8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

E kërkuar nga VV dhe LDK, në Ministrinë e Brendshme shpërthejnë skandalet

Rekomandime

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, e cila është bërë një ‘mollë’ sherri mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për nënshkrimin e koalicionit qeverisë, po vazhdon të karakterizohet me skandale dhe keq menaxhim.

Agjencia për Regjistrimin Civil që funksion në kuadër të MPB-së, po vazhdon të jetë një nga sektorët e keq menaxhuar skajshmërisht të kësaj ministrie në mandatin e tanishëm qeverisës, me plotë parregullsi të ndryshme, ku ndër të tjera edhe me shpenzimin e buxhetit në mënyrë aspak racionale.

- Advertisement -

Për disa javë rresht, qytetarët nuk kanë mundur të furnizohen me tabela të automjeteve për shkak të procedurave të ngatërruara në përzgjedhjen e kompanisë fituese.

Fillimi i shpërndarjes së targave për automjetet e regjistruara, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese e ka bërë me datën 19.11.2019, kurse qytetarët kanë rifilluar të marrin targat për vetura vetëm nga data 25 nëntor tek Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në gjitha komunat e Kosovës.

Po ashtu, sipas burimeve të “Kosova Sot Online”, skandali tjetër që po e përcjell këtë ministri, dhe Agjencionin e Regjistrimit Civil, ka të bëjë me tenderin e shpallur dhe të dhënë, për një program softuer të automjeteve, vlera e të cilit ka qenë caktuar në 70 mijë euro, por është përzgjedhur ofertuesi për disa herë më i shtrenjtë, pra për 1.2 milion euro, dhe akoma ky program i softuerit nuk është në funksion.

- Advertisement -

Se në këtë ministri, respektivisht fushën që e mbulon ky agjencion ka edhe skandale të tjera para të cilave drejtuesit e agjencionit i mbyllin sytë, është edhe informacioni të cilin e ka siguruar “Kosova Sot Online”, e sipas të cilit, thuhet se në sektorin për lëshimin e pasaportave janë duke punuar njerëz të cilët janë nën hetime dhe kanë të ngritur edhe kallëzime penale.

Po ashtu, sipas informacioneve të “Kosova Sot Online”, për renovimin e zyrës së Bekim Hoxhës, drejtorit të ARC-së, janë shpenzuar 50 mijë euro, shumë marramendëse për një hapësirë pune në zyre.

- Advertisement -

Për të gjitha këto çështje, “Kosova Sot Online” i është drejtuar me Drejtorit të ARC-së, Bekim Hoxha, nëpërmes Zyrës për Informim të MPB-së.

Sipas Ministrisë, përveç problemit që ishte i ditur me tabelat e automjeteve, informacionet tjera të lartcekura të gazetës nuk janë të sakta.

Lidhur me tenderin për programin e softverit të automjeteve, vlera e të cilit ka qenë 70 mijë euro, por është përzgjedhur ofertuesi për disa herë më i shtrenjtë, pra për 1.2 milion euro, dhe akoma ky program i softuerit nuk është në funksion, MPB-ja zotohet se ai do të hyjë në funksion në fillim të vitit 2020, por nuk janë treguar arsyet e plota pse është përzgjedhur çmimi më i shtrenjtë.

“Pas një analize të bërë nga ekspertët e IT-së në ARC, bazuar në problemet që i kemi pasur me vite në sistemin e automjeteve, menaxhmenti ka vendosur që të zhvillojë sistemin e ri me funksionalitete dhe teknologji të fundit, konform kërkesave. Në kuadër të kontratës është paraparë edhe furnizimi me pajisje harduerike si: Server, printer matricor, UPS – 125Kë ( kapacitetit me të madh për ta furnizuar tërë objektin e ARC –së me rrymë ) si dhe pajisje të tjera përcjellëse që kanë ndikuar në rritjen e çmimit. Implementimi i këtij sistemi sipas kontratës është paraparë të realizohet në tërësi në një periudhë tri vjeçare, prandaj konform kontratës ky sistem do të implementohet në tërësi në janar 2020. Ky projekt ka qenë në tender publik dhe konform procedurave të prokurimit është përzgjedhur operatori ekonomik i cili do ta implementojë ketë projekt”, thuhet në përgjigjen e ZIP-it të MPB-së për “Kosova Sot Online”.

Për problemin që ishte me tabelat, nuk janë dhënë hollësi pse ka ardhur deri te mungesa e tyre për disa javë, por vetëm thuhet se problemi tanimë është i zgjidhur.

“Kjo çështje tashmë është zgjidhur. Është bërë furnizimi me tabela në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve dhe qytetarët janë duke bërë regjistrimin e automjeteve pa ndonjë vështirësi”.

Sa i përket informacionit që në sektorin për lëshimin e pasaportave janë duke punuar njerëz të cilët janë nën hetime dhe kanë të ngritur edhe kallëzime penale, MPB thotë nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë.

“ARC nuk ka informacione zyrtare nga institucionet përkatëse si Policia dhe Prokuroria, rreth hetimeve dhe kallëzimeve penale ndaj zyrtareve që punojnë në Qendrat për Pajisje me Dokumente”, thuhet në përgjigjen e ZIP-it.

E lidhur me renovimin e zyrës Bekim Hoxhës, për çka janë shpenzuar 50 mijë euro, pasi sipas tyre krejt objekti i MPB-së mirëmbahet në përgjegjësi të MAP-it. Ata kanë pranuar se është bërë një renovim i përgjithshëm, por kanë mohuar që kostoja e renovimit të zyrës së drejtorit të ketë kapur shumën prej 50 mijë euro.

“Ju informojmë se objekti i ARC-së menaxhohet nga DSPIMNQ- MAP, prandaj pas problemeve të shumta të shfaqura në objekt, ka qenë urgjente që të bëhet renovimi në këtë objekt. Ndërsa, sa i përket zyrës se drejtorit të Përgjithshëm të ARC-së ky renovim është bërë në kuadër të kontratës “Renovimi i objektit të ARC” për shkak të rrjedhjeve të ujit në zyrë, pasojë e dëmtimit të kulmit të ARC-së, i cili është paraparë të rregullohet në kuadër të së njëjtës kontratë. Shuma e realizuar për këto shpenzime është 4,900 Euro”, thuhet në përgjigjen e ZIP-it për “Kosova Sot Online”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit