Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka komentuar deklaratën që bëri bujë të madhe të hoxhë Shefqet Krasniqi.
Ajo në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ ka thënë se teologët duhet të kenë shumë kujdes në prezantimet publike.
“Teologët, e në këtë rast hoxha Shefqet Krasniqi në prezantimet publike duhet të kenë më shumë kujdes në pohimet e tyre. Gratë siç janë: Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Vafsije Krasniqi, por edhe të gjitha gratë janë krenaria, dinjiteti dhe vlera e shtetit të Kosovës.”, ka thënë Balje.
Shefqet Krasniqi në një intervistë televizive javën e kaluar, kishte deklaruar se ‘burrat janë për oda e gratë për kuzhinë’.
Kjo deklaratë e tij u cilësua si seksiste dhe mori reagime nga njerëz të ndryshëm të sferës publike.
Në intervistën dhënë për Reporteri.net, Balje ka folur edhe për tema të tjera, siç janë vota e saj për Qeverinë Kurti, përplasjet që kishte me Adriana Hoxhiq, për ligjin për konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme, etj..