2.2 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Disa deputetë minoritarë të pavendosur nëse do ta votojnë Qeverinë e re

Rekomandime

Disa nga deputetët e pakicave jo serbe ende nuk janë përfundimisht të vendosur nëse do ta votojnë qeverinë Kurti. Deputetët e Grupit 6+ kanë qenë të pakoordinuar kur janë pyetur nga Gazeta Express nëse do të votojnë pro qeverisë Kurti të hënën. Rasim Demiri nga koalicioni Vakat pjesë e 6 + ka thënë për Gazetën Express se do ta votojnë qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, por skeptik ka qenë deputeti Fikrim Damka që poashtu bënë pjesë në grupin 6+. Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka thënë se do ta votojnë qeverinë Kurti nëse kanë një ofertë proporcionale me atë të ministrit.

- Advertisement -

E hëna e tre shkurtit pritet të jetë sfida më e madhe në veprimtarinë politike shumëvjeçare të Albin Kurtit.

Të hënën në seancën e Kuvendit i mandatuar për Kryeministër nga partia fituese, Albin Kurti pritet që ta propozojë kabinetin e tij qeveritar para deputetëve për votim.

Disa deputetë të pakicave jo serbe thonë se kanë paraqitur kërkesat e tyre për Albin Kurtin dhe deri të hënën do të vendosin nëse do ta votojnë përfundimisht qeverinë që do të udhëhiqet nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

- Advertisement -

Deputeti nga Grupi 6 +, Fikrim Damka për Gazetën Express ka deklaruar se presin që Albin Kurti t’i pranojë kërkesat e tyre në të kundërtën nuk do ta votojnë qeverinë e tij.

“Nëse nuk i plotëson kushtet tona nuk besoj që do të votojmë, por mendoj se Kurti do t’i përkrahë kushtet tona. Kërkesat tona fillojnë prej zëvendësministrave dhe përkrahjen e komuniteteve tona”, ka thënë ai.

- Advertisement -

Tutje deputeti Damka ka thënë se Grupi 6+ ende nuk ka emër të ministrit që u takon komunitetit jo serb por që ai do t’i takojë boshnjakëve.

“Grupi 6+ ende nuk ka një emër të përveçëm të ministrit pasi që emrin do ta diskutojmë me Albin Kurtin, por me gjasë do të jetë nga radhët e boshnjakëve”, është shprehur deputeti.

Kurse deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha i ka thënë Gazetës Express se do ta votojnë qeverinë e Albin Kurtit nëse kanë ofertë proporcionale me atë të Ministrit.

“Jemi duke pritur me u taku para të hënës dhe me vendosë nëse do ta votojmë apo jo qeverinë Kurti, ne i kemi qitë ofertat tona ata të vetat. Në fakt e kemi pasur një ofertë nga ta që nuk ka qenë në përputhje me ofertën tonë. Prej fillimit kemi qenë që si komunitet me drejtu ministri, megjithatë zoti Kurti është përcaktuar që t’ua jap Grupit 6+.Do ta shohim a ka ofertë proporcionale nga Kurti me ofertën e Ministrit, a na ofron diçka tjetër nëse jo Ministër atëherë çka në proporcion me atë”, ka thënë Berisha.

Ai tutje deklaroi se në parim janë për të votuar një qeveri të shumicës dhe jo të pakicës.

“Jemi për me votu një qeveri të shumicës dhe jo të pakicës por paraprakisht presim me u ulë e me u marrë vesh çka na takon neve, nuk shkojmë pa kushte pa përfaqësim në qeveri sepse ne jemi tre deputetë, unë, Etem Arifi dhe Duda Balje që për qeverinë në ardhje jemi të rëndësishëm. Ne nuk jemi në pozicion me kushtëzu por megjithatë nuk hyjmë nëse nuk kemi pozita të dinjitetshme në qeveri”, tha ai.

Deputeti Berisha megjithatë ka thënë se do ta votonin një qeveri të pakicës vetëm për shkak të buxhetit.

“Nuk e kemi shqyrtu dhe nuk kemi vendim për votim të një qeverie të pakicës, nëse VV nuk arrin marrëveshje me LDK-në, ndoshta për shkak të buxhetit me këtë kusht do ta kishim votuar një qeveri të tillë, unë nuk mendoj që qeveria e pakicës është zgjidhja më e mirë e mundshme”, tha Berisha.

Deputeti nga koalicioni Vakat që është pjesë e Grupit 6+, Rasim Demiri ka thënë për Express të shtunën se do ta votojnë qeverinë Kurti.

“Dje kemi pasur mbledhjen e Kryesisë dhe do ta votojmë qeverinë Kurti. Ne si koalicion VAKAT dhe si deputet unë do të votoj pro për qeverinë Kurti”, është shprehur ish Ministri i Zhvillimit Rajonal

Deputeti nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli poashtu pjesë e Grupit 6+ ka deklaruar për Express se në parim ia kanë dhënë mbështetjen mandatarit për kryeministër.

“Në parim ia kemi dhënë mbështetjen zoti Kurtit, tash jemi duke pritur marrëveshjen me ndodhë mes VV-së dhe LDK-së, dhe vota jonë si grup parlamentar do të jetë pro qeverisë”, është shprehur Kinolli.,

Ai ka thënë se kërkesat e tyre është duke i shqyrtuar Albin Kurti.

“Nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona për të përmirësuar jetën e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Kosovë. Kurti është duke i shqyrtuar kërkesat tona dhe besoj që shumica e kërkesave tona do të plotësohen dhe dy palët do të mbesin të kënaqur edhe komuniteti edhe partneri i koalicionit”, ka thënë deputeti Kinolli.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit