10.9 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Doris Pack: Kandidimi i një gruaje për kryeministre e ndryshon imazhin e Kosovës

Rekomandime

Kryetarja e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane, Doris Pack, ka marrë pjesë në takimin që kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani e ka mbajtur me strukturat e Forumit të Gruas të kësaj partie.

- Advertisement -

Ajo është shprehur shumë e lumtur për kandidimin e një gruaje për postin e kryeministrit në Kosovë.

“Është hera e parë që marr pjesë në një fushatë zgjedhore në Kosovë. Por, është një moment i veçantë pasi ju e keni propozuar një kandidate grua për kryeministre dhe mendoj se kjo është diçka jashtëzakonisht e mirë”.

“Nuk erdha këtu për shkak të zgjedhjeve, por pasi e kuptuan se do të jem këtu më kërkuan nëse mund të jem pjesëmarrëse në këtë takim. Është shumë mirë po ashtu që kaq shumë gra jeni këtu këtë pasdite që të dëshmojmë se ne së bashku mundemi”.

- Advertisement -

“Dje isha në Viti dhe atje e kuptova se sa shumë janë të angazhuara gratë në këtë fushatë. Fakti që Vjosa Osmani po garon për kryeministre është një moment i jashtëzakonshëm”.

Ajo ka thënë se kandidimi i një gruaje për kryeministre e ndryshon edhe imazhin e Kosovës, njofton Klan Kosova.

- Advertisement -

“Kjo e jep një pikëpamje krejt tjetër për Kosovën dhe gjithashtu do të ju ndihmojë në negociatat me fqinjët dhe kjo vërtetë ju duhet”.

“Ndonjëherë ju duhen fytyra të reja të cilat janë të shkolluara dhe formësuara si duhet, si dhe kanë ekspertizë në fushën e sundimit të ligjit që është shumë e rëndësishme për vendin tuaj”.

“Jam krenare si presidente e Forumit të Gruas në PPE që partia juaj ju ka zgjedhë ju [Vjosa Osmani] pasi që partia në përbërje ka më shumë burra. Një falënderim shkon për krejt burrat që i dhanë Vjosa Osmanit një mundësi”.

Pack e ka përmendur edhe presidentin e ndjerë dhe liderin e LDK-së Ibrahim Rugova.

“Duke i dhënë Vjosa Osmanit një mundësi, LDK do ta ketë një mundësi shumë të mirë për ta drejtuar vendin që mendoj se është trashëgimi e Ibrahim Rugovës për të cilin kisha një respekt shumë të madh qysh nga vitet e 90-ta”.

“Kjo trashëgimi e këtij burri ia vlen të kalojë në gjeneratat e ardhshme. Sa herë që e kam takuar, më ka thënë ‘Zonja Pack, ne jemi shumë të durueshëm dhe jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar do të na ndihmojë’. Unë i kam thënë ‘Fatkeqësisht, ne nuk jemi ashtu si mendoni që jemi sepse ne nuk e shohim gjithmonë se njerëzit më të durueshëm janë politikanët më të mirë’. Por, ai ishte”.

Ajo ka treguar edhe fushat në të cilat duhet të fokusohet qeveria e re në Kosovë, sipas saj.

“Shpresoj shumë qe me kryeministren dhe qeverinë e re, ju do të fokusoheni në nevojat e popullit që nënkupton arsim, kujdes më të mirë shëndetësor dhe punë për të gjithë në mënyrë që njerëzit të rrinë në shtëpinë e tyre dhe të mos largohen për të gjetur një vend pune në Gjermani apo diku tjetër”.

“Po ashtu, shpresoj që do t’i kushtoni vëmendje edhe kulturës sepse kultura është shpirti i Europës dhe ju me kulturën tuaj së bashku me kulturat tjera në BE jeni shpirti i Europës”.

Doris Pack, në fund, e ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e saj të fuqishme për Vjosa Osmanin.

“Dua të them që jam bashkë më gratë duke e mbështetur fuqishëm kandidaten tuaj Vjosa Osmani. Ne mundemi, ne të gjithë së bashku mundemi”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit