0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Dokumenti i rrallë/ Shqip më 1881-shin: Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i pjekun e i dalun

Rekomandime

-Zbulimi i Mark Palnikaj, shkrimi në alfabetin e shqipes 27 vjet përpara Kongresit të Manastirit, 1908. Relacioni që i dërgohej Vatikanit flet për një ngjarje të rëndë, që lidhet me përpjekjet e të krishterëve të mos integroheshin në myslimanë

Duket si një urdhër i prerë, si një reagim ndaj një gjëme të madhe, shoqëruar me një mallkim të fortë në gjuhën shqipe:

- Advertisement -

“Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i pjekun e i dalun”.!!!

Një dokument i vitit 1881, i zbuluar në Arkivin e Françeskanëve nga studiuesi dhe kërkuesi i palodhur, Mark Palnikaj, flet më shumë sesa historia që kemi shkruar deri më sot për shkrimin e shqipes në alfabetin e saj. Dokumenti daton 27 vjet përpara sesa të shpallej ky alfabet nga Kongresi i Manastirit, që u mbajt më 1908-n.

Mark Palnikaj, ka gjetur dhjetëra dokumente për historinë dhe kulturën shqiptare të shkruara në latinisht në periudhën e pushtimit osman të Shqipërisë. Ka gjetur dhe dokumente të shkruara në gjuhën e latine, apo në gjuhën shqipe me alfabet latin, por dokumentet e gjetura në alfabetin e gjuhës shqipe përpara se të themelohej ky alfabet janë të rralla.

- Advertisement -

Dihet se para Kongresit të Manastirit shqipja është shkruar me disa variante nga rilindësit tanë, derisa u unifikua alfabeti, por shkrimi në dokumentin e zbuluar nga Mark Palnikaj është pikë për pikë si Alfabeti i Shqipes i shpallur më 1908-n, në Kongresin e Manastirit.

Studiuesi Mark Palnikaj, në një intervistë për “Shqiptarja.com” na rrëfen rreth dokumentit të zbuluar, i cili është një relacion që i dërgohet Vatikanit rreth një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në Nikaj në vitin 1881. Palnikaj na njeh me dokumentin në origjinal, të cilin po e paraqesim të shkruar edhe të përkthyer:

- Advertisement -

Dokumenti origjinal, në italisht dhe shqip

“Memorie Varie
Alla mia venuta trovai otto fanciulle vendute al turco, ne salvamo quatro e quatro andarono perdute. Allora in una adunanza di tutte Nikaj a Rescpe pregai la tribu a fare la leggie all’intiera.
L’Alfiere Bash Bairami all’intiera addunanza dicendo: Kush ep çiken n’turq, asht i djegun e i piekun e i dalun. Sicurta sono quelle della chiesa. Ma questi semibarbari popoli avendo piu a cuore il denaro che la propia religione e meglio l’anima propia, tre case fissare non volare stare alla legge, e tutte tre le feci bruçiare dalla tribu..”

Dokumenti i përkthyer i përkthyer në shqip

“Ngjarje me rëndësi”
Kur unë erdha këtu, gjeta tetë vajza të shitura tek turqit, ne shpëtuam katër, kurse katër i humbëm. Atëherë në një mbledhje të të gjithë fisit Nikaj në Rreshpe ju luta fisit që të bënin një urdhëresë të brendshme. Bajraktari Bash Bajrami, me urdhër të brendshëm, është deklaruar: Kush jep vajzën tek myslimanët, është i djegur dhe i pjekun dhe i nxjerrë jashtë fisit. Garanci për këtë është kisha. Por këta popuj gjysmë barbar kanë më për zemër paratë se sa fenë e tyre dhe më mirë se sa shpirtin e vet, tre shtëpi fiksuen mos me e zbatue vendimin, dhe të trija këto shtëpi u dogjën nga fisi.”

Intervista
Zoti Palnikaj, interesant ky dokument, cilit vit i përket?
-I përket vitit 1881. E kam zbuluar në arkivat e Vatikanit, dhe aty s’e merr mend se sa dokumente të tjera kam zbuluar… Në Shkodër dhe rrethinat e saj në shekullin XIX u hapën disa shkolla dhe seminare. Por, shkrimi i parë në gjuhën shqipe në Zonën Nikaj – Mërtur, i njohur deri më sot, është vendimi që është marrë në lagjen Rreshpe të fshatit Peraj të fisit Nikaj. Në vitin 1881 nga komuniteti i fisit të Nikajve dhe i bajraktarit Bash Bajrami, është marrë vendimi i shkruar në një ditar të titulluar “Memorie Varie”. Vendimi është shkruar shqip dhe është i përfshirë në një dokument të shkruar në gjuhën italiane nga Fr. Antonio Peloni.

Cili është mendimi juaj, a ka ekzistuar një alfabet i shqipes që në vitin 1881?
-Siç shihet në këtë dokument (Memorie) gjuha shqipe gjendet e shkruar. E siç mund të shikohet, e shkruar me transliterim, por edhe në dorëshkrimin origjinal, vendimi është shkruar me një shkrim të bukur, e në një shqipe të lakmueshme nga ana grafike dhe gjuhësore. Ligjërimi është shumë i qartë, i shkruar me një alfabet të shqipes, ashtu siç e kemi sot, ku duket dallueshëm shkronja ç, gjë që italishtja nuk e ka të shkruar si shqipja. Mesa duket, dokumenti që në pjesën më të madhe është shkruar në italisht – për arsye të përcjelljes së njoftimit rreth një vendimi të rëndë që është marrë në lidhje me ruajtjen e fesë së krishterë; duke mos pranuar martesat me turqit ose shqiptarët e myslimanizuar, që tashmë kishin nisur t’i emërtonin “turq”, -e ka të cituar besnikërisht këtë vendim në gjuhën shqipe. Bie në sy se, gjatë shkrimit në gjuhën shqipe, nuk janë anashkaluar edhe rregullat e pikësimit, si apostrofa, presja e të tjera. Gjithashtu, kujdesi për renditjen sintaksore të fjalëve është shume i saktë, nëse i referohemi periudhës që i përket.

Çfarë menduat, kur zbuluat këtë frazë të shqipes në mes të një dokumenti të shkruar në italisht?
-Gjëja e parë që mendova ishte se shkruesi, nuk e ka ushtruar për herë të parë shkrimin shqip, në këtë memorie, por ai ka shkruar edhe më parë letra në gjuhën shqipe. Është një dukuri që e kamë vënë re edhe në dokumente më të hershme se ky. Në një dokument të datës 17 korrik 1760, ka një kronikë për një ngjarje të rëndë të ndodhur midis Nikajve dhe Mërturit. Atë ditë janë vrarë katër persona, janë plagosur pesë dhe janë djegur nëntë shtëpitë e bajraktarit, e quajtur Kullë dhe tetë të tjera të quajtura Pojata. Fjalët “Kulla” dhe “Pojata” janë shkruar në gjuhën shqipe. Dhe këto nuk më kanë habitur aspak, sepse në Vatikan kam gjetur një rregullore me 29 pika të shkruara të vitit 1777, ku në 4 faqe flitej për shkollën shqipe të këtij qyteti. Të plotë këtë dokument ne mendojmë ta publikojmë në origjinal dhe të përkthyer së shpejti për lexuesit tanë. Kjo shkollë nuk është krejt e pa njohur për studiuesit e historikut të arsimit shqiptar. Ka shumë dokumente dhe shumë punë për të bërë për njohur historinë e shkrimit të shqipes në në një alfabet origjinal, edhe pse me këtë temë janë marrë shumë studiues shqiptarë, por edhe të huaj të cilët kanë sjellë të dhëna për shkrimet e para në gjuhën shqipe dhe për shkollat e para në trevat arbërore, para se të formohej shteti shqiptar.

Në cilat vende mendon se mund të përdorej shkrimi i alfabetit shqip më 1800-n?
-Ne duhet t’i zbulojmë dokumentet e shkruara në gjuhën shqipe në arkivat e huaja, se që ato ekzistojnë nuk është çudi. Shkolla shqipe ka pasur edhe 400 vjet më parë, por meqë flasim për këto vite mjafton të kujtojmë se shkolla shqipe janë hapur: në vitin 1885 në Prizren, një shkollë fillore shqipe për vajza; në vitin 1858 në Kushë Micja, ishte çelur shkolla për vajzat shkodrane; më 1861-shin françeskanët kanë çelur më të parën shkollë fillestare publike në Shkodër; më 1874 është çelur shkolla e parë Laike e Kohës së Rilindjes, ku mësohej Gjuha Shqipe e Arithmetika e Shirokës nga Dom Zef Ashta; më 1879-n, Motrat Stigmatine çelin të parën shkollë fillore për varza, e duke vijuar më 1882 me kolegjin françeskan, etj.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit