1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Do të jetë kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi/ Krivokapiç flet për Kosovën, Serbinë dhe shqiptarët në Mal të Zi

Rekomandime

Aleanca “Për të ardhmen e Malit të Zi” fitoi në mes të muajit gusht zgjedhjet në ish-Republikën e Jugosllavisë. Kandidati kryesor opozitar, Zdravko Krivokapiç flet në një intervistë për DW mbi programin e tij qeveritar.

- Advertisement -

DW: Zoti Krivokapiç, ju mund të bëheni kryeministri i ardhshëm i Malit të Zi. Në vendin tuaj disa gëzojnë, disa janë të shqetësuar. A ka arsye për shqetësimet që ekzistojnë?

Zdravko Krivokapiç: Unë mendoj se kjo gjë vjen nga rrethet që mendojnë, se i vetmi njeri që garanton stabilitetin në Mal të Zi dhe njihet nga komuniteti ndërkombëtar është zoti Gjukanoviç.

Milo Gjukanoviç është president i Malit të Zi. Gjatë luftrave ballkanike të viteve nëntëdhjetë ai u distancua nga presidenti serb Slobodan Miloseviç dhe e çoi Malin e Zi drejt pavarësimit nga Serbia. Ai përkrah sanksionet e BE kundër Rusisë, ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe e ka futur Malin e Zi në NATO. Si do i bindni ju Brukselin dhe Uashingtonin se qeveria juaj nuk do që të ndryshojë këtë kurs në politikën e jashtme? Shumë nga përkrahësit tuaj nuk e pranojnë këtë politikë, sidomos partitë pro-serbe dhe pro-ruse që ndodhen në Aleancën tuaj.

- Advertisement -

Ne kemi publikuar marrëveshjen që garanton kursin tonë pro-perëndimor. Nëse ndodheni para alternatives që të kaloni nga dera, të hidheni nga dritarja apo të përplaseni me një mur, ju do të zgjidhnit atë të parën. Kjo do të thotë se nëse është nënshkruar një marrëveshje me NATO-n, atëherë ne jemi të gatshëm të pranojmë atë që është vendosur dhe që është në interes të Aleancës Atlantike.

A vlen kjo edhe për pavarësinë e Kosovës, të njohur nga Gjukanoviçi?

- Advertisement -

Për sa kohë që qeveria ndodhet në ditët e saj të para, ne do të merremi vetëm me problemet e brendshme të Malit të Zi.

Shumë media të Ballkanit Perëndimor mendojnë se fituesi i vetëm i zgjedhjeve në Mal të Zi është metropoliti serbo-ortodoks Amfilohije Radoviç. Në fillim të viteve 90-të ai i ka pas dhënë zemër rezervistëve malazezas që të sulmojnë qytetin e Dubrovnikut. Vitet e fundit ai ka pas zhvilluar fushatë kundër njohjes së Kosovës. Si i keni ju marrëdhëniet me Amfilohijen?

Mirë do të ishte që ju të intervistonit metropolitanin. Kështu do të shihnit vetë sa shumë di ai për filozofinë, poezinë dhe letërsinë. Unë mendoj se Amfilohije është një nga malazezët më të lexuar. Sa i përket viteve 1990-të, për të qenë korrekt duhet thënë se zoti Gjukanoviç ka pasur të njëjtat qëndrime. Megjithatë, ai shihet sot si garantues i stabilitetit.

Përkrahësit e Gjukanoviçit pretendojnë se Kisha serbo-ortodokse nuk e njeh identitetin malazez dhe shtetin malazez. Si mendoni ju për këtë çështje?

E vërteta është se serbët që jetojnë në Mal të Zi as nuk kanë rënë nga qielli as nuk kanë ardhur nga ndonjë vend tjetër. Familja ime ka 500 vjet që jeton këtu. Mua nuk më pëlqen kur dikush me thotë se atdheu i serbëve është Serbia. Parimi i mëparshëm ka qenë: Në Serbi jetojnë qytetarët e Serbisë, në Mal të Zi qytetarët e Malit të Zi e kështu me radhë. Dhe mbase ata kanë origjinë të përbashkët. Nëse identiteti kombëtar ështa etaloni i një shteti, atëherë shtrohet pyetja nëse ky shtet mund të jetë shtet i qytetarëve të vet.

Pakica myslimano- boshnjake e Malit të Zi nuk pranon të bashkëpunojë me ju dhe i ka kërkuar partnerit tuaj në politikë, Dritan Abazoviçit, drejtuesit me origjinë shqiptare të koalicionit liberal “E zeza mbi të bardhë”, që të mos jetë pjesë e një qeverie me ju. Si mendoni të fitoni besimin e kritikëve ndaj jush?

Unë u pata thënë kur dola për here të parë pas fitores në zgjedhje, se ne ia kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithëve dhe se ne nuk duam ta ndërtojmë Malin e Zi pa ta. Unë mendoj se është detyrë e boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe e të gjitha pakicave të tjera të Malit të Zi, që të ndërtojnë Malin e Zi. Sepse vendi ynë duhet të mbetet ai që është një vend multi-kulturor, multi-etnik, multi-fetar.

Fitorja juaj u festua në Serbi dhe në Republikën Srpska të Bosnjë dhe Hercegovinës. Si e vlerësoni ju këtë gjë?

Çdo gjë që ndodh në Ballkanin Perëndimor ka dy anë: Njëra anë është euforia për fitoren tonë në Serbi dhe në Republikën Srpska. Tjetra që më shqetëson mua është që fitorja jonë shihet si rrezik i madh në Federatën myslimano- kroate të Bosnjë- Hercegovinës, gjë që mund të shkaktojë shpërthimin e atyre ndjenjave kombëtare, dëshmitarë të të cilave u bëra unë dhe brezi im në vitet nëntëdhjetë. Unë kam vetëm një mesazh: që në Mal të Zi kemi të bëjmë me demokraci dhe liri. Nëse dikush ka frikë prej tyre, atëherë kjo ka të bëjë me ndonjë problem tjetër.

A kanë diplomatë apo politikanë gjermanë kontakt me ju?

Unë kam pasur një bisedë jozyrtare në ambasadën gjermane. Biseda qe e hapur dhe korrekte. Kjo ka ndodhur para dhjetë ditësh dhe më dha mua shpresën që gjërat zhvillohen ndryshe nga sa u duk në momentin e parë. Ne u shqetësuam fillimisht se nuk do të kishim përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar për ndërtimin e Malit të Zi, gjë që është pashmangshme dhe e domosdoshme.

Së fundmi ju keni thënë se Mali i Zi është një vend i mrekullive, ku çdo gjë është e mundur. A keni frikë se në rast se qeveria juaj bën një hap në drejtimin e gabuar, Perëndimi mund të kalojë sërish në anën e Gjukanoviçit?

Unë nuk dua të merrem me spekullime dhe hipoteza. Unë e di se qeveria që do të krijojmë do të kryejë me zell dhe e angazhuar të gjitha detyrimet, sidomos ato që kanë të bëjnë me ujditë e me marrëveshjet ndërkombëtare. Rreziku që ekziston është se një gjest i pamenduar mirë i një politikani bën që perëndimi të shohë me kujdes të madh. Ajo që unë nuk kuptoj është pse është Zoti Gjukanoviç kaq i rëndësishëm për perëndimin. Nëse ju i jeni borxhli grupeve të caktuara, atëherë keni edhe detyrime ndaj tyre. Unë nuk i jam borxhli kurrkujt, nuk kam asnjë mentor në Beograd apo në Rusi, dhe mentori im nuk është as Metropoliti Amfilohije.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit