1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Fati i shoferit mes Kroacisë dhe Kosovës, çfarë mund të ndodhë tash me të?

Rekomandime

Shoferit të autobusit i cili të dielën herët në mëngjes lëvizi fatalisht jashtë një autostrade në Kroaci, përveç me gjendjen e tij emocionale, tani do t’i duhet të përballet edhe me procedurën penale, fundi i së cilës mund ta çojë në burg për 15 vjet, sipas kodit penal të Kroacisë. Në rast të dënimit, Ministria e Drejtësisë tha se ai do të mund ta vuante atë në Kosovë vetëm nëse këtë do ta kërkonte shteti kosovar dhe për këtë do të pajtohej Kroacia.

- Advertisement -

Mbrëmë ishte nata e dytë që fjeti në qeli shoferi i autobusit të “Deva Tours”, nga përmbysja e të cilit afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci dhjetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Një çast gjumi gjatë vozitjes u tha se mund të ishte shkaku i tragjedisë së të dielës që erdhi pasi autobusi doli jashtë autostradës, por këtë e mohoi sot avokati i shoferit, i cili vetëm sot mundi ta ndërronte këmishën e tij me njolla gjaku.

Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod vendosi sot një masë paraburgimi prej 30 ditësh ndaj drejtuesit të autobusit, për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndaj shoferit mund të shpitohet dënimi me burgim nga tre deri në 15 vjet, sipas Kodit Penal në Kroaci.

Kosova nuk ka marrëveshje me Kroacinë për transferimin e të dënuarve. Nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë, në një përgjigje për Gazetën Express thanë se 52-vjeçari, i cili është shtetas i Kosovës, mund të transferohet për ta vuajtur dënimin në Kosovë, në rast se për këtë pajtohet shteti kroat.

- Advertisement -

“Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë nuk kanë marrëveshje dypalëshe për Transferimin e Personave të Dënuar, por ligji i Kosovës e përcakton se nëse shteti tjetër pajtohet (garanton në reciprocitet), personi i dënuar mund të transferohet për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

- Advertisement -

Pas seancës së sotme ku u mor vendimi për paraburgimin e shoferit, avokati i tij, Igor Cishper nga zyra ligjore e avokatit të njohur kroat, Ljubo Pavasoviq Viskoviq, tha se klienti i tij kurrë askujt s’i kishte thënë se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes.

“Shoferit i vjen shumë keq. Me sa di unë, ai kurrë nuk i tha askujt se e kishte zënë gjumi. Ai m’i tregoi disa gjëra, por unë do t’i mbaj për ne”, tha avokati Cishper.

Por të dielën, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha se shoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.

“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë”, deklaroi Pranjiq.

Gjykatësi hetues, i cili e mori vendimin për paraburgim, shpjegoi se marrëveshja që Kroacia ka me Kosovën për bashkëpunimin në procedurat penale nuk parashikon ekstradimin e qytetarëve për shkak të ndjekjes penale. “Procedura do të kryhet në Kroaci. Sidoqoftë, ekziston një mundësi ligjore që ajo të zhvillohet në Kosovë, por kërkon pëlqimin e të dy palëve, nuk i takon mbrojtjes të vendosë “, thotë ai.

Gjykatësi hetues i cili e mori vendimin për paraburgimin e shoferit kosovar, Mile Soldo, shpjegoi para mediave atje se marrëveshja që Kroacia e ka me Kosovën për bashkëpunim në procedurat penale nuk parashikon ekstradimin e qytetarëve për shkak të ndjekjes penale.

“Procedura do të kryhet në Kroaci. Sidoqoftë, ekziston një mundësi ligjore që ajo të zhvillohet në Kosovë, por kërkon pëlqimin e të dy palëve, nuk i takon mbrojtjes të vendosë”, u shpreh ai.

Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kroaci tha të hënën se i dyshuari ishte i lodhur dhe i paaftë për të vozitur i sigurt në kohën e aksidentit.

Një seancë tjetër u mbajt pasdite, ku në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan disa pasagjerë.

Shoferi ishte dërguar i prangosur dje në Prokurori, ku kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje.

Çfarë është vërtetuar deri më tani nga inspektimi i aksidentit?

Policia kroate tha të dielën se në orën 6:19 të mëngjesit kishte pranuar raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë kishte dalë nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.

Josip Mataija, shef i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kroaci së fundmi ishte mysafir në televizionin N1 ku foli drejtpërdrejt për aksidentin në të cilin vdiqën 10 shtetas të Kosovës. Ai tha se tragjedia do të ishte më e vogël nëse udhëtarët do të ishin lidhur me rripin e sigurisë.

“Një pjesë e udhëtarëve dolën nga autobusi. Nëse ata do të kishin qëndruar në automjet, tragjedia do të ishte më e vogël. Autobusët nga viti 2008 duhet të kenë rripa sigurimi. Ky autobus kishte rripa sigurie, por mesa duket disa pasagjerë nuk i përdorën ata”, u shpreh ai.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku disa prej tyre po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ndërsa disa u dërguan në Zagreb.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, është në mesin e të vdekurve, bashkë me nëntë pasagjerë. I biri i tij tha ditën e tragjedisë se babai i ti ka rreth tetë muaj që ka filluar punën në këtë kompani. Ai tha se shoferët pushonin vetëm atë mbrëmje që kishin mbërritur në Gjermani dhe në mëngjes sërish ishin nisur për në Kosovë.

“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, veç atë mbrëmje kanë pushuar dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë. Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka thënë Sylmetaj për REL.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli të hënën e kësaj jave ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte të dielën në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod.

Disa nga ata që shpëtuan pa shumë pasoja nga kjo tragjedi, tashmë janë nisur drejt Kosovës nga Osijeku i Kroacisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se pritet që sot të vijnë në Kosovë edhe trupat e pajetë të viktimave.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit