1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ende pa u bërë kryeministër, vizat e dialogu e dërguan Kurtin në Paris

Rekomandime

Në rast se Albin Kurti do të zgjedhet kryeministër i ri i Republikës së Kosovës pas një marrëveshje politike me LDK’në e Isa Mustafës, prej çështjeve më problematike që do të përballet do të jenë liberalizimi i vizave dhe gjithashtu edhe faza finale e dialogut me Serbinë.

Edhe përkundër se kryeministri aktual në detyrë, Ramush Haradinaj, muajt e fundit ka thënë se liberalizimi ka ndodhur e madje kishte filluar edhe të uronte nëpër konferenca për shtyp, situata në terren nuk është aspak e mirë. Gjithashtu Kurti nga Haradinaj do të trashëgojë edhe një proces të dialogut i cili është i bllokuar prej një viti si pasojë e taksës.

- Advertisement -

E për këto dy çështje brenda shteteve anëtarë në BE ka disa mospajtime për mënyrën se si do të duhet të procedohet tutje.

Sa i përket dialogut, prej shteteve me të fuqishme vetëm Gjermania ka dalë kategorikisht kundër idesë për korrigjim të kufijve, ndërkohë presidenti i Francës, Emanuel Macron, asnjëherë nuk është deklaruar qartazi sa i përket kësaj ideje dhe si duhet proceduar tutje me negociatat Prishtinë-Beograd.

E njëjta vlen edhe për liberalizimin e vizave, gjë të cilën kosovarët ka disa vite që e presin.

- Advertisement -

Përveç Gjermanisë, asnjë prej shteteve të tjera anëtare nuk ka një qëndrim të qartë nëse Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat së shpejti. Madje Franca e Emanuel Macronit është kundër, pasi siç thonë ata Kosova duhet t’i plotësojë kushtet të cilat lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke parë këtë situatë, Albin Kurti, ende pa e marrë zyrtarisht postin e kryeministrit, si fitues i zgjedhjeve, ka realizuar udhëtime jashtë vendit. Ka qëndruar në Britani të Madhe kohë më parë, ndërsa për dy ditë rresht ka qëndruar në Francë, vendin që përveç liberalizimit të vizave për Kosovën, është duke shkaktuar probleme edhe sa i përket politikave të zgjerimit të BE’së.

- Advertisement -

Në gjithë këto takime, Kurti ka takuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, ministri i së cilës kohë më parë ka thënë se “Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë liberalizimin e vizave”

Më 7 nëntor ka takuar kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Francës, Marielle De Sarnez, me të cilët kanë diskutuar për zgjedhjet e 6 tetorit, planet e qeverisë së re dhe për thellimin e raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Përveç De Sarnez, Kurti dje ka takuar edhe tre këshilltar të presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Në pallatin e Elyses ka takuar këshilltarin për Evropë dhe G20,Clément Beaune, Këshilltarin zëvendës përgjegjës për Evropë,Alexandre Adam, si dhe Këshilltarin për Çështje Strategjike, Etienne de Gonneville.

Kurti në këtë takim u ka shpjeguar atyre ndryshimin politik që ka ndodhur më 6 tetor dhe për synimet e Kosovës për të bërë reformë në sistemin e drejtësisë, gjë të cilën Franca edhe e kërkon si kusht për t’u plotësuar sa i përket liberalizimit të vizave.

Ndërsa dje ka takuar gjithashtu në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, ka takuar Drejtorin për Evropën Kontinentale, Frederic Madndoloni, Shefin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor, Thomas Bertin, dhe, Drejtorin e Kabinetit të Ministrit të Çështjeve Evropiane,Vincent Guerend.

Në këto takime kanë diskutuar për thellimin raporteve bilaterale dhe për zhvillimet politike në Ballkan.

Përveç çështjes së liberalizimit të vizave, Franca është edhe një prej fuqive evropiane e cila luan edhe rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, çështje kjo më të cilën gjithashtu do të përballet Kurti sapo të ulët në karrigen e kryeministrit, dhe me shumë gjasë tema e negociatave me Serbinë ka qenë edhe arsyeja kryesore e takimit të Kurtit me tre këshilltarët e presidentit të Francës, Emanuel Macron.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit