0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Edi Rama me partinë e tij socialiste kanë ardhur në pushtet në Shqipëri para më shumë se 10 viteve, nuk mbahet mend ta ketë ndihmuar Kosovën”

Rekomandime

Kapiti: Rama asnjëherë nuk është dakorduar me pushtetin dhe as me politikën në Prishtinë

- Advertisement -

Edhe kyeministri i Shqipërisë, Edi Rama po merr pjesë në Konferencën për Sigurinë 2023 në Munich.

Gjatë qëndrimit në Munich, Rama në kuadër të konferencës, zhvilloi një takim me kryetaren e nën-komitetit për Evropën në Senatin Amerikan dhe senatorin, Chris Van Hollen.

Me të ka folur për disa tema, përfshirë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

- Advertisement -

“Me Jeanne Shaheen, kryetare e nën-komitetit për Evropën në Senatin Amerikan dhe senatorin Chris Van Hollen, për agresionin kibernetik dhe ecurinë e ndërtimit të mbrojtjes sonë kibernetike me mbështetje edhe nga SHBA, planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, si edhe rolin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal në tërësi.”, shkroi Rama në Facebook.

Është befasuese përfshirja edhe komentimi i Ramës për bisedimet Kosovë-Serbi, me theks të veçantë te plani franko-gjerman.

- Advertisement -

Kryeministri i Shqipërisë, vetëm ditë më parë, u shpreh se qasja e tij ndaj Serbisë dallon nga ajo e Kurtit.

“Realisht kemi marrëdhënie shumë të mira, takimet tona janë frymëzuese, humor të madh, qeshim shumë. Tek qasja ndaj Serbisë i kemi të ndryshme por qëllimin e njëjtë“, nënvizoi kreu i qeverisë.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha Ramës gjatë një interviste televizive që të mos mbajë shpresa te Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“I dëshiroj shumë suksese Republikës së Shqipërisë, jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe do të duhej që të ketë shumë më pak shpresa te Presidenti i Serbisë i cili nuk shkëputet dot nga Presidenti despotik i Rusisë“, u shpreh Kurti.

Marrë parasysh, gjithë këto deklarata, ende nuk mund të thuhet se kemi një ‘pasqyre’ të qartë për qasjen e Ramës ndaj Serbisë dhe dialogut me Kosovën.

Elezaj: Unë besoj fuqishëm, se takimi në fjalë midis Edi Ramës dhe dy përfaqësuesve amerikan në Munih, ka ndodhur me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë

ImageOpinionisti Rexhep ElezajFOTO GALERI
Opinionisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se pavarësisht se Rama ka diskutuar me van Hollen për dialogun Kosovë-Serbi, nuk mund të thuhet se po tentohet të ndikohet indirekt në vazhdimësinë e tij.

“Takimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me kryetaren e Nën-komitetit për Evropën në Senatin amerikan dhe senatorin Chris van Hollen, në margjinat e Konferencës për Sigurinë 2023 në Munih të Gjermanisë, si dhe biseda e tyre lidhur me Planin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në asnjë mënyrë nuk nënkupton se Rama është i përfshirë në mënyrë direkte apo indirekte në bisedimet Kosovë-Serbi. Sepse, së pari, Shqipëria nuk është fare palë pjesëmarrëse në bisedimet Kosovë-Serbi, dhe e dyta, nuk është as anëtare e BE-së, nën ndërmjetësimin e të cilës, pra të BE-së, ka qe 10 vite që po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.

Elezaj, tha se ky takim nuk mund të ketë ndonjë ndikim të madh, ai është bërë në kuadër të takimeve bilaterale midis delegacioneve pjesëmarrës.

“Prandaj, prekja e planit franko-gjerman për çuarjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, në takimin midis Edi Ramës dhe dy përfaqësueseve amerikan në Konferencën e Munihut për Siguri 2023, do ketë qenë pikë bisedimi midis tyre, ekskluzivisht mbi bazën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, si dy shtete të cilat janë të interesuara që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë sa më para që është e mundur. Se, trajtimi i këtij Plani midis E. Ramës dhe dy përfaqësuesve amerikan mund të ketë ndonjë ndikim në rrjedhën e këtij dialogu, këtë nuk e besoj fare, përveç se ky takim ka ndodhur në kuadër të takimeve bilaterale midis delegacioneve pjesëmarrëse që mbahen brenda samiteve dhe konferencave ndërkombëtare, siç është kjo për Sigurinë 2023 në Munih të Gjermanisë”, theksoi opinionisti.

Sipas tij, beson se ky takim i Ramës erdhi pas shpërthimit të skandalit me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal.

“Unë besoj fuqishëm, se takimi në fjalë midis Edi Ramës dhe dy përfaqësuesve amerikan në Munih, ka ndodhur me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i cili siç dihet kohëve të fundit është i përfolur si pjesëmarrës direkt në aferën korruptive me ish agjentin e FBI-së, McGonigal, ndaj të cilit në Amerikë para disa javësh ka filluar procesi gjyqësor ndaj tij, dhe kjo me qëllim për t’i “dëshmuar”, gjoja opinionit, se po të ishte e vërtetë pjesëmarrja e tij në këtë skandal financiar, këta dy përfaqësues amerikan nuk do ta pranonin në takim dhe të bënin bisedë me të për Kosovën..!?”, nënvizoi Elezaj.

Më tej, opinionisti kritikoi qasjen e Ramës në dialogun me Serbinë, ku beson se nuk e ka ndihmuar aspak Kosovën.

Ai tha se Rama me sjelljet e tij antikombëtare ndaj Kosovës, ia ka fut ‘thikë pas shpinës’ popullit shqiptar.

“Mirëpo, ajo që domosdo duhet nënvizuar me këtë rast, është fakti se, kryeministri shqiptar, Edi Rama, përveç se me asgjë nuk e ka ndihmuar dialogun Kosovë-Serbi përgjatë dhjetë viteve të kaluara, përkundrazi, ai me punën dhe veprimet e tij pro-regjimit fashist të Beogradit, gjegjësisht kyçja e tij direkte në nismën e “vëllait” të tij, A. Vuçiqit, në Nish në vitin 2018 për ndryshimin e kufijve të Kosovës, i njohur si këmbim territoresh, pastaj përkrahja e pa rezervë e E. Ramës të nismës për formimin e “Ballkanit të hapur”, lexo; formimin e Serbisë së madhe, dhe ku Rama ka qenë më i zëshmi në thirrjen e tij që kësaj nisme t’i bashkohen edhe Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova, etj., e gjithë kjo sjellje destruktive dhe antikombëtare e tij ndaj Kosovës, është vlerësuar me të drejtë si thikë pas shpine ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe pavarësisë së saj si shtet sovran dhe i pavarur..!?”, potencoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti vlerëson se Rama ka dëmtuar tej mase ecjen përpara të Kosovës.

“Pra, që kur Edi Rama me partinë e tij socialiste kanë ardhur në pushtet në Shqipëri para më shumë se 10 viteve, nuk mbahet mend ta ketë ndihmuar Kosovën, sidomos në arenën ndërkombëtare, ose të ketë ndërmarrë ndonjë veprim në favor të forcimit të Kosovës si subjekt ndërkombëtar, siç është çështja e lobimit nëpër botë për rritjen e numrit të shteteve që do e njihnin Kosovën si shtet i pavarur.

Përkundrazi, ai dhe regjimi i tij që kur gjenden në pushtet, me veprimet e tyre anti-Kosovë dhe heshtjen e tyre morbide në qarqet ndërkombëtare, duke mos e thënë asnjë fjalë dhe fjali në dobi të saj, nuk ka asnjë dyshim, se e kanë dëmtuar tej mase shtetin dhe ecjen përpara të Kosovës, qoftë në rajonin e Ballkanit perëndimor, qoftë në Evropë dhe më gjerë. Fatkeqësisht, por kjo është e vërteta..!?”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Kapiti: Rama nuk ka ndjesi për vuajtjet dhe ato se çfarë kanë pësuar shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi serb

Kurse, opinionisti nga Shqipëria, Skënder Kapiti tha se më e mira do ishte që Rama të mos angazhoj për çështjet e Kosovës.

Ai këtë e tha gjatë një prononcimi për “Bota sot”, duke e konsideruar atë që ka një qasje anti-Kosovë për disa arsye.

“Është mirë dhe shërbimi më i mirë i Edi Ramës do kishte qenë që ai asnjëherë të mos angazhohej për Kosovën, pasi ai tashmë publikisht është perceptuar si negativ , pro-Serbisë dhe në dëm të Kosovës. A thua se ky në pushtet në Shqipëri paska ardhur vetëm me mision anti-Kosovë. Them se misioni i tij është anti-Kosovë sepse ai asnjëherë nuk është dakorduar me pushtetin dhe as me politikën në Prishtinë, për strategjinë dhe për mbështetjen dhe as për dakordësi e për një qëndrim të përbashkët gjithë shqiptar në lidhje me Kosovën”, deklaroi opinionisti.

Gjithashtu, Kapiti tha se nuk besohet kryeministrit shqiptar edhe për shkak të lidhjeve të tij me Vuçiqin dhe mbështetjen e tij për “Ballkanin e Hapur”.

“Atij tashmë askush nuk i beson, pasi ai arriti deri atje kohë më parë që dhe Vuçiqit ia delegoi të drejtën të fliste me presidentin francez Macron për projektin anti-Kosovë e antishqiptar të Ballkanit të Hapur. Kur, ai edhe hapur i quante gomar politikanët e Kosovës që kundërshtonin projektin për copëtimin e Kosovës, a merret me mend se çfarë ai bisedon nën rrogoz kundër Kosovës”, shpjegoi ai.

Në fund, opinionisti tha se do ishte mirë që Kurti dhe Osmani të kërkonin nga Rama që të mos ‘përzihet’ në çështjet e Kosovës.

“Rama nuk ka ndjesi humane e jo më kombëtare për vuajtjet dhe ato se çfarë kanë pësuar shqiptarët e Kosovës nga gjenocidi serb. Do ishte mirë që Albini dhe Vjosa t’i thonin drejtpërdrejt Edi Ramës që të mos përzihet fare në punët e Kosovës, në pamundësi që ta shpallin atë non grata. Nuk rezulton askund që Rama të ketë bërë një përpjekje minimale të ndonjë shtet për njohje të Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit