4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

E kthyer nga Wuhani, shqiptarja Silva Doçi flet nga karantina: Çfarë po ndodh në spitalin e Ankarasë

Rekomandime

Studentja shqiptare Silva Doçi që prej një jave ndodhet në kushtet e karantinës në një spital në Ankara, pas evakuimit së bashku me disa shtetas turq nga epiqendra e koronavirusit në Wuhan.

- Advertisement -

Në një intervistë për Top Channel fillimisht i përgjigjet pyetjes se si ka qenë kjo javë për të në kushtet e karantinës.

Silva prej një jave ndodheni në karantinë në Turqi. Si ka qenë kjo javë për ju?

Silva Doçi: Kjo javë ka qenë e qetë, në ditët e para duke përjetuar gjithçka të re për mua, duke u përshtatur me ndryshimin e orës e duke i kushtuar vëmendje procesit të karantinës e tani disi e mësuar me rregullin e çdo dite.

- Advertisement -

Çfarë thonë mjekët atje në lidhje me ekzaminimet e bëra deri më tani?

Silva Doçi: Ekzaminimet e para dolën të gjitha mirë, tani po bëhen sërish për herë të dyte, për të vëzhguar akoma më tej shëndetin tim edhe të personave të tjerë që gjenden këtu.

- Advertisement -

Cila është ajo gjë që ju ka bërë më shumë përshtypje deri më tani gjatë qëndrimit në atë spital në Turqi?

Silva Doçi: Ky është një spital, që mesa di unë nuk ishte në përdorim dhe u rihap për ne. Është diçka e veçantë përgatitja e një vendi enkas për në, si për sigurinë e pacienteve të tjerë në spitalet e tjera ashtu edhe për mbarëvajtjen e punës së mjekëve të përqendruar te ne. Mendoj që jo vetëm mua por edhe atyre që ndodhen këtu që erdhëm bashkë nga Wuhani, na krijon një ndjesi të të qenit të veçantë e në kujdes maksimal. Do veçoja afrimitetin e të gjithë stafit mjekësor dhe jo mjekësor, që gjithmonë vesh buzëqeshje në kontakt me mua (ne). Gjë që nuk pritet kur je nën vëzhgim për një virus si koronavirusi i rastit, por kjo i mëshon edhe njëherë profesionalitetit edhe vendosmërisë së mjekut ndaj detyrës së tij, pavarësisht se me çfarë rreziku përballet. Diçka që e kam gjetur edhe tek mjekët në Wuhan edhe këtu në Ankara.

Gjatë 24 orëve si zhvillohet mbikëqyrja e mjekëve për të gjithë ju?

Silva Doçi: Mbikëqyrjen e mjekëve do ta ndaja në dy lloje, në ditët intensive dhe ditët e qeta. Në ditët intensive ne i nënshtrohemi analizave që duhen për të përcaktuar nëse dikush është bartës apo jo i virusit (intensive nuk do të thotë e lodhshme këtu, nuk do të thotë se ne lodhemi nga vëzhgimi e kontrollet, thjesht bëhen disa analiza që specialistët, edhe unë më parë, i kemi përmendur; si analiza gjaku, analiza te sekrecioneve të fytit, grafi e mushkërive, kontrolli i frymëmarrjes etj). Këto dite intensive janë të rralla.

Në ditët e qeta kemi vizita nga infermierët në kujdes dy herë në ditë për matje temperature edhe disa herë në ditë për të pyetur nëse kemi ndonjë shqetësim shëndetësor. Edhe mjekët përgjegjës, edhe ato në pozicione drejtuese të këtij procesi, vijnë dhe komunikojnë me ne për gjendjen tonë shëndetësore dhe interesohen edhe për më të voglin shqetësim që çdokush mund të ketë. Madje ato kanë mundësuar edhe takim me psikologun nëse dikush ka nevojë të flasë për përjetimin e karantinës, gjë që do të thotë se interesimi e vëmendja nuk është vetëm në shëndetin fizik por edhe mendor. Gjithashtu stafi jo mjekësor që kujdeset duke filluar nga ushqimi e deri te higjena, janë gjithë kohës shume profesionistë e të afërm.

Si ka qenë komunikimi juaj gjatë këtyre ditëve përmes rrjeteve sociale me miqtë dhe familjen?

Silva Doçi: Tani kam rënë goxha në qetësi. Edhe afrimi i orës me Shqipërinë ma ka lehtësuar komunikimin. Flas çdo ditë me familjen, dhe shkruhem shpesh me të afërmit e miqtë e mi. (Këtu kemi Wifi, dhe gjithashtu Ambasada Shqiptare ne Ankara më ka mundësuar me numër telefoni për të qenë në kontakt me ta dhe familjen). Kam pasur edhe kontakt nga miq këtu në Turqi që janë ofruar të vijnë të më vizitojnë por që i kam refuzuar pasi kjo nuk përkon me rregullat e karantinës.

A ke mbajtur ndonjë ditar për të gjitha ditët që keni kaluar në Ëuhan dhe me pas për ditët në karantinë në Turqi?

Silva Doçi: Disa herë kam menduar mbajtjen e një ditari, por kam ndërruar mendje. Kam shume fotografi që më kujtojnë çdo moment të kësaj periudhe, e shumë biseda të ruajtura nga rrjetet sociale, e kam vendosur të shkruaj për këtë përjetim në një kohë të dytë, kur mund ta shoh çdo gjë me një sy tjetër.

Cili ka qenë interesimi ambasadës shqiptare në Ankara ndaj jush?

Silva Doçi: Me Ambasaden Shqiptare në Ankara jam në kontakt çdo ditë. Ato interesohen jo vetëm duke komunikuar me mjekët përgjegjës për mua, por edhe duke komunikuar me mua se si po e përjetoj çdo ditë, si jam me shëndet, dhe nëse më duhet ndonjë gjë qoftë materiale apo në lidhje me përshtatjen time këtu dhe komunikimin me mjekët. Edhe pse nuk kam takuar askënd personalisht ende, ambasadori Kastriot Robo dhe stafi i tij janë me mua në çdo moment. Kjo e bën qëndrimin tim këtu më të lehtë e për këtë ju jam mirënjohëse. Faleminderit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit