2.7 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Gucati me probleme shëndetësore, Haga po e shqyrton lirimin e tij

Rekomandime

Mbrojtësi i Hysni Gucatit ka ofruar 5 mijë euro garancion për lirimin e tij me kusht, meqë kreu i OVL-UÇK’së vuan nga disa sëmundje e madje ka probleme me lëvizshmëri. Gjyqtari i procedurës paraprake ka premtuar se do ta shqyrtojë kërkesën për lirimin e tij me kusht, meqë Gucatit i duhet edhe të operohet.

- Advertisement -

Në seancën ndaj Gucatit, Jonathan Ellison Rees, mbrojtës i kreut të OVL-UÇK’së, ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij. Ai tha se Gucati dje kishte një termin për një operim që ka të bëjë me lëvizshmërinë e tij, pasi ai është invalid i luftës.

Përveç kësaj, ish-luftëtari i UÇK-së, ka edhe probleme të tjera shëndetësore. Ai vuan nga diabeti, shtypja e lartë e gjakut si dhe vuan nga astma.

Të gjitha këto probleme shëndetësore, mbrojtësi i tij tha se janë të mjaftueshme që të mundësohet lirmi me kusht.

- Advertisement -

“Gucati është baba i 7 fëmijëve dhe të gjithë jetojnë në zonën e Skenderajt, aty ku ka lindur. Fëmijët janë të moshës 23 deri n 34 vjeç. Gucati nuk është me shëndet mirë, vuan nga diabeti, merr insulinë dhe vuan nga shtypja e lartë e gjakut. Ai ka probleme edhe me lëvizshmërinë, sepse psh sot ai kishte një termin në spitalin e Prishtinës për të kryer një operacion për zgjedhjen e lëvizshmërisë. Ai vuan edhe nga astma”, tha dje avokati i tij në seancën e mbajtur në Hagë.

Anipse mbrojtësi i tij tha se mund të ofrojnë një garanci prej 5 mijë eurosh, se Gucati nuk do të arratiset dhe se do të jetojë në adresën që i përcaktohet, për prokuroren e rastit, Valeria Bolici nuk ishin të mjaftueshme të gjitha këto arsye.

- Advertisement -

Mbrojtësi i tij madje tha se Gucati do të raportojë edhe në Policinë e EULEX-it.

“Ne mund të ofrojmë një garanci 5 mijë eurosh që ai do të jetojë në adresën që do të përcaktohet, që do të raportojë në Policinë e EULEX-it dhe të gjitha këto kushte së bashku, të gjitha këto i përgjigjen atij rrezikut për arratisje”, tha mbrojtësi i tij, duke shtuar se klienti i tij do të qëndrojë larg 100 metra Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së.

Por, prokurorja speciale, Valeria Bolici tha se paraburgimi i tij është i nevojshëm, pasi sipas saj, nëse lirohet, Gucati do të vazhdojë t’i publikojë dokumentet e Speciales.

“Mbetet i nevojshëm në këtë fazë paraburgimi i Gucatit pasi nuk ka rrethana të reja që mund të ndikojnë në gjetjet që janë dhënë në aktakuzë. Megjithatë, në disa deklarata të mëparshme publike, Gucati ka afirmuar publikisht që do të vazhdojë të bëjë publike çdo informacion që mund t’i bjerë në posedim e që kanë të bëjnë me lëndën e kësaj gjykate”, tha dje Bolici.

“Zyra e prokurorit mendon që nëse Gucati do të lirohet, ai do të vazhdoj të kryejë të njëjtën vepër”, shtoi ajo.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me sekretarin e OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, për operimin e Gucatit, por ai tha se nuk kishte qenë i informuar rreth këtij operimi. Ai tha se se Gucati kishte kryer shumë operime deri tani.

“Kogja shumë operime ka pasë deri tani”, tha Klinaku për Express.

Por, gjykatësi francez, Nicolas Guillou, e ka mbyllur seancën e djeshme gjyqësore duke ia dhënë një “premtim” kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së se do ta shqyrtojë mundësinë e lirimit të tij me kusht nga paraburgimi.

“Z. Gucati, më lejoni të them se në bazë të nenit 51 dhe 57, unë do ta rishikojë ndalimin tuaj, paraburgimin tuaj, ose me kërkesë të avokatit mbrojtës tuajin, ose me iniciativën time”, tha Guillou.

Gucati është arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, me ç’rast atë ditë u bë edhe një bastisje. Po atë ditë, Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Po atë ditë është arrestuar edhe sekratari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu është duke u përballur me Gjykatën Speciale në Hagë.

Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit