1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

FOTOT/ Vizita e parë e James Belushit në Korçë dhe rrëfimi i tij: Qava kur shkela në fshatin e tim ati dhe që Xhoni s’e pa kurrë

Rekomandime

Kjo intervistë është botuar kur aktori i mirënjohur shqiptar James Belushi vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe rikthimi në fshatin e tij Qytezë, Korçë. Belushi ka treguar emocionet e takimit me familjarët e vet dhe sa krenar ndjehet që është shqiptar.

- Advertisement -

Më poshtë një pjesë nga intervista, e sjellë nga dritare.net

Nga Rudina Xhunga

Në Rinas deklamuat, porsa mbërritët: “Jam Shqiptar”. Ç’do shtonit para se të ikni?

- Advertisement -

Jam Shqiptar. Kjo është e gjitha. Unë nuk deklamova. Thashë çfarë ndjeva. Pra, ishte ndjesi ajo që shpreha në Rinas. Tani është më shumë se ndjesi. Është një e vërtetë.

Në Qytezë ju i kërkonit grupit të televizionit, herë pas here të mos ju filmonte. Pse?

- Advertisement -

Sepse nuk filmohet dhembja. Mua më dhembte mosnjohja më parë e atij vendi ku im atë kishte lindur; atij fshati të bukur, me male të lartë, me hënën që të dukej sikur futej bashkë me ty në shtëpi. Mua më dhemb vëllai Xhon që nuk mundi të vijë. Më dhemb shtëpia e prishur. Këto nuk doja të filmoheshin. Ne ishim gjithashtu në Sinicë, fshatin e tim kushëriri. Ai hyri me kalë në shtëpinë që ende mbahej dhe qau. Qamë të dy. Gjetëm aty një djep të vogël që e kemi marrë me vete.

Po djali juaj 14 vjeçar mundi të prek e të kuptojë dhimbjen e babait?

Ah, do t’ju tregoj diçka unikale. Dhe është ky fakti më i rëndësishëm i këtij udhëtimi. Unë gjithmonë kam qenë i interesuar ta njoh Robertin me gjenezën e tij. Për këtë i flisja vazhdimisht. Kur arritëm në Korçë, vizituam Qytezën, pamë shtëpinë e prishur, ai më shoqëroi në çdo moment. Natën tek flinte, kushëriri im i dëgjoi tek tha shqip: “Ku është shtëpia ime”?

Kjo është për mua sa e çuditshme dhe emocionuese. Roberti kurrë më parë s’ka folur shqip dhe foli në ëndërr. Kërkoi shtëpinë në gjuhën e të parëve. Kjo i jep përgjigje pyetjes suaj sa mundi ta prekë ai dhimbjen dhe mallin e babait, e jo vetëm kaq.

Dhe Xheni është ndjerë po kaq mirë?

Xheni është mikesha ime, që unë e mora me vete në këtë udhëtim njëjavor, për të njohur edhe ajo origjinën time. Plakat në Korçë e pëlqyen shumë. Vetëm e puthnin dhe më pyesnin: “Çupka?”. Çupka ju thosha. Kështu u ngatërruam pak.

Kur patë Qytezën, për ndonjë moment falënderuat babain tuaj që emigroi?

Nuk është pikërisht kështu. Unë e falënderova tim atë që ngulmoi të vinim në Shqipëri. Këtu preka nga afër të vërtetën: “Për të vajtur tek e ardhmja kalohet nga një e shkuar.”

Si ju trajtuan në Shqipëri; me dashuri si vëlla, apo me kureshtje si aktor amerikan?

Në Tiranë u organizuan disa pritje për mua. Pritja nga Presidenti. Një festë tek Disko “Albania”, një drekë te “Piazza”, dhe kjo darkë e fundit tek “Rogner”. Shtypi më shoqëroi kudo, madje dhe këtë darkë nëse do lahesha në pishinë, ju do e shkruanit.

Në fakt, e pritshme ishte nga ju një “çudi” e vogël që do kujtohet pas ikjes.

Mos doni të rrëshkas nga maja e Piramidës poshtë? Në të vërtetë kjo do të më duket interesante (qesh). Unë nuk jam njeri i skandaleve. Pak më pëlqen të tërheq vëmendjen. Gjërat e thjeshta më tërheqin. Ndaj u kënaqa në Korçë, kur njerëzit më rrethuan, u përqafuan me mua, u ulëm bashkë në një kodër, kënduam me kitarë dhe pimë raki. Qe bukur, shumë bukur.

Ju shkuat në teatrin e Korçës dhe do të na tregoni se…

Se aty u kënaqa shumë. Në studio folëm e folëm në bashkëbisedim kolegësh. Hipëm në skenë dhe u ndjeva si në shtëpinë time. Pashë fotografitë e zhvillimit të teatrit dhe u kënaqa për traditën e teatrit korçar. I dhashë të drejtë babait kur përsërit: “Po është artist, është korçar”. Pashë se në Korçë ishte luajtur dhe “Otello” që për mua është një rol i preferuar.

Duke pasur pikë të dobët kinokomedinë, po aq pëlqej edhe tragjedinë. Lotët dhe gazin i ndan diçka e padukshme. Për shembull, kur shkuam në Sinicë, papritmas u ngatërruam dhe kujtuam se ishim në Qytezë. Unë nisa të qaj. Kur kuptuam që ishim në Sinicë, nisi të qaj kushëriri im, i cili është prej andej. U krijua për një moment një gjendje humori.

Vëllai juaj Xhoni kaq shumë i këndshëm ishte sa ju?

Unë e adhuroja natyrën e tij, portretin e tij. Kush e takonte për herë të parë, kënaqej dhe vetëm qeshte. Ndërsa mua shumë-shumë, mund të më thonë: “E po mirë po të ftoj për kafe”.

Kur të shkoni në Amerikë, do përsërisni po këto që thatë për gazetën?

Padyshim. Madje do shtoja që këtu ka vajza shumë të bukura.

Tek disko”Albania” kërcyet vetëm me mikeshën tuaj. Asnjëra nga Miss-et s’ju tërhoqi vëmendjen?

Monika Zguro. Ajo është shumë e gjatë, siç është koncepti i tanishëm për Miss-in. Por, edhe në Qytezë kishte vajza shumë të bukura. Mua në Qytezë më bëri përshtypje një djalë hipur mbi gomar, të cilën e ndalova për t’i dhënë një bluzë “Vëllezërit Bluez”. Ai e mori, falënderoi dhe u largua. M’u duk shumë dinjitoz. Unë në Amerikë do tregoj se njoha këtu kushërinjtë e mi, njoha familjen e mrekullueshme të Timos, i cili më shoqëroi si mik dhe koleg. Unë do tregoj në Amerikë se mësova shumë më tepër për James Belushin. U zgjerua cikli i njohjes së vetvetës, i cili s’ka kuptim pa njohur truallin e origjinës.

Po profesionalisht ç’mësuat më shumë për veten?

Kam kuptuar prej kohësh se Xhon dhe James Belushi kishin diçka të veçantë, që i dallonte prej amerikanëve. Kjo dhe na ka bërë të suksesshëm. Këtu në Shqipëri kuptova se ajo që na dallon është shpirti. Shpirti shqiptar është unikal.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit