Ruzhdi Gjokaj, përkrahësi i republikanëve në zgjedhjet në SHBA dhe përfaqësues i organizatës “Malësia e Madhe”, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Donald Trump ka qenë president i mirë për amerikanët dhe që i gëzohet faktit që lobi shqiptar është i pranishëm në të dyja kampet zgjedhore.
Gjokaj thotë se nuk i pëlqen që politikanët sikur Albin Kurti që të mbajnë anë pasi kjo nuk iu takon atyre.
“Për mua dhe politikanët që janë jashtë sHBA dhe merren me çështje kombëtare, unë jam i lindur në Mal të Zi, dhe kam mësuar dhe jetuar në Kosovë. Dua të flas nga ai aspekt, pra nga jashtë. Mendoj që është një gabim i vogël që dikush të flasë për politikën amerikane. Ne jemi të vegjël dhe kemi nevojë për shtete të mëdha që të jemi më të kujdesshëm për momentin. Nëse shikojmë aspektin politik, nënkryetari i Obama ka pasur mundësi tetë vite që ti tregojë pozicionimet e tij për shqiptarët. Ndoshta ka qenë edhe problemi i politikanëve tonë që nuk i kemi paraqitur si duhet kërkesat”, tha ai.
“Nënkryetari Mike Pence garanton se asnjë centimetër e Kosovës nuk do të shkojë në anën tjetër. Sa i përket Asocacionit dhe lojërave të politikanëve të Kosovës është dicka tjetër dhe nuk dua të futem andej. Presidenti Trump është shumë i mirë për ne. Jemi familje republikane dhe do të vijojmë rrugën që kemi marrë. Është shteti më i fortë dhe mendojmë për fëmijët tonë. Dy fëmijë i kam të edukuar në SHBA dhe janë profesionistë. Partia republikane është shumë e afërt me agjendën tonë. Mendojmë se presidenti Trump ka bërë punë të mirë, nuk jam kundër atyre që përkrahin Biden. Kam dëshirë që të ketë shqiptarë edhe andej. Të mos krijojmë armiqësi mes vetes por të jemi miqë dhe dashamirë. Si organizata “Malësia e Madhe” jemi drejtuar vetëm për Kosovën. Shqipëria e ka vendin e saj në OKB ndërsa ka ardhur koha që shtetësia e Kosovës të forcohet”, shtoi Gjokaj.