Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia për çështjen e bashkëpunimit në shumë fusha, përfshirë atë të energjetikës. Ndër të tjera është përmendur edhe integrimi euroatlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë shkas nga një deklaratë e tillë, Haradinaj i ka bërë thirrje dhe një herë Qeverisë Kurti që të shqyrtojë edhe një herë çështjen e gazsjellësit, meqë kreu i AAK-së thotë se nuk është vetëm çështje gypash.
Ai thotë se ata që e shohin vetëm në këtë aspekt janë shkurtpamës dhe sabotues të orientimeve perëndimor të Kosovës.
“E vlerësoj lartë qëndrimin e përbashkët të qeverive të SHBA dhe Greqisë për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, ku në mënyrë të veçantë specifikohet edhe Kosova, apo edhe gazsjellësi amerikan, e që është i një rëndësie të jetike për ne si shtet i ri”, ka shkruar Haradinaj.
“Kjo na obligon që t’i kryejmë detyrat tona që rrugën e integrimit ta bëjmë sa më të lehtë e sa më të shkurtër.
Kjo nënkupton poashtu që Kosova të mbështes të gjitha projektet që e afrojnë Kosovën sa më afër BE-së e NATO-s, duke përfshirë këtu edhe gazsjellësin amerikan, projekt ky i një rëndësie strategjike dhe ekonomike, që do të garantonte edhe sigurinë energjetike të vendit tonë. Justifikimet banale të qeverisë së Kosovës për refuzimin e këtij projekti, se kjo është “çështje e disa gypave”, janë jo vetëm shkurtpamëse, por edhe sabotim i orientimeve properëndimore e euroatlantike të Kosovës”, ka vazhduar tutje.
“Prandaj i bëj thirrje edhe një herë qeverisë së vendit tim që të kthjellohet e të mos vendosë pengesa në rrugën e pakthim euroatlantike të Kosovës!”, ka thënë në fund ish-kryeministri.