Don Marjan Ukaj: Urimet nga myslimanët kanë nisur që nga 1 dhjetori, na ndan feja por festat i kemi të përbashkëta

0
231

Famulltari i Famullisë së Pjetërshanit, Don Marjan Ukaj, ka treguar për atë se si besimtarët katolik e presin festën e Krishtlindjes. Ai tha se kësaj feste i paraprinë i gjithë muaji dhjetor.

“Është koha e ardhjes, është një kohë kur ne përgatitemi në mënyrë shpirtërore nëpërmjet lutjes, pendesës, agjërimit, bamirësisë përgatitemi për festën e Krishtlindjes”, është shprehur Ukaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Ukaj tha se festa e Krishtlindjes e ka një kuptim të veçantë për të gjithë besimtarët katolikë, pasi sipas tij, familjet zgjohën në mëngjes dhe i kryejnë përgatitjet tradicionale të familjes.

“Pastaj, në darkë shtrojnë darkën me gjërat elementare dhe gjatë gjithë natës qëndron tryeza në shtëpi e shtruar. Lutja kryesore është mesha e shenjtë, ku ne kremtojmë pothuajse në të gjitha në Kosovë por edhe në botë, kremtohet mesha në mesnatë sepse aty është hyrja në kremtimin e festës së Krishtlindjes. Pastaj ka lutje, e këndime të ndryshme të cilat u dedikohen festës së Krishtlindjes por, më e rëndësishme është Mesha e Shenjtë që e kremtojmë në mesnatë të gjitha famullitë në mesnatë”, është shprehur Ukaj, njofton Klankosova.tv.

Ukaj tha se në orën 24:00 është mesha e shenjtë, ku i presin të gjithë besimtarët e Famullisë, përcjellur edhe me program për fëmijë.

“Në ora 24:00 kemi Meshën e Shenjtë ku i presim të gjithë besimtarët e famullisë, kemi edhe një program të fëmijëve që flet për natën e Krishtlindjes, i përgatitur nga fëmijët e famullisë me motrat që shërbejnë këtu në famulli. S’ka program diçka më të veçantë për shkak edhe të pandemisë, që të mos qëndrojmë në ambient të mbyllur”.

Ndërsa, sa i përket urimeve nga shqiptarët e fesë myslimane, Ukaj tha se ato kanë filluar t’i marrin që nga 1 dhjetori, datë kjo kur edhe i kanë ndezur dritat, teksa tha se i ndanë feja, por festat i kanë të përbashkëta

“Ne kemi filluar që t’i marrim urimet nga besimtarët myslimanë që nga 1 dhjetori, prej kur i kemi ndezur dritat. Kemi shumë qytetarë që janë të besimit islam, vijnë dhe nuk them se është bashkëjetues fetare, por është një vëllazëri. Jemi vëllezër, vijnë urojnë dhe shoh që është një harmoni jashtëzakonisht e mirë. Marrim urime edhe nëpërmjet shoqërisë që janë të besimit islam, me mesazhe private, ashtu siç ndodhë çdo herë, na ndanë feja, por festat i kemi të përbashkëta”, është shprehur Ukaj. njofton Klankosova.tv.