Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë në “Opinion” ka folur edhe për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke thënë se është njeri shumë interesant, njeri me të cilin ke çfarë të bisedosh dhe nuk mërzitesh duke biseduar.
Edi Rama ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij për Ballkanin e Hapur.
I pyetur nga Blendi Fevziu nëse i qëndron idesë së tij për Ballkanit të Hapur me gjithë kontestimin e Kosovës, Rama është përgjigjur “qind për qind”, duke u shprehur i sigurt se do të vazhdojë mbështetjen ndaj nismës së Ballkanit të Hapur.
Tutje, Rama ka folur edhe për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Sa i përket raporteve njerëzore, Rama ka thënë se i kanë fantastike, megjithatë thekson se në planin politik kanë dallime.
“Në aspektin njerëzor, raportet janë fantastike, ndërsa në atë politik… Albini është njeri shumë interesant dhe njeri me të cilin ke çfarë të bisedosh, nuk mërzitesh duke biseduar. Në planin politik kemi diferenca, ai është i mandatuar të drejtojë Kosovën dhe unë Shqipërinë. Në fund të fundit jemi dy shtete të ndryshme”, ka deklaruar Rama.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte shprehur kundër idesë së Ballkanit të Hapur, duke thënë se Kosova nuk do të jetë pjesë e saj.