8.3 C
Pristina
Tuesday, March 26, 2024

Gjenden baktere vdekjeprurëse në restorantin ku dyshohet se u helmua gruaja që vdiq në QKUK

Rekomandime

Një grua ka vdekur në QKUK këtë të hënë. Ajo ishte duke u trajtuar aty qe një muaj. Familja e saj po e fajëson një restorant në Prishtinë, nga ushqimi i të cilit dyshohet se H.Sh. ishte helmuar. Policia ka nisur hetimet, ndërkaq nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë mostra për testim nga restoranti, disa nga të cilat kanë rezultuar me bakterin Escherichia Coli, bakter ky që mund të shkaktojë edhe vdekjen, shkruan Express

- Advertisement -

Dreka që e kishte ngrënë në një të pame në fshatin Trudë të Prishtinës, dyshohet se shkaktoi helmimin e e më pas vdekjen e H.Sh.

Pas ngrënies, ajo kishte filluar të ketë shqetësime shëndetësore. Simptoma të tilla kishin edhe rreth 80 persona të tjerë që kishin shkuar për ngushëllime.

Në fillim dyshohej se ishin të infektuar me Covid-19, për çka u testuan, por pas analizave, doli se ishin të helmuar nga ushqimi.

- Advertisement -

Ky ushqim ishte porositur në një restorant në Prishtinë, më 3 shtator, ndërkaq shqetësimet shëndetësore të ata që kishin ngrënë ushqimin e porositur nga restoranti, u shfaqën në orët e para të mëngjesit të 4 shtatorit.

Gjendjen më të rënduar nga të gjithë të helmuarit e kishte H.Sh. ajo u trajtua në QKUK për gati një muaj, ku edhe vdiq pasditen e së hënës.

- Advertisement -

Bashkëshorti i saj ka hapur rast në polici, ndërkaq me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

“QKUK, Prishtinë 04.10.2021 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga ushqimi në restorant dhe e njëjta është varrosur me datën 5.10.2021 pa u bërë obduksion. Është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij fillojnë procedurat hetimore dhe është iniciuar rasti si më lart”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Përveç Policisë dhe Prokurorisë, hetime ka kryer edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka deklaruar për Express se personat e helmuar kanë konsumuar pleskavicë me sos, mish të kuq, mish të bardhë dhe sallatë mikse.

“Agjencia e Ushqimit me datë 05.09.2021 (e diel) ka pranuar informatën nga Policia e Kosovës për një rast dyshimi ne helmim në fshatin Trudë. Sipas intervistimit paraprak rezulton që pas një organizimi familjar, personat kanë konsumuar ushqim nga shërbimi me dërgesë. Ekipi inspektues së bashku me Policinë e Kosovës si dhe mostruesin nga IKSHPK, menjëherë kanë nisur hulumtimin. Bazuar në informatat nga disa prej personave të dyshuar në helmim rezulton se po të njëjtit kanë konsumuar pleskavicë me sos, mish të kuq, mish të bardhë, si dhe sallatë mikse. Konsumi i këtyre produkteve ka ndodhur me dt. 03.09.2021 rreth orës 15:00. Ndërsa shqetësimet e para shëndetësore kanë filluar rreth orës 00:00-01:00 të datës 04.09.2021. Sipas të dhënave nga institucionet shëndetësore së pari personat në fjalë janë referuar për teste Covid”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se në inspektimet që janë kryer në restorant është konstatuar se kushtet higjienike-sanitare kanë qenë në nivel mesatar.

Ai ka bërë të ditur se ka pasur mundësi për kontaminim të kryqëzuar, pasi në të njëjtën hapësirë janë ruajtur produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë.

“Bazuar nga këto të dhëna ekipi inspektues e sipërpërmendur doli ne vendngjarje dhe konstatoi: Në inspektim të kushteve të përgjithshme higjiene sanitare u vlerësuan në nivel mesatar, shumica e hapësirave janë të ndërtuara nga material qe lehtë pastrohet dhe mirëmbahet, por kishte mundësi të kontaminimit të kryqëzuar, pasi që në të njëjtën hapësirë ruhen produktet e gatshme për konsum me produktet-lëndë të parë. Djathi, sosat ishin shumë afër vezëve, pa asnjë ndarje fizike, gjë që paraqet mundësi për kontaminim. Ruajtja e majonezit, jo adekuate, ku sipas prodhuesit duhej ruajtur në temperaturë 5-10 °C, ndërsa mbahej ne temp ambienti”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi bëri me dije se restoranti ishte mbyllur përkohësisht, për të parandaluar helmimin e personave të tjerë, deri në identifikimin e plotë të faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim.

“Për të penguar edhe persona të tjerë mund të helmohen dhe bazuar ne te dhënët faktike ne vendngjarje subjekti është mbyllur përkohësisht, deri ne identifikimin e plote dhe te sakte të faktorit ose faktorëve që kanë mundur të ndikojnë në helmim. Subjekti është urdhëruar të beje përmirësime ne kushtet higjienike, kushte të ruajtjes, sistemim dhe organizim te produkteve bazuar ne natyrën dhe destinimin e tyre, eliminimin e plote te të gjitha mundësive që mund të konvertohen ne kontaminim të kryqëzuar, dhe ne fund të kryhej DDD”, ka deklaruar Thaçi.

Ai tha se janë marrë gjashtë mostra nga ushqime të ndryshme dhe 15 strisho nga ambientet e kuzhinës dhe mjetet e punës.

Katër nga këto strisho kanë rezultuar me Escherichia Coli dhe gjashtë me baktere të gjalla.

“Nga 15 strisho të marra, 4 prej tyre rezultojnë pozitive në: Strisho nga rubineti ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga ena plastike 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga dërrasa për prerjen e ushqimit ˃ 300 cfu/cm 2 Escherichia Coli; Strisho nga kapësja e sallatës 50 cfu/cm 2 Escherichia Coli”

“Ndërsa nga 6 mostrat e ushqimit të marra në momentin e inspektimit kemi rezultatet si në vijim: Sallatë domatesh- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˃ 300 cfu/gr, Bakterie koliforme 1200 cfu/gr; Sallatë e gjelbër- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile 1500 cfu/gr; Sallatë lakre- Nr i përgjithshëm i bakterieve të gjalla mezofile 1200 cfu/gr; Sos i mishit të kuq – Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr; Mish i bardhë i pjekur – Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr; Gjellë (Gullash)- Nr i përgjithshëm i baktereve të gjalla mezofile ˂ 10 cfu/gr”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se pas afatit të dhënë dhe daljes së analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, është ri-inspektuar restoranti, nga ku është konstatuar përmirësim i kushteve sipas urdhëresave dhe i njëjti me vendim të inspektorit është rihapur.

Thaçi tha se sipas ligjit të ushqimit dhe akteve tjera nën ligjore ndaj subjektit ne fjalë është iniciuar fletëparaqitja për gjykatë.

“Në bazë të konstatimit dhe shqyrtimit të gjendjes faktike gjatë inspektimit subjekti afarist ka bërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi të cilat përbëjnë kundërvajtje. Përkatësisht shkeljen: nenit 15 paragrafi 1, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin, që konsiderohet shkelje dhe përbënë kundërvajtje në bazë të nenit 46 paragrafit 3 nënparagrafit 3.2 të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin, si dhe nenit 7, nenit 8, nenit 9, nenit 10 dhe nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-016 Për Ushqimin, që konsiderohet shkelje dhe përbënë kundërvajtje në bazë të nenit 46 paragrafit 1 nënparagrafit 1.2 të Ligjit Nr. 03/ L-016 Për Ushqimin”, ka deklaruar Thaçi./GazetaExpress/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit