2.2 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Gati dy vjet pa humbje, a po e përkundim sonte edhe djepin e futbollit?

Rekomandime

Humbja e fundit në garat zyrtare: Portugalia? Qershor 2018. Franca? Qershor 2019. Anglia? Qershor 2018. Gjermania? Katër ditë më parë. Kosova? 9 tetor 2017, ose ndryshe që 701 ditë, po, po, e lexuat mirë 701 ditë!

- Advertisement -

Kosova është duke kaluar momentet më të mira të mundshme, derisa ëndrra për një kualifikim në Euro 2020 nuk do të jetë vetëm një ëndërr, pasi siç po rrjedhin gjërat një Kombëtare e re e cila u pranua vetëm para tre viteve në UEFA e FIFA pritet të jetë pjesë e një kompeticioni si Kampionati Evropian.

Dardanët sonte do të takohen me Anglinë në stadiumin e “shenjtorëve”, me ndeshjen që është e vlefshme për Grupin A të kualifikueseve të Euro 2020.

Kosova në këtë takim hynë pas fitores që e arriti ditë më parë në Fadil Vokrri ndaj Çekisë me rezultat 2-1 dhe duhet theksuar që ‘Dardanët’ janë pa humbje në 15 ndeshjet e fundit.

- Advertisement -

Të gjithë ishin skeptik që mund ta mposhtim Çekinë pa lojtarët si Zeneli, Rashica, Kololli, Shala e Kryeziu, por Challandes në skuadër ka lojtarë të uritur për ta treguar veten dhe që japin çdo gjë për fanellën e Kombëtares.

- Advertisement -

Mjafton ta shohim festën e Anel Rashkajt, i cili edhe pse u aktivizua vetëm pak minuta, ishte në qiellin e shtatë pas vërshëllimës së fundit ndaj Çekisë.

Valon Berisha mezi priste që të hynte në fushë për ta treguar veten pas një kohe të gjatë. Ai dha një asist brilant për Vojvodën, i cili ia futi përmasë Çekisë për fitoren e madhe të Kosovës.

Samir Ujkani është shembull i një kapiteni, ai vazhdimisht motivon dhe përkrahë skuadrën edhe pse nga banka rezervë. Në ndeshjen e fundit ai dhe Atdhe Nuhiu kohë pas kohë luanin rolin e trajnerit duke dhënë instruksione në minutat e fundit.

Këto raste janë vetëm për t’ia kujtuar të gjithëve se në Kombëtare nuk ka asnjë inat ndërmjet lojtarëve dhe se nuk ka rëndësi kush luan, por vetëm suksesi i skuadrës pasi të gjithë po e ëndërrojnë Kampionatin Evropian.

701 ditë pa humbje!

Kosova pas humbjes nga Islanda filloi bilancin pozitiv duke mposhtur Letoninë, Madagaskarin dhe Shqipërinë në kuadër të ndeshjeve miqësore para se të fillonte aventurën në Ligën e Kombeve, shkruan Reporteri.net

Azerbajxhani, Malta dhe Ishujt Faroe ishin skuadrat e radhës që do t’i mposhte Kosova në kuadër të Ligës së Kombeve. Kështu u bënë 405 ditë pa humbje. Llafet ishin të shumta, ‘S’kemi lujt akoma me shtete të forta’.

Kundërshtari i radhës ishte Danimarka në një ndeshje miqësore. Ndoshta ishte momenti për humbjen e parë duke u bazuar në cilësinë e danezëve, por kështu nuk menduan djelmoshat e Challandes.

Ndeshja përfundoi baras 2-2, por mesazhi Eriksenit pas ndeshjes tregoi se neve nuk na thonë kot ‘Brazili i Ballkanit’.

“Unë do t’i tregoj lojtarëve të Anglisë se Kosova është shumë e rrezikshme,” kishte thënë Eriksen pas ndeshjes.

Pas Danimarkës, Kosova zhvillon edhe katër ndeshje, dy me Bullgarinë, një me Malin e Zi dhe një me Çekinë. As këtu ‘Dardanët’ nuk pësojnë humbje duke arritur dy fitore dhe dy barazime. Kështu u bënë hiq më pak se 701 ditë pa humbje.

Por, tani është testi më i vështirë, pasi luajmë kundër djepit të futbollit, Anglisë, e cila pavarësisht se është super favorite, trajneri i tyre, Gareth Southgate na ka vlerësuar lartë si Kombëtare.

Se a do ta përkundim edhe djepin e futbollit dhe të vazhdojmë pa humbje mbetet të shihet sonte ku me fillim nga ora 20:45 ‘Dardanët’ do të përballen me ‘Tre Luanët’ në stadiumin e Southamptonit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit