2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Cilave shtete iu ofroi Serbia sheqer për ta çnjohur Kosovën?

Rekomandime

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në konferencën për media të së premtes u pyet rreth deklarimeve të homologut të saj serb, Nikola Selakoviç, i cili, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë në Serbi, deklaroi se tashmë kanë katër shtete që i kanë bindur ta çnjohin Kosovën, si kundërveprim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Gërvalla deklaroi se s’ka haber për çfarë shtetesh po flet Selakoviç, por është e vetëdijshme se Serbia ka bërë lobim të egër prej kohësh në disa shtete në Afrikë.

- Advertisement -

“U kanë ofruar armë ruse, vaksina ruse”, tha Gërvalla dhe pauzoi pak, duke vënë buzën në gaz për të shtuar e çuditur se “u kanë ofruar edhe sheqer”.

Por, s’është për t’u çuditur.

Shtetet afrikane kanë shumë nevojë për sheqer dhe Serbia është një nga vendet që përkitazi me nevojat e brendshme sheqerin e prodhon me bollëk.

- Advertisement -

Ky produkt – sheqeri – vazhdon të jetë një nga komoditetet jetike më të rëndësishme në industrinë botërore të ushqimit, por në Afrikë shumë vende nuk e prodhojnë fare dhe disa nga ato që e prodhojnë, nuk mbulojnë nevojat për përqindjen më të madhe të popullsisë.

Shto edhe përdorimin e gjerë të sheqerit si nën-produkt, nevoja për të rritet shumë. Gjithashtu, janë qindra-mijëra vende pune që mundësohen në industrinë e gastronomisë dhe hotelerisë ku përsëri sheqeri, indirekt, është i rëndësishëm.

- Advertisement -

Dhe për vendet afrikane që e prodhojnë me pakicë, ose nuk prodhojnë fare, një ofertues potencial i sheqerit shndërrohet shpejt në një mik.

Disa nga këto vende në Afrikë, janë edhe shtete që e kanë njohur Kosovën.

Për shembull, Bregu i Fildishtë që ka mbi 26 milionë banorë, apo Republika e Ganës me mbi 31 milionë banorë, janë të dyja shtete që e kanë njohur Kosovën dhe asnjëra prej tyre nuk është prodhuese e sheqerit.

Në anën tjetër, Serbia është prodhuesja më e madhe e Sheqerit në Ballkan dhe gjithashtu nga më të mëdhatë në Evropë. Serbia ka rreth shtatë milionë banorë dhe tregu i brendshëm brenda një viti atje konsumon rreth 200 mijë tonë sheqer, por prodhimin e ka shumëfishë më të lartë.

Sipas organizatës joqeveritare “World Population Review” Serbia prodhon rreth 700 mijë tonë sheqer në vit.

Industria e sheqerit në Serbi është rritur shumë në dy dekadat e fundit, sidomos në dekadën e parë të mileniumit të ri. Siç tregojnë shifrat nga Organizata për Ushqim dhe Agrokulturë e Kombeve të Bashkuara, qysh nga viti 2010 Serbia prodhonte 500 mijë tonë sheqer në vit.

Për të pasur një pasqyrë për prodhimin e sheqerit në Serbi, ajo kalon edhe vende të mëdha evropiane si Gjermania, Italia, Spanja e Austria.

Panxharsheqeri rritet dhe përpunohet kryesisht në krahinën e Vojvodinës. OKB në një artikull tregonte se arsyeja kryesore e rritjes së kësaj industrie ishte privatizimi i sektorit të sheqerit dhe mundësimi i qasjes në tregun e Bashkimit Evropian.

Ky prodhim i madh i sheqerit në Serbi ka takuar nevojat e mëdha të shteteve të varfra afrikane. Veç Bregut të Fildishtë dhe Ganës që nuk prodhojnë fare sheqer, janë edhe disa shtete të tjera në këtë kontinent që e kanë njohur Kosovën dhe kanë mungesa të mëdha të këtij produkti.

Vende si Nigeri, që Kosovën e ka njohur me 15 gusht të vitit 2011, ka nevoja enorme për sheqer. Ky shtet numëron mbi 26 milionë banorë, kurse prodhon vetëm 20 mijë tonë sheqer në vit dhe meqë kërkohen rreth 200 mijë tonë mesatarisht për të mbuluar nevojat e më pak se 10 milionë banorëve, oferta për këtë produkt bëhet tunduese.

Njëjtë si Nigeri është edhe Burundi. Ka afër 13 milionë banorë dhe prodhon vetëm 25 tonë. Burundi Kosovën e kishte njohur në vitin 2012. Janë edhe shtete si Sierra Leone që ka mbi 8 milionë banorë, por prodhon vetëm 6 mijë tonë sheqer. Sierra Leone është ndër vendet që e ka njohur Kosovën në të njëjtin vit kur ishte shpallur pavarësia, me 11 qershor 2008.

Ka shumë shtete afrikane si, Liberia, Guinea, Papa Guinea e Re (Afrikë/Oqeani) dhe shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën dhe që janë në këtë gjendje – nuk prodhojnë vetë, kanë nevojë për të dhe gjithashtu s’kanë ekonomi të fortë për ta bërë eksportin që iu duhet.

Kjo është situata të cilën e ka shfrytëzuar Serbia duke e bërë pjesë të lobimit ofertën për dhurimin e sheqerit në këto shtete si këmbim çnjohjen e Kosovës.

Sikur ministrja Gërvalla, ose të paktën dikush nga kabineti i saj, të kishte pak më shumë njohuri rreth shteteve që ia kanë njohur vendin që përfaqëson dhe ekonomive të tyre, ndoshta edhe nuk do ishte befasuar, kur kuptoi se Serbia po i ngashënjente me sheqer.

As nuk do t’i vinte për të qeshur, apo siç do thoshte kryeministri Albin Kurti “mos u zgërdhini po bëhuni njeri serioz se gjendja është serioze”.

Por, jo vetëm ministrja. Se çfarë ndodh në politikën e jashtme dhe kush mund të jenë shtetet që ia kanë tërhequr njohjet Kosovës, ashtu siç po proklamon Selakoviç, nuk e kanë idenë as në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Haki Abazi, kryetar i këtij komisioni, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, ka thënë se “nuk e kam asnjë informacion”.

Përveç se “këto mund të jenë deklarata boshe të serbëve sa për të kërcënuar pas procesit të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”

Gjithashtu, Xhavit Haliti, anëtar i të njëjtit komisioni, tha për Albanian Post që ”tani po dëgjoj, nuk na ka lajmëruar askush zyrtarisht”.

Derisa ministrja nuk e di cilat mund të jenë këto vende dhe komisioni parlamentar që supozohet se e monitoron punën e kësaj ministre “nuk është lajmëruar”, Serbia mund të vazhdojë t’iu bëjë oferta të ëmbla shteteve afrikane.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit