1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Gaz lotsjellës për ta ndalur Driton Selmanajn? VV-ja nuk i tregon masat kundër zëvendëskryeministrit

Rekomandime

Partia e Albin Kurtit për vite me radhë e kishte përdorur gazin lotsjellës si masë kundërshtuese për vendimet e pozitës. Paralajmërime se mund të ketë veprime për të ndaluar Qeverinë kanë bërë edhe dje zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje.

- Advertisement -

Kësaj radhe, LVV-ja do të organizohet për të mos lejuar që në sallë të futet zv.kryeministri Driton Selmanaj. Se a do ta kthejnë gazin në Kuvend, apo çfarë masa do të marrin nuk kanë treguar në këtë subjekt të pyetur nga Gazeta Express.

Pozita dhe opozita, saktësisht dy ish-partnerët e koalicionit LVV-ja dhe LDK-ja e kanë kthyer diskutimin për këtë çështje në përplasje fizike, derisa, pas kësaj tollovie është ndalur seanca.

Shkak u bë një fjalim i deputetes së LVV-së, Saranda Bogujevci, derisa gjatë kohës sa ajo po fliste shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi po i reagonte nga ulësja e tij. Kjo ka bërë që Bogujevci të kërkonte nga ai që të mos ia përmendte familjen.

- Advertisement -

Megjithatë, brenda sallës së Kuvendit nuk ka përfunduar krejt diskutimi për këtë temë.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i ftuar në emisionin Pressing në T7 teksa ka folur për të pagjeturit, ka deklaruar nuk duhet të politizohen këto tema.

- Advertisement -

“Jemi lodhur me gjëra të tilla”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate janë rritur edhe më shumë reagimet ndaj Selmanajt. Vetëvendosja e shoqëria civile kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit.

Në seancën e djeshme, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar përmes deputetit Liburn Aliu që Selmanaj të lirohet nga detyra.

“Jeni dëshmitarë të reagimeve qytetarë që me të drejtë janë fyer e janë të lënduar nga këto qëndrime pikërisht kur vijojnë negocimet me Serbinë e Vuçiqit. Çdo ditë që kalon pa marrë masa për largimin e Driton Selmanaj nga pozicioni i zëvendëskryeministri i Kosovës është dëmtim përveçse edhe fyerje për viktimat e krimeve të Serbisë në Kosovë. Ndaj, i apostrofuari këtu në Kuvend nuk është i mirëseardhur dhe ky është qëndrimi ynë. Në solidarizim me indinjatën e thellë të qytetarëve dhe familjarëve të viktimave presim që sa më parë të njëjtin ta largojnë, shkarkojnë nga pozicioni që zyrtarisht e mbanë”, u shpreh Aliu dje.

Pasi që nga Qeveria nuk iu përgjigjën kësaj deklarate të Aliut për shkarkimin, deputeti tjetër i LVV-së, Dimal Basha ka njoftuar se do të reagojnë duke mos e lënë të futet në sallë Selmanajn pas përplasjeve.

“Si Grup Parlamentar kemi vendosur që të refuzojmë të lejojmë vazhdimin e çfarëdo seance plenare ku është i pranishëm Driton Selmanaj. Për ne si Lëvizje, ky njeri është i papranueshëm në Kuvend! Çështja e të pagjeturve nuk është çështje e një subjekti politik apo individi te caktuar, por është problem dhe dhimbje që prek të gjithë qytetarët e kësaj Republike”, ka thënë ai.

Aliu e Basha nuk e kanë sqaruar se çfarë masa do të marrin për t’ia ndaluar hyrjen në Kuvend të Kosovës, Driton Selmanajt.

Njësoj kanë vepruar edhe deputetët tjerë të këtij subjekti, që nga studiot televizive deklaruan se do të kujdesen për t’i përdorur të gjitha mjetet që ai të mos jetë pjesë e seancave tjera në Kuvend.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Lëvizjen Vetëvendosje për të parë saktësisht se cilat veprime do t’i marrin dhe a mund të kthehet gazi lotsjellës.

Deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kanë folur në partinë e Albin Kurtit. Këtyre deklarimeve nuk iu janë përgjigjur as në ekzekutiv.

Rrjedhimisht, nuk është saktësuar ende se a do të mund të shohin qytetarët përsëri gaz lotsjellës në seanca.

Një veprim i tillë i Lëvizjes Vetëvendosje ishte përsëritur disa herë vite më parë derisa për këtë çështje disa deputetë të këtij subjekti kanë pasur edhe probleme me ligjin.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LVV-ja kishte mohuar se do ta kthejë gazin në Kuvend në ditën e votimit të Avdullah Hotit kryeministër.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit