1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Gjenerali italian: Faleminderit Shqipëri e dashur

Rekomandime

Disa ditë më parë një avion i Guardia di Finanza u ngrit nga aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, duke transportuar një ngarkesë të çmuar drejt aeroportit ushtarak italian “Pratica di Mare”: 30 “engjëj” me rroba të bardha, 10 mjekë dhe 20 infermierë që kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur për të ndihmuar Italinë e shkatërruar nga urgjenca e COVID-19, shkruan gjenerali italian, Fabrizio Lisi.

- Advertisement -

“Kjo është vetëm një ndihmë e vogël, thjesht një qiri i ndezur”, tha kryeministri Rama duke përshëndetur punonjësit e shëndetësisë, të gjithë shumë të rinj.

Ndoshta kështu, por ai qiri ka një dritë të pamatë. Thjesht, ajo është drita e mirënjohjes nga një popull mik dhe Rama e di mirë këtë, më mirë se askush.

Burri i shtetit, njeriu (ish-ministri) i kulturës, piktori i vlerësuar, sportisti, kryetari i bashkisë i “buldozerëve dhe ngjyrave”, i përdori të dyja këto të fundit për të zbukuruar së pari kryeqytetin, pastaj gjithë vendin.

- Advertisement -

Me veprimin e tij ai diti të interpretojë në mënyrë perfekte dhe me ndjeshmëri të madhe institucionale ndjenjat e popullit të tij, duke gjetur kështu mënyrën më të mirë për t’i thënë “faleminderit” Italisë për ndihmën dhe bujarinë që ajo kurrë nuk I ka kursyer Tokës së Shqiponjave (së fundmi me ndërhyrjen e menjëhershme të Mbrojtjes sonë të shkëlqyer Civile dhe Kryqit tonë të mrekullueshëm të Kuq me rastin e një tërmeti shumë të forte dhe shkatërrues në fund të nëntorit).

Në prill të vitit 1997, i njëjti aeroplan i Guardia di Finanza, kishte bërë udhëtimin e kundërt, nga Italia në Shqipëri, duke transportuar një ekip policësh dhe oficerësh të Guardia di Finanza dhe të karabinierëve nga aeroporti ushtarak “Pratica di Mare” për në Tiranë. Ishte një grup i vogël ekspertësh që Italia kishte nisur vetëm 48 orë pas një kërkese të dëshpëruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Sapo mbërritën, ata filluan të ofrojnë ndihmë për kolegët e tyre shqiptarë, në mënyrë që të inkurajonin krijimin e një baze sigurie në një vend në revoltë. Situata që u paraqit në sytë e “ekspertëve” të “Misionit Interforce” ishte dramatike: qytetet ishin nën kontrollin e bandave kriminale (banda e Zani Çaushit në Vlorë rrethoi qytetin duke plaçkitur kazerma, fabrika, institucione dhe duke marrë armët, ushqimet dhe mallrat e të gjitha llojeve), kudo kishte shtetrrethimi, rrugët me gropa përshkoheshin nga makina pa targa të drejtuara nga njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Heshtja shurdhuese prishej nga shpërthimet e bombave dhe të shtënat e kalashnikovëve. Në zonat përreth ndodheshin bunkerë të vegjël të shpërndarë kudo si kërpudha (në periudhën e diktatorit Enver Hoxa ishin ndërtuar më shumë se 700 000 për të mbrojtur vendin nga “pushtuesit” imagjinarë).

- Advertisement -

Në ato ditë të pranverës së vitit 1997 Shqipëria po kalonte të dytën nga tre krizat dramatike që e goditën atë gjatë viteve ’90, dhe të cilat ishin pasuar nga shumë valë migrantësh (klandestinë, siç quheshin, në ato periudha).

Kriza e parë ishte në vitin 1991. Në Berlin binte Muri, në Tiranë vakej ëndrra “i vetmi vend socialist në botë”. Mijëra njerëz të dëshpëruar, sidomos të rinj, kishin pushtuar ambasadat e huaja (“tempujt e shpresës”), dhe më pas u derdhën masivisht në portin e Durrësit, ku sulmuan të gjitha anijet e mundshme detare…

Pastaj iu drejtuan bregdetit italian “në një mënyrë apo në një tjetër. Imazhi më domethënës i atij eksodi të vërtetë ishte anija “Vlora”, një anije tregtare që përdorej për të transportuar sheqer (quhej edhe “Anija e ëmbël”), e ngarkuar me “shpirtra” të grumbulluar në çdo centimetër katror, ​të cilët, pasi arritën në portin e Barit, u hodhën në det dhe notuan drejt kalatave të portit.

Vala e tretë e migracionit ishte në vitin 1999, pas spastrimit etnik që u zhvillua në Kosovë kundër shqiptarëve. Të mbijetuarit e shfarosjes u dëbuan përsëri drejt Shqipërisë, veçanërisht përtej kufirit të Kukësit, dhe u pritën nga bashkësia ndërkombëtare (shumë ishin organizatat humanitare italiane) në struktura të ndërtuara posaçërisht, ku, megjithatë, ranë pre e lehtë e kriminelëve që kishin rifilluar menaxhimin e kontrabandës së klandestinëve drejt Puglias.

Në atë pranverë të vitit 1997, megjithatë, kriza e dytë e kishte origjinën te fundi i luftës në ish-Jugosllavi, që kishte tërhequr me vete sistemin e pastrimit të parave nga trafiku i paligjshëm, i investuar në firmat piramidale, një numër kutish bosh, të shpikura nga spekulantët ndërkombëtarë që u jepnin interes shumë të lartë “kursimtarëve”. Njerëzit në Shqipëri kishin investuar gjithçka kishin, por, duke u gjendur përsëri në rrugë të madhe, pushtuan kazermat, burgjet, fabrikat, duke ikur në Itali këtë herë me gomonet e shpejta që krimi italo-shqiptar kishte përdorur për të transportuar drogë dhe armë.

Skafistët fusnin në këto gomone 30 apo 40 njerëz të dëshpëruar, të cilët përpiqeshin t’i largoheshin dëshpërimit (dhe në to kishte jo pak kriminelë). Një flotë me dhjetëra gomone të shpejta që mbërrinin në brigjet pulieze nga ku, duke shkarkuar ngarkesën, riktheheshin në ato shqiptare. Udhëtimet e fundit të shpresës me anije patën pasoja tragjike: “Kateri i Radës” pësoi një fundosje dramatike, duke u përplasur me anijen “Sibilla” të Marinës Italiane: 120 persona vdiqën.

Italia kishte dërguar tashmë “burra me uniformë” në Shqipëri, në misionet europiane “Pelikani” dhe “Alba”, ku kishin drejtimin e tyre, por kësaj radhe sfida ishte më e vështirë. Ishte një çështje e rindërtimit të strukturave të policisë, komisariateve, drejtorive, shërbimeve qendrore dhe kombëtare pothuajse nga e para, siç ishte Policia Rrugore dhe Policia Kufitare. Mbi të gjitha, kjo detyrë e fundit e vështirë iu besua Shërbimit Detar të GdF i cili filloi të patrullojë brigjet nga Durrësi në Vlorë me anije patrullimi të shpejta, që filluan të kishin edhe kolegë shqiptarë në bord.

Misioni ishte të dekurajonte gomonet, t’i kthenin nga ishin nisur apo të sinjalizonin Italinë për rrugën e atyre që kishin arritën t’u shpëtonin.

“Misioni Interforce” ishte një sukses. Policia shqiptare u organizua shpejt në strukturat e saj, duke marrë për shembull ato të forcave policore italiane. Trafiku i emigrantëve ilegalë nga deti dalngadalë u zvogëlua.

Drejtuesit e GdF në mision kontribuan me kolegët shqiptarë për të përgatitur një ligj kundër “skafistëve”, i cili u dërgua në Parlament, ku u miratua unanimisht. Në një kohë të shkurtër, patrullimet e përbashkëta, të forta dhe me rregulla detyruese dhe një bashkëpunim spontan dhe i sinqertë, arritën të bllokojnë një herë e përgjithmonë gomonet e përdorura për “udhëtimet e shpresës”.

Nuk pati asnjë incident, i cili mund të kishte krijuar probleme serioze diplomatike; ndihma u shndërrua në një bashkëpunim të vërtetë midis policive të të dy vendeve, për kënaqësinë e autoriteteve italiane dhe mirënjohjen e atyre shqiptare.

E njëjti avion i Guardia di Finanza nga 1997-a deri sot ka fluturuar vazhdimisht mbi qiellin e Vendit të Shqiponjave. Për misionet operacionale, siç janë ato për të mbështetur kontrollet në det ose ato për të “skanuar” kultivimin e drogës, ose për shkaqe humanitare, siç është kur transportohej në Bari, Ilaria, një vajzë nga Durrësi, disa muajshe, e cila lindi me një keqformim serioz kardiak, ose kur solli nga Italia ndihmat e shumta që familjet e financuesve të Shërbimit Detar të Trupave të stacionuar në Durrës dhe Vlorë u dërguan sidomos për familjet e refugjatëve, ku përgjegjës ishin Financierët e Shërbimit Detar.

Tani, e dashur Shqipëri, na takon neve të themi faleminderit për këtë shenjë mirënjohjeje, miqësie dhe njerëzillëku të madh.

Çfarë emocioni të shohësh ata mjekë të rinj që mbërrijnë në Itali, krejt tjetër gjë nga prindërit e tyre të frikësuar apo të hutuar, përkundrazi me sytë plot forcë, guxim dhe zemërgjerësi.

Faleminderit kryeministri Rama, në emër të të gjithë ne italianëve. Faleminderit edhe nga unë, që isha në bordin e avionit në 1997, si shef i Misionit të Guardia di Finanza; që përshkova detrat dhe fluturova mbi qiellin e Shqipërisë; që prita refugjatët në kampet e Mbrojtjes Civile dhe Kryqit të Kuq italian; që kam punuar për një kohë të gjatë edhe në vitet në vijim (dhe që akoma e bëj), së bashku me autoritetet tuaja, policinë tuaj dhe njerëzit tuaj, aq fisnikë dhe të mëdhenj në shpirt.

Faleminderit!.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit