12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

“Goditjet individuale” – A do të mbetet Serbia jashtë rrezes!

Rekomandime

Kosova do të rikthehet në dialog me Serbinë javën që vjen, me zotimet paraprake të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, se nuk do të ketë asociacion antikushtetues, dhe që nuk mund të jetë prelud i bosnjëzimit të Kosovës.

Presidenti i Serbisë ka kërcënuar dje se nëse nuk realizohet pikërisht ky asociacion, që vlerësohet se e minon shtetin e Kosovës, nuk do të ketë marrëveshje, duke lënë të nënkuptohet për një lëvizje të paparashikueshme. Dritëhijet e këtyre kërcënimeve bëhen më të komplikuara, kur sot e pamë Grenellin të kalonte këmbë nëpër Merdare, ndërsa vetëm një vit më parë, dukej se mbante në dorë agjendën e ndarjes së Kosovës, të dakorduar nga Thaçi-Vuçiq e Rama.

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin e 16 nëntorit në Bruksel, tema të diskutimit me Serbinë do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë. Por, sipas njoftimeve të Qeverisë së Serbisë, “tema kryesore do të jetë të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe”.

Për Kosovën thembra e Akilit, është Asociacioni, kështu që vendimi për të duhet të merret konform me zhvillimet në rajon.

Aktualisht SHBA-ja, veçanërisht këto ditë ka filluar një fushatë diplomatike në rajon, të udhëhequr nga i dërguari i presidentit Biden, Gabriel Escobar, njëherësh Zv.sekretar amerikan i Shtetit.

- Advertisement -

Prania amerikane diplomatike është rritur, sidomos pas tensioneve dhe paralajmërimeve se Republika Serbe e Bosnjës, po provon të ndahet. Para se sot ta vizitonte Malin e Zi, ku kërkoi mbështetje të proceseve në rajon, Escobar paraprakisht vizitoi Bosnjën, ku u takua me përfaqësuesin serb Dodik, i akuzuar për kriminalitet dhe korrupsion, me të cilin pat një dakordim, se nuk mund të ketë luftë, por, ai nuk është tërhequr nga përpjekjet për ta avancuar pozitën e Republikës Serbe, me fuqi kushtetuese drejt ndarjes.

Ai po provon që të krijojë gjyqësi të pavarur, taksa të pavarura, ushtri të pavarur, sistemin shëndetësor e të barnave të pavarur, që defakto këto e pavarësojnë përfundimisht nga Bosnja.

- Advertisement -

Thirrjeve të SHBA-ve se në rast të padëgjueshmërisë së Dodikut, do të përballet me sanksione i është përgjigjur sot edhe Gjermania, e cila është kategorike kundër ndarjes së Bosnjës, që vlerësohet se mund të ketë efekt zinxhiror, në Kosovë, Maqedoni apo edhe në vetë Serbinë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka deklaruar se zhvillimet në Bosnje, janë në pikën më kritike, prej se është themeluar Bosnja, pas luftës tragjike. “Ajo që ne po shohim aktualisht në Bosnjë e Hercegovinë është kriza më e keqe politike që nga përfundimi i luftës në 1995 dhe unë ndaj këtë mendim”, tha ministri i Jashtëm gjerman në një intervistë për media.

Ai ka theksuar se “rrezikimi i paqes, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta”, duke paralajmëruar masa nga pesëshja e madhe, veçanërisht duke goditur individët “…ne do të shqyrtojmë masa individuale kundër atyre që vënë në dyshim integritetin territorial të vendit”.

Pra, një goditje e tillë, ndoshta përkohësisht do të jetë e duhura dhe e mjaftueshme. Ta zëmë se Dodik, goditet për krim të organizuar dhe korrupsion, por Serbia mbetet jashtë rrezes goditëse.

Duke e ditur se Bosnja po vlon për shkak të Serbisë, sikundër që Kosova nuk po qetësohet po për shkak të Serbisë dhe interesave të Rusisë, atëherë a do të jetë zgjidhje ‘goditja individuale’?

Nëse akterët kyç mbetën të paprekur, një Rusi që nuk ka kush dhe as si ta ndjek, meqë tashmë thuajse një këmbë e ka futur në Serbi, dhe tash don të futet ashtu edhe në shtetet tjera, shqiptarët nuk mund të shpresojnë një zgjidhje. Gjërat do të rinisin thuaja nga fillimi, me Serbinë e paprekur!

Shqetësimin rus dhe serb, dhe rreziqet nga konflikti në Bosnje, i ka ngritur edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në konferencën vjetore të Kartës së Adriatikut me SHBA-në të mbajtur dje në Split të Kroacisë. Ai i ka argumentuar rreziqet dhe provokimet e hapura në Kosovë, madje duke alarmuar edhe për rrezikun kinez, por ende nuk kemi asnjë përgjigje pozitive për këtë frikë të ushtrisë së brishtë të Kosovës.

Ndërkohë, Serbia e ka marrë një sinjalë për goditje, por fare të lehtë nga SHBA-të, duke u lënë jashtë Samitit për Demokraci, sepse “po vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës, duke u qetësuar me Rusinë…” si vlerëson eksperti amerikan Alon Ben-Meir.

Apo mos ndoshta siç kanë paralajmëruar edhe media franceze, krishtlindjet mund të shënohen me luftë në Bosnje.

Kjo është vetëm skica rajonale, përkatësisht relacioni Bosnje-Serbi-Kosovë, me kahjet e ndikimit perëndimor dhe rrezikun rus deri tek alarmi kinez, por se çfarë mund të ndodhë mund të përcaktohet nga gabimet politike, me pranimin e një asociacioni që dekompozon shtetin e Kosovës.

Institucionet e Kosovës, së bashku me miqtë ndërkombëtarë dhe politikanët, diplomatët dhe intelektualët më të mirë që kanë shqiptarët, duhet të përcaktojnë një strategji dalëse nga kjo situatë aktuale, dhe duke mos u futur në turbullira të reja, që dëmtojnë interesat edhe ashtu të gjymtuara të shqiptarëve.

Një popull rrënjës, i goditur për më se dy shekuj deri në palcë, duhet të kërkojë ato që i takojnë. Hapja e çështjes shqiptare në Sanxhak, përveçse në Kosovë Lindore, e shqiptarëve në Maqedoni apo edhe në Greqi, duhet të ngritet në nivelet më të larta nga dy shtetet shqiptare.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit