11.4 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Gjeneral Rama: Ushtria është e gatshme

Rekomandime

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka bërë të ditur për portalin Front Online se i ka nën menaxhim afër 3 mijë trupa.

- Advertisement -

10 % e tyre, siç tregoi ai, janë nga minoritetet me punën e të cilëve është i kënaqur.

“Aktualisht i kemi rreth 3000 mijë që varion 10 % për shkak të lëvizjes se personelit që mund të ketë pensione të parakohshme dhe pensione të rregullta. Por i kemi aktualisht 2785 trupa aktiv. Sa i përket komuniteteve i kemi, po flas me % se nuk është etike të flas me numra.

I kemi mbi 10 % te minoriteteve duke përfshirë edhe komunitetin serb. Jemi te kënaqur me angazhimin dhe integrimin e tyre brenda për brenda institucionit tonë”, u shpreh ai.

- Advertisement -

Gjeneral Rama: Ka presion nga Serbia ndaj pjesëtarëve të FSK-së të këtij nacionaliteti

Rrahman Rama, komandant i FSK-së, e pranoi se disa trupa të FSK-së të minoritetit serb, janë larguar nga detyra shkaku i presioneve nga jashtë.

- Advertisement -

Ky presion megjithëse ekziston akoma, sipas tij, ka rënë ndjeshëm muajve të fundit

“Kemi pasur dhe ka qenë edhe debat. Fatkeqësisht një pjesë e tyre janë liruar nga detyra për shkak të presioneve që kanë ardhur nga jashtë. Me ata që janë në shërbim, nuk kemi asnjë problem, janë shume mirë të integruar, i kryejnë të gjitha detyrat. Të jemi real presionet nuk janë në atë nivelin që kanë qenë më herët.

Tash më shume në atë kuptimin mes rrjeteve sociale, disa presione që ju bëhen individëve dhe disa pjesëtareve tonë.

Nuk mund te them që është në nivelin që ka qenë më herët.

Është në nivel më të ultë, por kohë pas kohe, kanë presione”, tregoi ai për Front Online.

Komandant Rama: S`ka kufizim që ia ndalon FSK-së shkuarjen në veri

FSK-ja nuk ka asnjë kufizim që ia ndalon shkuarjen në veri të vendit.

Këtë garancë e dha i pari i kësaj force, gjenerali Rrahman Rama, në një intervistë për portalin Front Online.

Si dëshmi përmendi dy raste.

“S`kemi as një kufizim, as nuk kemi pas as kërkesë që të intervenojmë. Kemi pasur dy operacione në pjesën veriore, një në liqenin e Ujmanit, një në lumin Ibër. Jemi koordinuar me KFOR-in bashkërisht i kemi kryer detyrat me te cilat kane pasur nevoje detyrat “, tha ai.

Koordinimi me KFOR-in, ai e arsyeton me kompetencat që ka kjo organizatë i ka të përcaktuara në rezolutën 1224.

“Ka institucione tjera, policia, AME-ja që është e obliguar që ligjërisht të kryejë aktivitete ose operacione te emergjencës.

Nëse ata nuk mund t`i kryejnë ato obligime dhe kanë nevojë për ne, atëherë ne intervenojmë dhe jemi intervenuesi i tretë, gjithmonë duke mos anashkaluar KFOR-in, që ka mandat, bazuar në rezolutën 1224”, theksoi ai për Front Online.

As Ushtria s`ishte imune ndaj virusit, situata megjithatë u tejkalua

Imunë ndaj Coronavirusit nuk ishin as pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

5 nga ta u infektuan me këtë sëmundje ngjitëse. Infektimit, pos tyre, nuk i shpëtoi edhe një shërbyes civil në Ministrinë e Mbrojtjes.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për portalin Front Online, Komandanti i kësaj Force, gjenerali, Rrahman Rama.

Ky tregoi se të njëjtit pas shërimit i janë kthyer përsëri punës.

“Fatbardhësisht ne kemi pasur 5 raste si të uniformuar dhe një rast tjetër si shërbyes civil në Ministrinë e Mbrojtjes.

Të gjitha rastet kanë qenë raste kontakti, fatbardhësisht nuk kanë pasur asnjë simptomë.

Tash janë në gjendje të mirë. Fatbardhësisht nuk ka pasur asnjë rast tjetër”, u shpreh ai për Front Online.

Komandanti i FSK-së: Ishim të gatshëm ta merrnim nën kontroll situatën në rast të gjendjes së jashtëzakonshme

Shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme nuk do ta zinte në befasi Ushtrinë.

Komandanti i saj, Rrahman Rama, për Front Online thotë se ajo do të ishte e gatshme ta merrte nën menaxhim situatën, siç edhe i takon me Kushtetutë, në rast të një gjendje të tillë si rezultat i Coronavirusit.

“Realisht është bërë më shume debat sesa në realitet.

Në fakt jemi zbatues të urdhrave që marrim dhe jemi nën kontroll cilin. Çdo urdhër qe vjen ne jemi të gatshëm ta zbatojmë.

Pa dashtë me diskutuar, se nuk është roli jonë, ata që shpallim ne gjendjen e jashtëzakonshme. Ushtria gjithmonë është në gjendje gatishmëri dhe është e gatshme që të merr obligimet dhe detyrat qe dalin, por autoritetet tjera janë ato qe marrin vendim.

Ne nuk japim urdhra dhe zbatojmë urdhra”, theksoi ai për Front Online.

Por mos shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkuptoi “pushim” nga detyrat për ushtarët e FSK-së.

Ata ishin vazhdimisht në angazhuar në terren në këtë kohë pandemie duke kryer disa detyra, detajet e të cilave i tregoi gjenerali i tyre, Rama.

“Por ajo që vlen të theksohet, gjate kësaj kohe të pandemisë, obligimet dhe detyrat që kemi pasur bazuar në kërkesat e autoriteteve civile, kryesisht jemi marrë me ndarjen e tendave, kontejnerëve për qendra mjekësore, varësisht prej kërkesave, komunave të ndryshme, por në të njëjtën kohë kemi pasur obligim ta bëjmë transportin e personelit ose njerëzve që kanë hyrë në Kosovë, qytetarëve të Kosovës, qoftë përmes pika kufitareve, qoftë përmes fluturime ajrore.

Ky ka qenë kryesisht fokusi ynë gjatë kësaj periudhe”, tregoi ai për Front Online.

Rama: FSK-ja është në fazën e kapaciteteve trajnuese

Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Rrahman Rama në një intervistë për “Front Online”, ka thënë se procesi i tranzicionit të FSK-së në ushtri të plotë është ndihmuar shumë nga aleatët ndërkombëtarë. Kështu Rama theksoi se nga viti 2014, kanë qenë të njohura detyrat dhe obligimet e kësaj force.

“Realisht nga momenti që janë ndryshuar ligjet, ne kemi një plan afatgjatë që e kemi ndërtuar së bashku me partnerët tanë strategjik, por edhe me ekipin e NALT-it ose të NATO-së, që është përbrenda institucionit tonë. Prej vitit 2014 kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë, ne e kemi ditur detyrat dhe obligimet e tona dhe e kemi ndërtuar nja plan afatgjatë të tranzicionit”, ka thënë Rama.

Për sa i përket shndërrimit të kësaj force në ushtri në vitin 2018, Rama ka theksuar se deri në atë vit, nuk e kanë ditur që do të bëhet Ushtria.

“Çfarë mund të them është se gjatë kësaj periudhe kohore i kemi tejkaluar ato të priturat tona dhe jemi në rrugë të mirë që të fillojmë tani me ndërtimin e kapaciteteve të reja. Ju thashë administrative, mbi bazën e ndryshimeve të ligjeve të brendshme të funksionit të FSK-së, por në të njëjtën kohë tani jemi në fazën e dytë që është ndërtimi i kapaciteteve trajnuese gjithmonë duke u nisur prej mandatit dhe misionit të ri që e kemi”, ka thënë komandanti i FSK-së për Front Online.

Rama: FSK-së çdo vit pritet t’i shtohen nga 5.5 milionë euro në buxhet

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka nevojë për buxhet shtesë. Komandanti i FSK-së, RrahmanRama në një intervistë për “Front Online”, ka thënë se kanë një zotim nga Qeveria e Kosovës për mbështetje shtesë, ndaj FSK-së.

“Realisht ne kemi një marrëveshje me Qeverinë e Kosovë dhe është një zotim i Qeverisë. Domethënë që mbi bazën e planit tonë kemi qenë shumë të kujdesshëm në kuptimin e bërjes së planit. Qëllimi kryesor i ynë ka qenë që mbi gjendjen ekonomike të vendit tonë që të mos bëhemi barrë e shtetit por që ta kemi një mundësi që ne gradualisht t`i ndërtojmë kapacitetet tona”, ka thënë ai.

Kësisoj ai deklaroi se në deklaratën financiare të Qeverisë së Kosovës është e paraparë që për çdo vit të rritet buxheti i FSK-së për 5.5 milionë euro.

“Kemi deklaratën financiare nga ana e Qeverisë që 5.5 milionë për çdo vit do të rritet buxheti i FSK-së, gjithmonë bazuar në planet tona që ne i kemi ndërtuar dhe kemi pasur rritje të buxhetit. Kurrë nuk është e mjaftueshme por varet nga prioritete që i ka shteti në këtë rast Qeveria, e që besoj që një nga prioritete është edhe siguria”, ka thënë Rama.

Për vitin 2020, Rama ka potencuar se FSK-ja ka buxhet të mjaftueshëm,.

“Mbi bazën e planit tonë do të thotë buxheti i këtij viti është i mjaftueshëm qoftë për blerjen e pajisjeve të reja, qoftë në rekrutimin e gjeneratave të reja, apo të ushtarëve të rinj por edhe të oficerëve të ri, dhe jemi gjithçka mbi bazën e planit”, ka thënë ai, për “Front Online”.

Komandanti i FSK-së: Kemi shpenzuar 90% të buxhetit

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë vitit që lamë pas ka shpenzuar vetëm 90% të buxhetit. Lidhur me këtë komandanti i FSK-së, Rrahman Rama në një intervistë për Front Online, ka thënë se çështja e shpenzimit është punë administrative, dhe se nuk është nën kompetencë të tij.

“Janë më shumë çështje administrative të shpenzimit të buxhetit për çka mund të them që mund të kenë mbetje edhe tek mallrat dhe shërbimet dhe janë kategori të ndara, por mbi të dhënat zyrtare e kemi shpenzuar buxhetin mbi 90%. Për mua më shumë ka qenë në interes projektet kapitale që kanë të bëjnë me pajisje esenciale më të nevojshme dhe më të domosdoshme që ndikojnë direkt në operacionalitetin e njësive bazuar në mandat dhe në mision”, ka thënë ai.

E mos shpenzimi i buxhetit, sipas Ramës mund të lidhet edhe me mbetjet nga projektet që mund të kenë kosto më të ulët sesa që është paraparë.

“Mund të flasim për projekte në kuptimin konkret sepse ato janë të dhëna zyrtare. Ka pasur raste që Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar edhe mbetje të buxhetit për shkak, se po e supozojë ne kemi planifikuar një projekt që ka kosto 1 milionë ka ardhur oferta me 700 mijë euro. Ato janë mbetje dhe nuk do të thotë që nuk është realizuar projekti”, ka thënë ndër të tjera Rama për Front Online.

Në ndërkohë duke folur për krahasimin e shpenzimit të buxhetit të FSK-së, në raport me vitet e kaluara, komandanti i FSK-së, ka theksuar se ka ndryshime për sa i përket projekteve dhe kostove të tyre.

“Nuk mund të bëhet krahasim sepse kemi pasur rritje të buxhetit, por edhe nevojat dhe specifikat që kanë qenë të projekteve të caktuara dallojnë dhe disa projekte varen shumë edhe prej faktorit tjetër. Ka pajisje që nuk prodhohen në Kosovë, ka pajisje që i kanë rregullat e veta, qoftë edhe të dhënies së lejes të transportit, shfrytëzuesi i fundit dhe ka projekte që ekskluzivisht nuk varen prej Kosovës, por jemi të varur prej tregut të jashtëm”, ka thënë ai për Front Online.

FSK-së në korrik do t’i shtohen edhe rreth 400 ushtarë të rinj

Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, foli edhe për rekrutët e rinj të cilët do t’i pranojnë këtë vit.

Rama tha se kampanja për ushtarët e rinj do të fillojnë së shpejti pasi që procesi është shtyrë për shkak të përhapjes së pandemisë së Coronavirusit

“Çfarë është me rëndësi është se ne shumë shpejt do të fillojmë kampanjën e rekrutimit që do të jenë në Akademinë tonë ushtarake edhe përbrenda FSK-së. Në të njëjtën kohë do t`i shpallim edhe disa konkurse për Akademi të vendeve të tjera, mbi bazën e ofertave që i kemi prej shteteve të tjera, në këtë rast nga Gjermania, Kroacia, Turqi, Maqedonia. E kemi përfunduar procesin me SHBA-të, e kemi përfunduar me Britaninë e Madhe dhe shumë shpejtë, në gjysmën e dytë të muajit qershor do ta fillojmë kampanjën e rekrutimit”, tha ai për Front Online.

E në këtë konkurs i cili do të hapet në muajin korrik do të pranohen rreth 400 ushtarë të rinj.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online, Komandanti i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.

“Mbi bazën e planit tonë ne kemi në plan që në korrik përafërsisht të shpallim konkursin por në të njëjtën kohë edhe të fillojmë kampanjën e rekrutimit edhe për ushtarë të rinj që përafërsisht plus minus do të jenë 10% i 400 ushtarëve të rinj që do të jenë pjesë e FSK-së. Ata do të përzgjidhen, seleksionohen, pas përfundimit të trajnim bazik dhe do të fillojmë që nga janari i vitit 202”, tha ai për Front Online.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit