinë, sipas Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së) të GJND-së së 22 korrikut 2010, bërë në Hagë, ku thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës, është bërë në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Karta e Kombeve të Bashkuara e njeh pavarësinë e Kosovës, por jo edhe Moskva dhe Pekini

- Advertisement -

Pra, fatkeqësia është që, as Kartën e Kombeve të Bashkuara e as të drejtën ndërkombëtare nuk e njohin as Rusia e as Kina, kur është fjala për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën deri më tani e kanë njohur mbi 100 vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara (2008-2022).

Vërtet, Rusia, Kina, Spanja, Rumania, Serbia, Greqia, Sllovakia, Qiproja greke nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse këto janë anëtare të OKB-së, edhe anëtare të BE-së, me përjashtim të Serbisë. Por, ky qëndrim dhe vendim politik i tyre, është në shpërputhje diametrale me objektivat dhe me parimet e Kartës së OKB-së. Me një fjalë, rreshtimi politik i këtyre vendeve të theksuara kundër pavarësisë së Kosovës, është dhunim direkt dhe indirekt i objektivave dhe i parimeve të Kartës së OKB-së. Rusia nuk e njeh Kosovën, duke dhunuar Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, mbase mbron Serbinë kolonialiste, si dhe ëndërron që përmes saj (posaçërisht në saje të “Ballkanit të Hapur”) të rikthehet në zonën e dikurshme të sferës influencës lindore sllave në Ballkan, me qëllim të rusifikimit të saj; Kina nuk e njeh Kosovën për shkak të Tajvanit për statusin e të cilit “e fajëson” Amerikën; Spanja nuk e njeh Kosovën për shkak të “separatizmave” në Kataloni dhe në Baski, të cilat me dhunë i sundon si “territore spanjolle”; Greqia nuk e njeh Kosovën për shkak se, duhet t’ua kthejë shqiptarëve Çamërinë, të pushtuar dhe të kolonizuar me gjenocid; Sllovaka nuk e njeh Kosovën, gjoja për hir të “sentimentit më të butë sllav”. Ndërkaq, Qiproja greke nuk e njeh Kosovën për shkak se frikësohet nga “tutori” i saj, Greqia, e cila ka marrë në mbrojtje nga Turqia, si dhe për arsye se, Athina drejtpërdrejt e ka ndihmuar që të integrohet në BE.

- Advertisement -

Cilat nene të Kartës së OKB-së janë shkelur nga Rusia dhe nga Kina ?

Pikësëpari, Nenin 1, paragrafin 2, që është një nga parimet kryesore të Kombeve të Bashkaura, që të “gjitha kombet të zhvillojnë marrëdhënie miqësore, të mbështetura në respektiin e parimit të barazisë së drejtave të popujve dhe të së drejtës së tyre të vetëvendosjes dhe të marrin masa të tjera të duhura për forcimin e paqes në botë.”

Gjithashtu, kanë shkelur Nenin 55, ku shprehimisht thuhet : “Me qëllim që të përcaktohen dhe të respektohen kushtet e qëndrueshmërisë dhe të mirëqenies së nevojshme për të siguruar midis kombeve marrëdhënie paqësore dhe miqësore, të mbështetura në respektimin e parimit të së drejtave të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve…”, si dhe kanë shkelur Nenin 56, ku thuhet se “Të gjithë anëtarët zotohen të ndërmarrin veprime të përbashkëta ose të veçuara në bashkëpunim me këtë Oranizatë, për të arritur objektivat e përcaktuara në Nenin 55.”

Nga këto dispozita të pasqyruara të Kartës së OKB-së del se njohja e së drejtës së vetëvendosjes së popujve (së këndejmi edhe e popullit shqiptar të Kosovës, ish-koloni e Serbisë, 1912-1999) , është DETYRIM JURIDIK i të gjitha vendeve-anëtare të OKB-së, duke përfshirë edhe : Rusinë, Kinën, Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Qipron Greke, që veç zhvillimit të marrëdhënive reciproke të tyre, si dhe qëndrimit të tyre ndaj popujve të tjerë (siç është rasti i Kosovës), e kanë për detyrë të veprojnë në përputhje me Deklaratën mbi Territoret Joautonome (KREU XI) dhe me dispozitat e Sistemit Ndërkombëtar të Kujdestarisë (KRERËT XII dhe XIII). Detyrimi i këtij sistemi të qeverisjes së popujve, duke u bazuar në Nenin 1, paragrafi 2, si dhe në nënenet 55 dhe 56 të Kartës, bën të mundur që njohjen e së drejtës së vetëvendosjes popupuje të shtypur dhe të kolonizuar, ta përkufizojmë si një nga parimet më fundamentale të së drjetës ndërkombëtare.

NGA: PROF. DR. MEHDI HYSENI

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit