2.2 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Efekti minishengenit, mallrat serbe vërshojnë Shqipërinë

Rekomandime

Ka mjaftuar vetëm klima pozitive e bashkëpunimit Serbi – Shqipëri që artikujt serbë të qumështit, miellit, etj., të “pushtojnë” tregjet shqiptare. Pas importit të miellit me çmim të lirë dy vite më parë, këtë vit kanë vërshuar në tregjet shqiptare 4,6 tonë qumësht bruto nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare. Prodhuesit bëjnë thirrje se qeveria shqiptare paralelisht me bisedimet për lehtësimin e tregtisë duhet të mendojë të bëjë ekonominë e saj më konkurruese.

- Advertisement -

Në sfond të bisedimeve për “Mini-Schengin” ballkanik, Shqipëria ka nisur të vuajë pasojat në fushën e tregtisë, dhe pse kushtet e lehtësimit tregtar ende nuk kanë ndodhur. Pas vërshimit të miellit serb me çmim të lirë që çoi gati në faliment fabrikat e miellit në Shqipëri më 2017-ën, një kërcënim tjetër ka nisur këtë vit. Tonelata me qumësht të pasterizuar po importohen nga Serbia dhe shtete të tjera fqinjë për llogari të fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit në vend. Arsyeja se pse fabrikat shqiptare po importojnë qumështin e papërpunuar nga Rajoni lidhet me çmimin e lirë, sidomos në Serbi, pasi atje subvencionohet i gjithë procesi i prodhimit blegtoral.

Gjatë nëntëmujorit 2019, importet e qumështit të papërpunuar arritën në 13 mijë tonë sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo sasi është sa 9 për qind e prodhimit të qumështit, që u grumbullua vitin e kaluar nga fermat shqiptare. Mbi 40 për qind e kësaj sasie u importua nga Serbia, raporton Monitor.al.

Më herët, administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.

- Advertisement -

Ndërsa bizneset prodhuese në vend janë alarmuar nga konkurrenca, që po vjen nga Rajoni, pak ditë më parë në Tiranë u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet Kryeministrave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për krijimin e një zonë “Mini-Schengen” në themel të së cilës do të jetë lehtësimi i tregtisë, duke hequr barrierat doganore për mallrat e shërbime.

Kryeministri i Serbisë Alleksandar Vuçiq në konferencën përmbyllëse pas takimit të Tiranës tha se, kishin diskutuar se si të zhvillojmë tregtinë, të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe gjithashtu edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve. Gjithashtu Kryeministri Rama tha se vendet janë angazhuar ndër të tjera të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

- Advertisement -

Takimet e tre kryeministrave nuk po zhvillohen nën koordinimin e agjendës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është edhe institucioni koordinues i nismës së Berlinit për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por zonja Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e këtij institucioni, pohoi se mbështet çdo propozim nga vendet e Ballkanit Perëndimor që është konform agjendës rajonale për integrim në BE.

Nikolin Jaka, Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë tha se nuk ishte i qartë për qëllimin e takimeve në kuadër të Mini-Schengenit. Ai tha se çdo nismë që vjen jashtë kornizës së iniciativës së Berlinit është demagogji dhe nuk i shërben integrimit të vërtetë të Rajonit. Por, para se të negociohet për lehtësim të tregtisë dhe tarifave, qeveria shqiptare duhet të jetë e qartë për të mbrojtur prodhimet e saj sidomos në sektorin e agropërpunimit.

Jaka tha se aktualisht Serbia e subvencionin tërësisht ciklin e prodhimit në bujqësi dhe agropërpunim, teksa kujtoi se qeveria ka akorduar vetëm 4 milionë euro subvencione në bujqësi këtë vit.

Të njëjtin shqetësim ka edhe Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të Prodhuesve, i cili thotë se Serbia i nxit bizneset e veta në strukturën e kostove dhe kjo është një arsye se pse qumështi serb, p.sh është më i liri në rajon. Ai shton se aktualisht qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Shkodra thotë se ekonomia shqiptare dhe bizneset janë shumë të pastrukturara nga brenda, ndërsa ata janë shumë më përpara dhe kjo na bën ne humbës, në rast të një hapjeje të mëtejshme të tregtisë.

Majlinda Bregu thotë se lehtësimi i tregtisë është një tjetër çështje e rëndësishme e Zonës Ekonomike Rajonale. 43% e eksportuesve e konsiderojnë administrimin doganor dhe procedurat e tregtisë si një barrierë të moderuar ose të madhe. Shpeshherë kamionët presin midis 7 dhe 48 orë në kufij si pasojë e procedurave doganore. Kostoja administrative për eksportet në 6 vendet e Ballkanit perëndimor varion nga 65 dollarë amerikanë në Shqipëri deri në 232 dollarë amerikanë në Kosovë

Pas miellit vërshon qumështi më çmim të lirë nga Serbia

Nga janari në shtator u importuan nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare 4,6 tonë qumësht i pasterizuar, duke zënë 38 për qind të totalit të importeve të qumështit me një vlerë mbi 2 milionë euro. Importues ishin fabrikat më të mëdha në vend, që e përdorën këtë produkt si lëndë të parë.

Produktet e Qumështit përbëjnë edhe kategorinë më sasinë më të lartë të importit në grupin e produkteve bulmetore, me një vlerë totale prej 6.1 milionë eurosh. Peshën kryesore e zë importi i nga Serbia me 38%, nga Italia me 30%, nga Bosnja 11% dhe Maqedonia e Veriut 9.7%.

Image

Çmimet e Qumështit nga vendet e Rajonit Janë shumë më të ulëta krahasimisht me koston e përpunimit të qumështit në vend, duke bërë që industria e përpunimit të qumështit të kërkojë lëndën e parë nga Rajoni, duke ushtruar një konkurrence të fortë për fermerët vendas.

Në vitin 2018 prodhimi i qumështit arriti në 138 mijë tonë, ndërsa këtë vit importet e qumështit ishin 13 mijë tonë deri në shtator ose mbi 8 për qind e totalit.

Sipas të dhënave nga doganat, të përpunuara nga Monitor, qumështi nga Serbia kishte vlerën më të lirë në raport me 15 vende të tjera, nga ku importohet ky produkt. Një kilogram qumësht u faturua me 47 lekë për kilogram, e ndjekur nga Kosova me 57,6 lekë për kilogram, Bosnja me 61 lekë për kilogram, Maqedonia me 62 lekë për kilogram.

Çmimin më të lartë e kishte qumështi i importuar nga Belgjika me 291 lekë për kilogram, Britania me 203 lekë për kilogram, Bullgaria me 178 lekë për kilogram. Importet më çmim ë lartë ishin në sasi të vogla.

Burimet nga tregu pohuan se importet e qumështit nga Serbia kanë pësuar rritje të ndjeshme këtë vit.

Shqipëria inferiore në sasi dhe cilësi të eksporteve

Eksportet në Ballkanin Perëndimor po zhvendosen nga produktet kryesisht themelore në ato të teknologjisë së mesme. Ndërsa eksportet e rajonit u rriten nga 8.0 miliardë dollarë në vitin 2000

në mbi 50 miliardë dollarë në 2017-en, përbërja e shportave të eksportit ndryshoi gjithashtu. Sipas të dhënave nga CEFTA (marrëveshja e tregtisë së lirë e Evropës Qendrore, tre kategoritë kryesore të produkteve të eksportuara nga rajoni në 2006 ishin hekuri, produkte çeliku, alumini dhe tekstili. Një dekadë më vonë, janë pajisjet elektrike, makineri dhe automjete, të cilat kryesisht janë produkte të drejtuara nga investime të Huaja Direkte që kërkojnë një shkallë më të madhe teknologjike dhe dijesh.

Mirëpo analizat e zhvillimit të tregtisë nga CEFTA tregojnë se ndryshimet në përbërjen e shportës së eksportit nuk kishin një ecuri të njëjtë për të gjithë Rajonin. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë shporta relativisht më pak komplekse eksporti, me produkte kryesisht gjysme të përpunuara dhe lëndë të para nga burimet natyrore si naftë bruto, minerale dhe ushqime të papërpunuara. Në krahun tjetër Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë shporta më të përparuara eksporti që përfshijnë një gamë të gjerë makinerish dhe pajisjesh, të cilat kanë bazat për përparim të mëtejshëm industrial në të ardhmen.

Rezultatet e ndryshme për eksportet e vendeve e Ballkanit janë rrjedhojë e politikave të ndryshme që vendet kanë ndjekur. Teksa Serbia dhe Maqedonia u përqendruan në hartimin e politikave agresive për tërheqjen e investitorëve në industrinë e automobilave me subvencione direkte, tre vende të tjera si Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi nuk ishin pjesë e këtyre përpjekjeve.

Me të njëjtën agresivitet, Serbia subvencionon bujqësinë. Ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit, që kanë fonde buxhetore limit për subvencionin e bujqësisë, qeveria Serbe e subvencionin të gjithë kërkesën e fermerëve. Për pasojë prodhimet bujqësore janë më të lirat në Rajon. Edhe pa u lehtësuar barrierat dhe tarifat tregtare, disa produkte Serbe si Mielli dhe Qumështi kanë vënë në vështirësi qindra biznese që operojnë në sektorët e përpunimit të këtyre artikujve.

Shqipëria deficitare në tregti me Serbinë 120 mln euro në vit

Teksa tre shtete të Ballkanit, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia po shkojnë drejt krijimit të një Mini-Schengeni ballkanik, Shqipëria në fakt ka lidhje më të forta tregtare me Kosovën, e vetmja me të cilën ka një bilanc tregtar pozitiv, çka nënkupton se Shqipëria eksporton më shumë sesa importon nga Kosova. Në të kundërtën, me Serbinë, Shqipëria ka një deficit të thelluar tregtar, për shkak se është shumë më pak konkurruese në pothuajse të gjitha produktet.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, të përpunuara nga Monitor, në Kosovë shkojnë 50% e eksporteve të Shqipërisë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është shteti i vetëm me të cilin Shqipëria ka një suficit të lartë tregtar prej rreth 150 milionë eurosh për 10 mujorin 2019. Produktet më të eksportuara drejt Kosovës, sipas INSTAT, janë nafta e mineralet dhe çeliku.

Në të kundërt, me Serbinë kemi një deficitit të fortë tregtar. Nga Serbia importojmë 49% të produkteve që marrim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për 10 mujorin, deficiti me Serbinë ishte rreth 100 milionë euro. Në bazë të kësaj tendence, për gjithë vitin 2019, drejt Serbisë vlerësohet se do të shkojnë neto rreth 120 milionë euro.

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2018, nga Serbia, produkti më i importuar ishin lëndët djegëse, me rreth 30% të totalit, e ndjekur nga drithërat, me rreth 19%. Hyrja e grurit e miellit të lirë nga Serbia vitet e fundit, jo vetëm që pothuajse çoi drejt falimentimit prodhuesit vendas të miellit, por ngriti shumë pikëpyetje edhe për cilësinë e drithërave që hynin. Serbia është një ekonomi më konkurruese (renditet e para në rajon në indeksin e Konkurrueshmërisë globale), ndërsa dhe shteti është i prirur për të ndihmuar industrinë vendase, përmes subvencioneve indirekte. Arben Shkodra, sekretar i Shoqatës Shqiptare të prodhuesve thotë se, qeveria serbe po harton një dokument për politikat industriale, që synon t’i bëjë industritë e saj më konkurruese. Tre produktet më të eksportuara në Serbi në 2018-n, sipas INSTAT janë lëndët djegëse, zarzavatet dhe veshjet e këmbëve.

Serbia ka të zhvilluar dhe eksportet e shërbimeve dhe sidomos të teknologjisë së informacionit.

Ndërsa me Maqedoninë, për 10 mujorin, importet ishin pothuajse të barabarta me eksportet, ndërsa vitet e mëparshme, Shqipëria ka rezultuar me deficit tregtar.

“Mini Schengeni Ballkanik”, është një nismë e prezantuar së fundmi nga tre shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kjo marrëveshje, sipas palëve do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit