-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Çka kontrabandohet më së shumti nga Serbia

Rekomandime

Pije, produkte ushqimore, aksesorë të ndryshëm dhe herë pas here duhan, janë disa prej mallrave që së fundmi po hyjnë ilegalisht nga Serbia në Kosovë, pohojnë nga Doganat e Kosovës.

- Advertisement -

Kontrabandistët po shfrytëzojnë shtigje të ndryshme malore që t’i fusin ilegalisht në Kosovë këto mallra.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se kontrabandistët shfrytëzojnë automjete kryesisht të vogla, në mënyrë që të lëvizin më lehtë në rrugë malore.

“Ka rrugë dytësore të cilat kontrabandistët e ndryshëm tentojnë t’i përdorin, por ato rrugë nuk janë rrugë ku mund të kalojnë maune të mëdha, por kalojnë, mund të themi, automjete të cilat janë shumë më të vogla dhe përmes të cilave tentojnë të kontrabandojnë në mënyrë që të shmangin pagesat dhe obligimet doganore”, thotë Stavileci.

- Advertisement -

Pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, sipas Doganës së Kosovës, konsiderohet si zona më e prekur nga kontrabanda.

Policia dhe Dogana e Kosovës gjatë një aksioni kundër kontrabandës së mallrave, të zhvilluar më 13 tetor në disa rajone të Kosovës – përfshirë edhe komunat në veri – sekuestruan mallra dhe dëshmi të tjera në vlerë qindra mijëra eurosh.

- Advertisement -

Vendosja e bllokadave në vendkalimet malore

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Stavileci, ndërkaq tregon se Dogana, në bashkëpunim me misionin e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë, KFOR, kanë vendosur bllokada në vendkalimet malore, që tashmë janë identifikuar si vende që përdoren për kontrabandimin e mallrave.

“Dogana, Policia Kufitare dhe me asistencën e KFOR-it, kemi tentuar t’i mbyllini këto rrugë që mos të jenë të qarkullueshme”, thotë Stavileci. “Jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe pjesë të e tjera kufitare të Kosovës, ka tentativa apo përpjekje për të kontrabanduar”.

Dogana e Kosovës herë pas here ka sekuestruar mallra kontrabandë në zonat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht pije alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë të ndryshme.

Kontrabanda në veri s’ka të ndalur

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë thënë se po punojnë në parandalimin e kontrabandës. Por, sipas tij, ajo vazhdon të jetë prezentë.

“Kontrabandimi është bërë në forma të ndryshme duke nisur nga ato mjetet më primitive, përveç kafshëve e deri të pjesa tjetër (mjeteve) që kanë qenë me derivate apo të formave të veturave më të vogla. Do të thotë, të gjitha këto janë përdorur për të futur mallra të caktuara, sidomos mallra me akcizë”, thotë Rukiqi.

Produktet që kanë akcizë në Kosovë janë: pijet alkoolike, duhani, pijet energjike, nafta dhe produkte të tjera.

Rukiqi thotë se çdo aktivitet ekonomik joformal dhe mospengimi i kontrabandimit të mallrave, po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës.

“Vazhdimisht është luftuar (kontrabanda e mallrave), thuhet se ka pasur rënie të dukshme te pjesa e cigareve (duhanit) apo te pjesa e derivateve, po në disa kategori tjera, sigurisht që ka vazhduar”, thotë ai.

Pavarësisht shqetësimeve për kontrabandim të mallrave të ndryshme, shifrat e prezantuara nga Dogana e Kosovës, flasin për një rritje të të hyrave gjatë këtij viti. Në periudhën janar-shtator, Dogana ka arritur të inkasojë mbi një miliard euro apo 33 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndryshe, nga mbi 200 mijë biznese sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), vetëm rreth 35 mijë prej tyre janë të fiskalizuara. Bazuar në këto të dhëna, shumë biznese vazhdojnë t’iu ikin obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Administrata Tatimore e Kosovës në deklarimet e mëhershme për REL-in ka potencuar se evazion fiskal ka në të gjitha anët e Kosovës, porse mendohet se ky aktivitet është i shtrirë më së shumti në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Serbët lokalë kundërshtuan aksionin kundër kontrabandës

Aksioni i 13 tetorit i Policisë dhe Doganës së Kosovës, që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, u prit me protesta dhe bllokada nga qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Gjatë përleshjeve mes Policisë dhe protestuesve, autoritetet njoftuan se u lënduan dhjetë policë, ndërkaq, autoritetet shëndetësore në Mitrovicë të Veriut thanë se edhe dhjetë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.

Gjatë operacionit policor u arrestuan tetë persona, nën dyshimet për kontrabandim të mallrave. Policia e Kosovës njoftoi se ka identifikuar edhe dhjetë persona të tjerë, që dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë, dhe i shpalli ata në kërkim. \Radio Evropa e Lirë

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit