9.6 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

E akuzoi se po i shërben nacionalizmit serb, Abazoviç i përgjigjet Gjukanoviçit

Rekomandime

Rruga euroatlantike e Malit të Zi nuk do të ndryshojë, tha Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Abazoviç theksoi se mënyra më e mirë për luftimin e shqetësimeve mbi orientimin perëndimor të Malit të Zi është forcimi i institucioneve demokratike përmes reformave dhe luftimit të korrupsionit. Zëvendëskryeministri malazez, i cili të martën u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Gabriel Escobar dhe Zëvendës Sekretaren e Shtetit Wendy Sherman, foli edhe për protestat e fundit në Mal të Zi në lidhje me pronat e kishës ortodokse serbe.

- Advertisement -

Zoti Abazoviç, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, me të cilin ju u takuat të martën, duke folur për Malin e Zi tha se “ato forca politike që janë pro-serbe duhet të pranojnë që Mali i Zi duhet të jetë demokratik, i pavarur, sovran dhe i orientuar nga Perëndimi dhe të qëndrojë si pjesë e NATO-s”. Deklarimet e tilla shihen si shprehje e shqetësimit se Mali i Zi mund të mos jetë më në vijën e integrimeve euro-atlantike. A po ndryshon vërtetë kursi i Podgoricës?

Dritan Abazoviç: Unë jam dakord me mendimin e zotit Escobar. Por, gjithashtu, unë mund të them se nuk ka pasiguri lidhur me çështjen e orientimit euratlantik (të Malit të Zi). Ne jemi garanci se rruga euroatlantike e Malit të Zi nuk do të ndryshojë. Derisa kjo rrugë të jetë e sigurtë, kjo qeveri do të ketë përkrahjen tonë. Në momentin kur dikush do të sulmojë këtë rrugë, ose do të ndryshojë drejtimin e saj, qeveria në këtë formë siç është tani nuk do të ekzistojë më. Kjo është thënë qartë edhe në Departamentin e Shtetit. Ne morëm kurajo për këtë të martën nga Departamenti i Shtetit. Pra, se Departamenti i Shtetit do të mbështesë politikat euroatlantike që ne i promovojmë. Unë mendoj se nëse ka patur qytetarë të Malit të Zi që kanë patur dilemë mbi këtë, pra se do të ketë ndryshim të politikës sonë të jashtme, pas kësaj vizite ata do të jenë të sigurt se kjo nuk do të ndodh.

- Advertisement -

Çfarë hapa konkretë ju, si zëvendëskryeministër dhe qeveria juaj, keni ndërmarrë dhe mund të ndërmerrni për të hequr të gjitha këto shqetësime mbi orientimin e Malit të Zi në lidhje me procesin e integrimeve evropiane?

Dritan Abazoviç: Së pari, ne nuk pranuam që në qeveri të hynin njerëz, të cilët kanë dilemma në lidhje me rrugën tonë euroatlantike. Së dyti, ne kemi promovuar marrëveshjen të cilën e nënshkruam para një viti, në të cilën kërkuam nga udhëheqësit e listave të partive fituese që të përkushtohen se kjo do të jetë rruga e Malit të Zi. Së treti, kabineti qeveritar po lufton ashpër korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pa institucione të forta, ne do të jemi gjithmonë në dilemë se një ndikim i jashtëm mund të ndryshojë qëndrimet tona apo orientimin tonë perëndimor. Është shumë e rëndësishme që aleatët kryesor, si Shtetet e Bashkuara, të mbështesin këtë politikë (integrimin euroatlantik). Mendoj se mesazhi kryesor nga takimet qe kemi zhvilluar të martën ka qenë se Departamenti i Shtetit do të mbështesë Malin e Zi derisa vendi të vazhdojë rrugën e tij euroatlantike dhe atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

- Advertisement -

Të martën, Komisioni Evropian publikoi raportin vjetor të progresit për Malin e Zi në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në raport thuhet se mungesa e dialogut, tensionet e ndryshme dhe mosbesimi midis politikanëve kanë thelluar përçarjet politike. Çfarë hapa do të ndërmarrë qeveria juaj dhe ju si zëvendëskryeministër për të tejkaluar këto probleme dhe për të çuar përpara procesin e integrimit në BE?

Dritan Abazoviç: Është e vërtetë ajo që thoni, se këto gjëra ishin të përfshira në raport. Por, gjithashtu dua të them se për ato që kishin të bënin me përgjegjësitë zëvendëskryeministrit, në sektorin e sigurisë, raporti thotë se ka patur përparime. Pra, në raport thuhet se ka patur përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Këto janë përdorur si shembuj të mirë të progresit. Nuk them se në këto fusha nuk ka hapësirë për më shumë progres. Jam dakord se politikanët duhet të jenë të gatshëm të bëjnë një hap mbrapa për të krijuar pak hapësirë për të arritur një marrëveshje lidhur me çështjet që janë theksuar në raportin e progresit.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç i ka filluar negociatat me përfaqësuesit e shumicës parlamentare për rikonstruimin e qeverisë, një synim që ju e keni kundërshtuar. Përse nuk e pranoni një gjë të tillë?

Dritan Abazoviç: Ne nuk mund të dalim kundër asaj që kemi nënshkruar vitin e kaluar, kur i fituam zgjedhjet. Pra, qëllimisht kemi kërkuar një qeveri ekspertësh, që nuk do të ndikohej nga politika të ndryshme, sidomos nga ato që nuk janë dakord me rrugën tonë perëndimore dhe euroatlantike. Pra, kjo ka qenë si një garanci e nënshkruar në marrëveshje që shpresoj se do të respektohet nga të gjithë dhe nuk do të kemi probleme. Nëse dikush dëshiron të tërhiqet nga kjo marrëveshje, atëherë potencialisht mund vijmë deri te problemet politike. Por, çdo gjë duhet të shihet nga këndvështrimi i demokracisë dhe shpresojmë që çdo gjë do ta kalojmë pa pasoja.

Zoti Abazoviç, a është Mali i Zi më afër ristrukturimit të qeverisë apo zgjedhjeve të reja?

Dritan Abazoviç: Unë mendoj se (Mali i Zi) është më afër një situate, ku kjo qeveri do të vazhdonte më gjatë. Nuk jam i sigurt se ekzistojnë struktura brenda shumicës, të cilat janë të gatshme të rrëzojnë qeverinë, pra, që ato të shkojnë në parlament për një ristrukturim dhe të kërkojnë një votëbesim të ri për qeverinë. Nuk jam i sigurt, por çdo gjë është e mundshme. Kështu është jeta politike. Nëse nuk respektohen modalitet, që ishin pjesë e marrëveshjes së nënshkruar (vitin e kaluar), nëse nuk ka zgjidhje për këtë, nëse ne nuk mund të vazhdojmë së bashku, atëherë zgjedhjet mund të jenë një nga opsionet e mundshme.

Zoti Abazoviç, të hënën në Podgoricë grupe protestuesish u ngritën kundër regjistrimit të Manastirit të Cetinës si pronë të Kishës Ortodokse Serbe dhe siç u tha kundër dhunës policore. Protestuesit thanë se juve do t’u dorëzohen dëshmi për dhunën e ushtruar mbi protestuesit gjatë shugurimit të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, me 5 shtator. Si u përgjigjeni pohimeve për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë atyre zhvillimeve?

Dritan Abazoviç: Nuk ka patur asnjë ndërhyrje të paligjshme të policisë ndaj protestuesve. Ka patur shumë negavitet nga ana e protestuesve, të cilat do të procesohen në ditët e ardhshme. Por, nga ana e policisë çdo gjë është toleruar. Në momentin kur ish shefi i policisë u nis me dhunë në drejtim të policëve, atëherë policia kishte nevojë të ndërhynte. Mendoj se ndërhyrja e policisë ishte fare e lehtë. Ne pas Cetinës, ku rreziku për konflikt ka qenë shumë i lartë, nuk kemi patur asnjë viktimë, asnjë protestues ose policë nuk ka pësuar dëmtime të rënda. Ndoshta ka mbetur një shije e keqe dhe e dobët nga gjithë ajo që ka ndodhur në atë mjedis, në atë fundjavë në Cetinë. Unë jam dakord me këtë, por në asnjë mënyrë nuk mund të pranojmë akuzat e paarsyeshme se ka patur dhunë nga ana e policisë.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, por edhe disa analistë malazezë ju kanë akuzuar se po i shërbeni nacionalizmit serb, në një kohë kur siç thuhet Beogradi përmes Kishës Ortodokse Serbe po nxitë vazhdimisht tensione dhe po mohon identitetin malazez. Sa qëndrojnë këto vlerësime?

Dritan Abazoviç: Për mua personalisht, këto janë qesharake. E kuptoj se një pjesë e publikut ndoshta edhe u beson këtyre thashethemeve. Por, puna dhe veprat duhet të tregojnë se çka është e vërtetë dhe çka nuk është e vërtetë. Unë mendoj se puna që kemi bërë në vitin e fundit, brenda mundësive që kemi patur, ka treguar se nuk qëndrojnë gjërat që thuhej se ishin problematike. Thuhej se do të vinte deri te tërheqja e Malit të Zi nga NATO-ja, kjo nuk ndodhi. Thuhej se do të ndryshoheshin identiteti dhe simbolet kombëtare malazeze, por kjo nuk ndodhi. Madje pati spekulime se pas ardhjes së qeverisë sonë në pushtet, Mali i Zi do të tërhiqte njohjen e pavarësisë së Kosovës, por as kjo nuk ka ndodhur. Pesë ditë më parë, unë kam biseduar në Shkup me zotin Kurti. Kritikët kanë thënë se nuk do të ketë më rrugë evropiane për Malin e Zi, por as kjo nuk ka ndodhur. Pra, asnjë nga këto parashikime nuk u realizuan. Nuk është fare i diskutueshëm fakti se kujt i shërbejë. Por, ndoshta është e rëndësishme të përsëritet se u shërbejmë vetëm interesit kombëtar të Malit të Zi, shtetit të Malit të Zi, dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

Ligji për shtetësinë dhe ligji për regjistrimin e popullsisë, që pritet të miratohen në parlament, kanë nxitur shumë reagime në Mal të Zi, përfshirë edhe ato të përfaqësuesve shqiptarë. A mund të çojnë farkimet rreth kësaj çështjeje në tensione të reja në Malin e Zi?

Dritan Abazoviç: Ligji për shtetësinë nuk do të ndryshojë. Ai ka shkaktuar një konfuzion të madh në publik në pranverë. Atëherë, jam përpjekur të bind njerëzit, sidomos diasporën se aty nuk ka asgjë përveç përpjekjeve për një manipulim politik. Dhe njerëzit nuk më kanë besuar. Një ose dy muaj më vonë, ata e kuptuan se ajo çështje është shfrytëzuar për arsye politike në një periudhë afatshkurtër në Mal të Zi. Askujt nuk do t’i hiqet nënshtetësia e Malit të Zi. Ajo nuk është një çështje me të cilën qeveria merret dot. Ndërsa, ligji për regjistrimin e popullsisë është obligimi ynë. Për shkak të koronavirusit, ne nuk arritëm ta realizonim atë kur ishte e nevojshme. Ne këtë do ta bëjmë. Për herë të fundit, regjistrimi i popullsisë u bë në vitin 2011 dhe këtë vit duhet të bëhej përsëri, por nuk i kemi kushtet administrative për ta filluar këtë proces tani dhe kemi pandeminë e koronavirusit. Këtë çështje ne duhet ta trajtojmë ashtu siç e parashikojnë standartet evropiane. Por, kjo nuk duhet me qenë një referendum politik, ku ka me qenë me rëndësi vetëm sa përqind janë shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë. Kjo është një çështje statistike që bëhet çdo 10 vjet në të gjitha shtetet moderne të botës dhe duhet me qenë një burim të dhënash për poltikat e ardhshme të vendit. Regjistrimi i popullsisë nuk duhet politizuar. Njerëzit duhet të shprehen lirshëm dhe të ofrojnë të dhëna të sakta në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë. Kjo duhet të ofrojë statistika që mund të përdoren për zhvillimin ekonomik dhe demografik të Malit e Zi, e jo si një mjet për avancimin e një grupi etnik ose nënçmimin e një grupi tjetër.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit