1.6 C
Pristina
Sunday, December 15, 2024

Cilat janë ndryshimet e propozuara për vizat amerikane?

Rekomandime

Administrata e presidentit Donald Trump ka propozuar të eliminojë “kohëzgjatjen e statusit” për vizat për studentët ndërkombëtarë, vizitorët e programeve të shkëmbimit dhe ata që punojnë në mediat ndërkombëtare.

- Advertisement -

Zyrtarët shpresojnë të vendosin data fikse të përfundimit, në vend që të lejojnë që vizat të jenë të vlefshme për aq kohë sa u duhen atyre për të marrë diplomën ose për të përfunduar një projekt kërkimor.

Aktualisht, një mbajtës i një vize F-1 mund të qëndrojë në vend derisa studenti të përfundojë një program studimi ose nëse studenti vazhdon të plotësojë kërkesat e programit.

Rregullorja e propozuar, prej 256 faqesh, e publikuar të enjten nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (DHS), do të përcaktonte datat e skadimit 4-vjeçar dhe do të ofronte dy vite për ata që marrin trajnim gjuhësor, me hapësira të kufizuara për të aplikuar për një zgjatje.

- Advertisement -

Si përcaktohet aktualisht “kohëzgjatja e statusit”?

“Kohëzgjatja e statusit” do të thotë që në vend të një afati të caktuar, një studenti ndërkombëtar i lejohet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa i duhet për të marrë diplomën, për sa kohë që regjistrohet me kohë të plotë në kurset mësimore dhe nuk shkel ligjin e emigracionit, për shembull duke punuar në mënyrë të paligjshme.

- Advertisement -

Kush preket nga udhëzimi i propozuar?

Rregulli do të ndikonte në mbajtësit e vizave në kategoritë F, J dhe I të cilët lejohen të jetojnë përkohësisht në SH.B.A. për të fituar një diplomë të arsimit të lartë, individë me aftësi unike, të cilët janë të aprovuar të marrin pjesë në programe shkëmbimi vizitorësh të bazuar në punë dhe studim, si dhe gazetarë të huaj.

Sipas DHS, shtetasit nga vendet e lidhura me norma të larta të shkeljes së afatit të qëndrimit të vizave – më shumë se 10% – pritet të kenë një periudhë të kufizuar qëndrimi fikse dy-vjeçare.

Vendasit ose shtetasit e vendeve në Listën e Sponsorëve të Terrorizmit të Departamentit të Shtetit gjithashtu do të kufizohen në 2 vjet qëndrimi në SH.B.A.

Çfarë thotë DHS?

DHS (Departamenti i Sigurisë Kombëtare) tha se politika aktuale e kohëzgjatjes së statusit dhe “rritja e konsiderueshme” e numrit të studentëve me viza F, vizitorëve të shkëmbimit me viza J, dhe përfaqësues të mediave të huaja me viza I, paraqesin “një sfidë për aftësinë e Departamentit për të monitoruar dhe mbikëqyrur në mënyrë efikase këto kategori të jo-emigrantëve”.

DHS shton se, “Departamenti në përputhje me rrethanat është i shqetësuar për integritetin e programeve dhe një potencial për rritje të rrezikut për sigurinë kombëtare”.

Botimi në internet “Inside Higher Ed” raporton një rënie prej 15 përqind të regjistrimit të përgjithshëm të studentëve në vitin akademik 2020-2021, duke përfshirë një rënie prej 25% të regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë. Gjetjet mund të nënkuptojnë një humbje prej 23 miliardë dollarësh në të ardhura për ekonominë amerikane.

Sarah Spreitzer, drejtoreshë e marrëdhënieve me qeverinë për Këshillin Amerikan të Arsimit, tha se ekziston një “prirje në rënie” në regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë gjatë pesë viteve të fundit pas rritjes së një dekade të regjistrimeve ndërkombëtare të studentëve në vend.

“Shumë nga gjërat për të cilat DHS flet në lidhje me vizat studentore, [të tilla si] studentët, ndryshimi i nivelit arsimor, koha e tyre për t’u diplomuar – shumë nga informacionet po gjurmohen tashmë përmes sistemit SEVIS”, tha zonja Spreitzer.

SEVIS është Sistemi Informativ i Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit.

“Institucionet tona po i regjistrojnë të gjitha ato informacione në DHS tashmë përmes atij sistemi, i cili u krijua pas 11 Shtatorit (2001). Dhe kështu është e paqartë se si kjo do t’i japë DHS-së edhe më shumë informacion sesa ata tashmë kanë”, tha ajo.

Çfarë ndodh me ata që janë tashmë në vend?

Stephen Yale-Loehr, një profesor i praktikës së emigracionit në Universitetin Cornell, tha se rregulli i propozuar thotë se studentët ndërkombëtarë aktualisht në Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të qëndrojnë sipas rregullave të mëparshme, duke mos kaluar 4 vjet nga data efektive e rregullores përfundimtare.

Zoti Yale-Loehr gjithashtu tha se rregullorja mund të ndalojë zgjatjet për studentët ndërkombëtarë nëse agjensia e emigracionit vendos që një mbajtës i vizave nuk po bën përparim drejt diplomës së tyre.

“Rregulli i propozuar do të kërkonte që shumica e studentëve ndërkombëtarë të mbaronin studimet e tyre në katër vjet, në vend që të zgjasë sa ç’kërkon normalisht. Për shembull, shumë studentëve të doktoraturës zakonisht u duhen më shumë se katër vjet për të marrë diplomën e tyre”, tha zoti Yale-Loehr.

Cilat janë arsyet për një zgjatje?

Rregulli i ri thotë se aplikimet për zgjatjen e vizave mund të aprovohen “nëse koha shtesë e nevojshme është për shkak të një arsyeje akademike bindëse, sëmundjes së dokumentuar mjekësore ose gjendjes mjekësore, ose rrethanave që ishin përtej kontrollit të studentit”.

Kur hyn në fuqi rregulli?

Rregulli është në fazën e propozimit dhe ai nuk do të hyjë në fuqi menjëherë. Publiku do të ketë 30 ditë kohë për të komentuar.

Pas kësaj, agjencia e emigracionit do të duhet të rishikojë të gjitha komentet, të hartojë një rregull përfundimtar dhe ta dërgojë atë në Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për shqyrtim përpara se një rregull përfundimtar të mund të hyjë në fuqi.

Duke pasur parasysh të gjitha ato hapa, ekspertët e arsimit thanë se ata nuk presin që një rregullore përfundimtare të hyjë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe ndoshta jo para se presidenti të inaugurohet në janar.

Megjithatë, ekspertët e shohin atë si një dekurajim për studentët ndërkombëtarë dhe të tjerët.

“Kjo do të ketë një ndikim të përgjithshëm tronditës dhe të vazhdueshëm për studentët e rinj që po mendojnë të vijnë në SHBA për të studiuar, të cilët mund të kenë zgjedhjen për të studiuar në një nga vendet tona konkurente si Kanadaja, ose Mbretëria e Bashkuar, ose Australia ose Zelanda e Re”, shtoi zonja Spreitzer. /VOA/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit