-1.4 C
Pristina
Thursday, November 7, 2024

Gjykata Kushtetuese merr vendim për pagesën e rrymës për serbët në veri

Rekomandime

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në lidhje me çështjen e pagesës së rrymës në veri për serbët.

Më saktësisht, Kushtetuesja ka sqaruar se vendimi nuk përbën shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.

- Advertisement -

Vendimi i plotë i Kushtetueses:

Kërkesa në fjalë ishte parashtruar nga 13 deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Në fund të vendimit të saj, gjykata ka dhënë katër konstatime të cilat mund t’i lexoni më poshtë.

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën, të parashtruar nga Blerta Deliu-Kodra dhe dymbëdhjetë (12) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Rekomandimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës [Nr.08-R-01], të 6 majit 2021.

Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr. 08-R-01] të 6 majit 2021, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën parashtruar në Gjykatë nga trembëdhjetë (13) deputetë të Kuvendit sipas autorizimeve të përcaktuara me paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Akti i kontestuar i Kuvendit, i 6 majit 2021, është në pajtueshmëri me paragrafët 1, 5 dhe 14 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) Akti i kontestuar i Kuvendit, i 6 majit 2021, është në pajtueshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) të refuzojë kërkesën për Masë të Përkohshme; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.

- Advertisement -

(i) Fushëveprimi i kërkesës

Gjykata fillimisht sqaron se, objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike.

Gjykata, në këtë kontekst, gjithashtu potencon se para saj nuk janë kontestuar (i) ligjet, vendimet dhe aktet e tjera të autoriteteve publike, të cilat janë nxjerrë para miratimit të Aktit të kontestuar të Kuvendit dhe të cilat, përbëjnë bazën ligjore të ushtrimit të kompetencave të Kuvendit, si dhe autorizimet ligjore të autoriteteve të tjera shtetërore në raport me Ndërmarrjen Publike KOSTT; dhe as (ii) vendimet e gjykatave të rregullta, si rezultat i procedurave të zhvilluara sipas padisë së Avokatit të Popullit, që ndërlidhen me Vendimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike të 6 shkurtit 2012, i shfuqizuar më 13 prill 2017, përmes së cilit, me qëllim të mbulimit të humbjeve/devijimeve në rrjetin energjetik në katër (4) komunat përkatëse, shuma shtesë prej 3.5% i është faturuar konsumatorëve të energjisë elektrike në komunat e tjera të Republikës së Kosovës.

Gjykata më tej sqaron se, bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar “si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale”. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZREE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Me qëllim të balancimit të sistemit elekroenergjetik dhe mbulimit të devijimeve përkatëse për periudhën pasuese, siç është përcaktuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht si rezultat i fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike, si trupë e Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, Ndërmarrja Publike KOSTT i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, përkatësisht, Komisionit Funksional për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me kërkesën që, ndër tjerash, të sigurohen mjetet financiare për mbulimin e humbjeve në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, për periudhën prill – dhjetor 2021.

Në këtë aspekt, Gjykata, bazuar në shkresat e dorëzuara nga KOSTT dhe ZREE, sqaron se më 14 dhjetor 2020, ka filluar zbatimi i Marrëveshjes së Kyçjes së KOSTT-it me ENTSO-E. Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, i ka paraprirë ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, më 30 mars 2017, e cila ka mundësuar formimin e bllokut të përbashkët rregullues, që njihet si Blloku Rregullues–AK. Ky i fundit dhe Marrëveshja e lartcekur me ENTSO-E, i ka mundësuar Republikës së Kosovës (i) të fitojë pavarësinë energjetike nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut; (ii) të operojë si zonë e pavarur rregulluese brenda Bllokut-AK, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale; dhe (iii) njohjen në hartat energjetike të Evropës, duke ia njohur sovranitetin e zonës së pavarur rregulluese në sistemin elektroenergjetik të Evropës Kontinentale. Në shkëmbim, institucionet e Kosovës, janë zotuar, ndër tjerash, që (i) të garantojnë balancimin e sistemit elektroenergjetik në kuadër të zonës së vet rregulluese duke adresuar për pasojë humbjet/devijimet përkatëse; ndërsa, në rast të shkeljes së detyrimeve që dalin nga kjo Marrëveshje, Republika e Kosovës do të ballafaqohet: (i) me ndëshkim financiar; dhe (ii) rishqyrtim të statusit të KOSTT-it brenda ENTSO-E.

Për pasojë, më 6 maj 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, sipas kërkesës së KOSTT “për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve”, Kuvendi, përtej kërkesave specifike për raportim të KOSTT-it, vendosi që (i) të “autorizohet KOSTT të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat e vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), sipas zgjidhjes së prezantuar dhe miratuar në komisionin funksional duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) të “obligohet Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatorëve në katër komunat e Republikës së Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) me energji elektrike”.

(ii) Pretendimet e palëve

Trembëdhjetë (13) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e këtij Akti të Kuvendit. Parashtruesit e kërkesës së pari pretendojnë se, përkundër faktit që Akti i kontestuar i Kuvendit është i titulluar “Rekomandime”, i njëjti është vendim i Kuvendit me pasoja juridike dhe rrjedhimisht, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë, siç është përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës. Së dyti, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se, Akti i kontestuar i Kuvendit është nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, si rezultat edhe i procedurës së ndjekur, por edhe përmbajtjes së tij. Përkitazi me procedurën, parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretendojnë se Akti i kontestuar i Kuvendit, është në kundërshtim me paragrafin 5 të nenit 65 të Kushtetutës, sepse është nxjerrë pa bazë ligjore, duke theksuar, ndër tjerash, se një vendim i tillë do të mund të merret vetëm përmes Ligjit për Buxhetin apo ndryshim/plotësimin e tij. Ndërsa, përkitazi me përmbajtjen e Aktit të kontestuar të Kuvendit, parashtruesit e kërkesës theksojnë që i njëjti është në kundërshtim me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i Diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr.12 të kësaj Konvente, sepse në diskriminim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e lartcekura, përmes Aktit të kontestuar të Kuvendit, është autorizuar mbulimi i devijimeve të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike që jetojnë në katër (4) komunat përkatëse të Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës, në fakt, nuk e kontestojnë detyrimin e Ndërmarrjes Publike KOSTT për mbulimin e devijimeve të energjisë elektrike në këto katër (4) komuna derisa të njëjtat të futen në sistemin e faturimit të energjisë elektrike sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës. Megjithatë, të njëjtit e kontestojnë procedurën përmes të cilës është nxjerrë Akti i kontestuar, duke pretenduar njëkohësisht se mbulimi i këtyre devijimeve në energji elektrike në komunat përkatëse, përbën diskriminim në kuptim të nenit 24 të Kushtetutës dhe të neneve përkatëse të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Komente dhe përgjigje në Gjykatë kanë dorëzuar edhe (i) Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje; (ii) Ministria e Ekonomisë; (iii) ZREE; dhe (iv) KOSTT. Përgjigje në Gjykatë gjithashtu kanë dorëzuar edhe Komisionet përkatëse të Kuvendit, përkatësisht Komisioni për Legjislacion, Komisioni funksional për Ekonomi, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, si dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në thelb, komentet e dorëzuara në Gjykatë pretendojnë që Akti i kontestuar i Kuvendit (i) është Rekomandim dhe jo vendim Kuvendi, dhe rrjedhimisht i njëjti nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë dhe për pasojë, kërkesa e parashtruesve të kërkesës, duhet të shpallet e papranueshme për shqyrtim në merita nga Gjykata; (ii) Akti i kontestuar i Kuvendit është nxjerrë duke u bazuar në paragrafin 2 të nenit 13 (Qeverisja korporative, kompetencat, raportimi) të Ligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, bazuar në të cilin Kuvendi është aksionari i vetëm i Ndërmarrjes Publike KOSTT; (iii) detyrimi i KOSTT-it për të mbuluar devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, është i përcaktuar me nenin 16 (Detyrat dhe përgjegjësitë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit) të Ligjit për Energji Elektrike dhe me nenin 5 (Kompensimi për Humbjet në Veri të Kosovës) të Licencës së KOSTT-it, përkatësisht [ZREE/Li_15/17, i 13 prillit 2017] dhe për më tepër, në përputhshmëri me detyrimet e ndërmarra për Marrëveshjen e Kyçjes në ENTSO-E; dhe se (iv) Akti i kontestuar i Kuvendit është në interesin publik sepse ndërlidhet me sovranitetin energjetik të Kosovës sipas obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Kyçjes në ENTSO-E.

(iii) Pranueshmëria e kërkesës

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata fillimisht vlerësoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe përgjigjet përkatëse të palëve të interesuara, përkitazi me natyrën e Aktit të kontestuar. Gjykata në këtë aspekt konstatoi se, Akti i kontestuar i Kuvendit hyn në fushëveprimin e “vendimit të Kuvendit”, siç përcaktohet me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rrjedhimisht kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita. Kjo, ndër tjerash, dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, sepse (i) vendimi përkatës i Kuvendit është miratuar me shumicë votash të deputetëve të Kuvendit; dhe (ii) ka efekte juridike për KOSTT-in dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Për më tepër, Gjykata nëpërmjet praktikës së saj të konsoliduar gjyqësore tashmë, ka theksuar se vendimmarrja e autoriteteve publike do të mbetej jashtë kontrollit kushtetues, nëse Gjykata do të bazohej vetëm në emërtimin formal/terminologjinë të cilën të njëjtat kanë vendosur t’ia përcaktojnë aktit përkatës.

Në shqyrtimin e meritave të çështjes, Gjykata u fokusua në vlerësimin e kushtetutshmërisë të procedurës dhe të përmbajtjes së Aktit të kontestuar të Kuvendit, përkatësisht nëse me nxjerrjen e këtij Akti, Kuvendi (i) ka vepruar në (pa)pajtueshmëri me kompetencën e tij për vendimmarrje të përcaktuar me Kushtetutë dhe me ligj; dhe (ii) ka kufizuar të drejtat dhe liritë themelore të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 1 të Protokollit nr. 12 të kësaj Konvente.

(iv) Kushtetutshmëria e procedurës

Sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur, Gjykata fillimisht shtjelloi (i) kompetencat dhe përgjegjësitë e Ndërmarrjes Publike KOSTT; (ii) detyrimin e KOSTT-it për balancimin e sistemit të energjisë dhe mbulimin e devijimeve të energjisë elektrike; (iii) të drejtat dhe detyrimet e KOSTT-it në raport me Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E; (iv) kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Kuvendit për miratimin e Ligjit për Buxhet dhe përgjegjësitë në lidhje me financat publike; dhe (v) procedurën e ndjekur në Kuvend dhe kompetencën përkatëse për nxjerrjen e Aktit të kontestuar, dhe Gjykata konstatoi se, procedura e ndjekur në nxjerrjen e Aktit të kontestuar të Kuvendit, është në pajtueshmëri me nenin 65 të Kushtetutës.

Në mbështetje të këtij konstatimi, Gjykata theksoi se (i) bazuar në paragrafin 1 të nenit 65 të Kushtetutës, Kuvendi miraton ligje, rezoluta dhe akte; (ii) bazuar në paragrafin 14 të nenit 65 të Kushtetutës, Kuvendi vendos “për çështjet me interes të përgjithshëm të përcaktuara me ligj”; (iii) në ushtrimin e kompetencave të tij të përcaktuara me ligj, përkatësisht bazuar në paragrafin 2 të nenit 13 të Ligjit për Energjinë Elektrike, Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron të drejtat e aksionarit të KOSTT; (iv) për më tepër, bazuar në paragrafin 1 të nenit 13 të Ligjit për Energjinë Elektrike, KOSTT funksionon si Ndërmarrje Publike në pajtim me Ligjin nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe legjislacionin përkatës në fuqi; (v) bazuar në nenin 4 (Aksionet) të Ligjit nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, këto të fundit organizohen si shoqëri aksionare, në përputhje me ligjin në fuqi për shoqëritë tregtare; dhe se (vi) bazuar në nenin 151 (Procedura për Autorizimin e Dividendëve) të Ligjit nr. 06/L-016 për Shoqëritë Tregtare, ndër tjerash, vendimi për autorizimin dhe pagimin e dividendëve mund të bëhet nga aksionarët.

Bazuar në si më sipër, Gjykata sqaroi se në nxjerrjen e Aktit të kontestuar, Kuvendi, ndër tjerash, kishte autorizuar KOSTT-in të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna “duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm” dhe se këtë vendim, e kishte nxjerrë (i) duke ushtruar kompetencën e tij si aksionar i Ndërmarrjes Publike KOSTT; dhe (ii) në ushtrimin e kompetencës së aksionarit, kishte vendosur përkitazi me dividendën e KOSTT-it; ndërsa, ushtrimi i kësaj kompetence (i) nuk ndërlidhet me kompetencën e Kuvendit të përcaktuar në paragrafin 5 të nenit 65 të Kushtetutës përkitazi me buxhetin e Republikës së Kosovës, siç është sqaruar para Gjykatës edhe nga Komisionet përkatëse të Kuvendit, përkatësisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike; por (ii) bazohet në ushtrimin e kompetencave të Kuvendit të përcaktuara në paragrafët 1 dhe 14 të nenit 65 të Kushtetutës, sipas të cilave Kuvendi mund të nxjerrë akte lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm të përcaktuara me ligj.

(v) Kushtetutshmëria e përmbajtjes

Sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së përmbajtjes së Aktit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme përkitazi me garancitë e nenit 24 të Kushtetutës, nenit 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 1 të Protokollit nr. 12 të kësaj Konvente, duke theksuar se neni 24 i Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shtrijnë mbrojtjen kundër diskriminimit edhe lidhur me çdo të drejtë të përcaktuar me ligj. Më pas, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat Njeriut, duke sqaruar se për të konstatuar nëse një akt mund të ketë rezultuar në diskriminim në kundërshtim me garancitë e këtyre neneve, së pari duhet të vlerësohet nëse akti përkatës ka trajtuar në mënyrë të ndryshme “persona në situata analoge ose relativisht të ngjashme”, dhe nëse ky është rasti, të vlerësojë nëse ky dallim në trajtim (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ndjek një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, përkatësisht nëse ekziston një marrëdhënie e proporcionalitetit ndërmjet kufizimit të së drejtës dhe qëllimit që synohet të arrihet.

Në kontekstin e lartcekur, Gjykata fillimisht konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, në kuptim të dispozitave ligjore përkitazi me konsumatorët e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës, konsumatorët në të gjitha komunat janë në “situata analoge ose relativisht të ngjashme”. Ndërsa, në vlerësimin e dallimit në trajtim, Gjykata theksoi se, si rezultat i mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër (4) komuna, është regjistruar si devijim. Për këtë qëllim, KOSTT-i ka kërkuar ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e devijimeve në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës. Për më tepër, bazuar në Aktin e kontestuar të Kuvendit, rezulton që si pasojë e autorizimit dhënë KOSTT-it nga Kuvendi për mbulimin e devijimeve në energjinë elektrike për shkak të mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e katër (4) komunave të Republikës së Kosovës deri në fillimin e zbatimit të procesit të futjes në sistemin e faturimit të konsumit të energjisë elektrike për konsumatorët e këtyre katër (4) komunave, këta të fundit gëzojnë një trajtim ndryshe nga konsumatorët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës. Për pasojë, Gjykata konstatoi se, Akti i kontestuar i Kuvendit rezulton në dallim në trajtim në mes konsumatorëve që jetojnë dhe që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës.

Gjykata megjithatë theksoi se, dallimi në trajtim në mes personave në “situata analoge ose relativisht të ngjashme”, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rezulton në diskriminim në kundërshtim me garancitë e nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vetëm nëse akti përkatës i autoritetit publik nuk ngërthen “një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”. Prandaj, vlerësimi nëse dallimi në trajtim është (a) përcaktuar në ligj; (b) ndjek një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, është i nevojshëm.

Së pari, Gjykata konstatoi që dallimet në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, janë të “përcaktuara në ligj”. Kjo sepse, (i) bazuar në nenin 16 (Detyrat dhe përgjegjësitë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit) të Ligjit për Energjinë Elektrike, KOSTT ka detyrimin e balancimit të sistemit të energjisë elektrike në harmoni me Kodin e rrjetit të transmetimit dhe rregullat e tregut; (ii) bazuar në nenin 19 (Prokurimi i Energjisë Elektrike dhe kapaciteteve nga Operatori i Sistemit të Transmetimit) të Ligjit për Energjinë Elektrike, ndër tjerash, KOSTT ka detyrimin e mbulimit të humbjeve në rrjetin e transmetimit përmes prokurimit të energjisë elektrike; dhe (iii) bazuar në nenin 28 (Përgjegjësitë dhe të Drejtat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes) të Ligjit për Energjinë Elektrike, ndër tjerash, KOSTT ka përgjegjësinë për të siguruar energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes. Ndërsa, bazuar në nenin 10 (Operatori i Sistemit të Transmetimit) të Ligjit për Energjinë Elektrike, operatori i sistemit të transmetimit mban në pronësi sistemin e transmetimit dhe është përgjegjës për operimin e këtij sistemi në pajtim me licencën e lëshuar nga Rregullatori. Bazuar në Licencën e KOSTT-it, përkatësisht nenin 5 (Kompensimi për Humbjet në Veri të Kosovës) të saj, në mënyrë shprehimore është përcaktuar mundësia e KOSTT-it që të “sigurojë energji elektrike për të kompensuar humbjet që dalin nga energjia e shfrytëzuar, por jo e paguar, nga konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës.”

Së dyti, Gjykata konstatoi që dallimet në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, ndjekin një “qëllim legjitim”. Kjo sepse, Akti i kontestuar i Kuvendit ka për qëllim: (i) ushtrimin e sovranitetit në sistemin elektroenergjetik me të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara me Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E; (ii) ruajtjen e pavarësisë energjetike të Republikës së Kosovës; (iii) interesin publik në garantimin e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; (iv) interesin në ruajtjen dhe fuqizimin e statusit të KOSTT-it në mekanizmin ndërkombëtar, përkatësisht Marrëveshjen e Kyçjes me ENTOS-E, e cila Marrëveshje i ka mundësuar kësaj ndërmarrjeje që të operojë si Zonë e Pavarur Rregulluese brenda Bllokut-AK me Republikën e Shqipërisë në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale; (v) parandalimin e ndëshkimit financiar nga ENTSO-E, si rezultat i mos përmbushjes së zotimit për balancim në sistemin e rrjetit energjetik apo evitimin e devijimeve në sistemin e energjisë nga ana e KOSTT-it; si dhe (vi) ruajtjen e statusit të KOSTT-it në këtë mekanizëm dhe arritjen e tij si anëtar i barabartë me të gjithë operatorët e sistemeve të transmisionit në ENTSO-E.

Së treti, Gjykata konstatoi që dallimet në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, përmes Aktit të kontestuar janë “proporcionale”, përkatësisht Akti i kontestuar i Kuvendit ngërthen një raport të arsyeshëm të proporcionalitetit në mes të masës së ndërmarrë dhe qëllimit të ndjekur. Kjo sepse Akti i kontestuar i Kuvendit (i) në pikën 4 të tij, ka përcaktuar autorizimin e dhënë Ndërmarrjes Publike KOSTT për mbulimin e devijimeve në energjinë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës; ndërsa (ii) në pikën 5 të tij, ka përcaktuar obligimin e Qeverisë, “që brenda afatit gjashtë (6) mujor, të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për faturimin e konsumatorëve” në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës. Prandaj, Gjykata theksoi se, Akti i kontestuar i Kuvendit, përkatësisht autorizimi i dhënë KOSTT-it për mbulimin e humbjeve në energji elektrike ka karakter të përkohshëm dhe synon procesin e futjes në sistemin e faturimit për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës.

Për pasojë, dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se nxjerrja e Aktit të kontestuar të Kuvendit ka rezultuar në dallim në trajtim të konsumatorëve të energjisë elektrike që nuk jetojnë në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, megjithatë, ky dallim në trajtim ka një “justifikim objektiv dhe të arsyeshëm” dhe rrjedhimisht, nuk rezulton në diskriminim, sepse (a) është i përcaktuar me ligj; (b) ka ndjekur një qëllim legjitim; dhe (c) është proporcional, dhe për pasojë, nuk është nxjerrë në papajtueshmëri me nenet 24 dhe 55 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit