Një incident ka ndodhur të martën e kaluar në objektin e Komunës së Podujevës.
Brenda Komunës, siç merr vesh Llapi.info, drejtor i Administratës, Gëzim Namani ka sulmuar një zyrtar (punëtor) tjetër komunal. Ky i fundit rastin e ka paraqitur edhe në Stacionin e Policisë në Podujevë. Burime të portalit thonë se zënka ka eskaluar, pasi që punëtori i kësaj administrate ka kërkuar pushim mjekësor, arsyeje kjo e cila ka filluar me mosmarrëveshje mes zyrtarëve.
Se që ka pasur mosmarrëveshje mes zyrtarëve komunalë e kanë konfirmuar, Policia e Kosovës dhe zyrtarë për informim nga Komuna e Podujevës.
“Me datën 13.08.2019, zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës, janë informuar për një mosmarrëveshje. Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore. Pas intervistimit të palëve të përfshira në rast, me urdhër të prokurorit kujdestar është përpiluar raport i veçantë, i cili me pas është proceduar në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi ka thënë se lidhur më këtë rast është iniciuar procedurë në Komisionin Disiplinor, ndërsa siç thotë Elezi, ka pasur mosmarrëveshje verbale.
“Javën që shkoi ka ndodhur një mosmarrëveshje verbale në mes drejtorit të Administratës dhe një punëtori të Komunës. Lidhur me këtë rast është iniciuar procedurë në Komision Disiplinor për shkelje të disiplinës në punë”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që zyrtarë komunalë të Podujevës përfshihen në këso raste, pasi që një rast i tillë ka ndodhur muaj më parë mes zyrtarë të tjerë të Komunës.