Virusi vdekjeprurës ‘koronavirus’ ka infektuar edhe futbollin në Itali. Tre lojtarë të skuadrës italiane të futbollit “Pianese”, që garon në ligën e tretë, janë konfirmuar të infektuar me koronavirus.
Është klubi me qendër në Siena që ka konfirmuar lajmin, duke thënë se me koronavirus është prekur edhe një zyrtar i tyre.
“Për momentin të infektuar janë katër, tre lojtarë dhe një zyrtar i klubit”, thuhet në komunikatë.
Klubi Pianese ka anuluar stërvitjen dhe po pret direktivat i Institutit Shëndetësor të Italisë.
Ndryshe, Italia është shndërruar në vatër të koronavirusit në Evropë, pasi është vendi më i prekur nga virusi vdekjeprurës. Numri i të vdekurve ka shkuar në 21 ndërsa i atyre të prekur në 821.
Shkaku i Koronavirusit, janë shtyrë edhe pesë ndeshje në Serie A të parapara për t’u zhvilluar këtë fundjavë, në mesin e tyre edhe derbi Juventus – Inter.