3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dje Kurti e Mustafa paralajmëruan Thaçin e Haradinajn kundër emërimit të shefit të AKI-së

Rekomandime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditët e tij të fundit si shef qeverie, së bashku me presidentin Hashim Thaçi, mori vendim për emërimin e kryespiunit të AKI-së, e të inspektorit të përgjithshëm. Për emërimet në këto pozita, patën paralajmëruar ditë më parë kreu i VV-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, lideri i LDK-së, shkruan Gazeta Express.

- Advertisement -

Një ditë para përfundimit të afatit ligjor prej 20 ditësh, prej kur pozita e shefit të AKI-së mbeti e lirë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me presidentin Hashim Thaçi, kanë emëruar në atë pozitë, Kreshnik Gashin, derisa si Inspektor të Përgjithshëm, Burim Ramadanin.

Pak ditë pasi që kjo pozitë kishte mbetur e lirë, pas dorëheqjes së befasishme të Shpend Maxhunit, kreu i VV-së, Albin Kurti, i bëri me dije kryeministrit në detyrë se shefi i ri i AKI-së do të emërohet nga qeveria e re.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se vendimi për të parin e institucionit më të lartë të sigurisë në vend i takon kryekëput qeverisë së re.

- Advertisement -

“Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka shkruar Kurti.

Edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka deklaruar para një jave se shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm.

- Advertisement -

“Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, kishte deklaruar Mustafa.

Ndryshe, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të AKI-së më 6 nëntor, institucion ky që e udhëhoqi për vite me radhë, deri në skandalin me gylenistët, kur edhe u shpërblye me pozitë në Agjencinë për Inteligjencë.

Dorëheqja e Maxhunit u konfirmua nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

“Kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, z. Shpend Maxhuni, nga funksioni i tij në krye të Inteligjencës kosovare”, kishte shkruar Haradinaj.

Express ka raportuar se ish-kreu i AKI-së po kërkon punë në Policinë e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z. Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Policia.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit