-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Haki Abazi kërcënon Albanian Post dhe drejtorin e mediumit: Mos ma nxirrni të keqën prej barku – ta bëj edhe ma zi se në Klan

Rekomandime

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërcënuar Albanian Post se nëse vazhdohet të raportohet për të ai do të ndërmarr masa të ashpra.

“Do ta bëjë edhe ma zi se në Klan”, ka qenë një nga kërcënimet e Abazit, kur është kontaktuar nga Albanian Post për të marrë një prononcim për emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës, pasi Abazi është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Parlamentin e Kosovës.

- Advertisement -

Kërcënues dhe i shthurur Abazi është treguar veçanërisht kur ka folur për drejtorin e mediumit, Baton Haxhiu.

“Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë”, ka thënë Abazi, duke dëshmuar kështu se sa ishte zëvendës-kryeministër në Qeverinë Kurti 1, ai ka ndërhyrë në mediat e Kosovës për të pozicionuar e ri-pozicionuar njerëz, ashtu si i konvenon atij.

Abazit nuk i ka mjaftuar një kërcënim.

- Advertisement -

Ai është lëshuar edhe në të tjera.

Pa brengen se mund të ketë reprezalje, ai ka vazhduar të kërcënojë mediumin dhe gazetarin Haxhiu.

- Advertisement -

“Unë po të tregoj, thuaj Baton Haxhiut mos ma qitë të keqen prej barkut”, thotë Abazi.

Abazi, një nga njerëzit më të afërt me kryeministrin, Albin Kurti, e dinte se biseda incizohet, sepse çdo thirrje për prononcime arkivohet, por atij aq i bën. E ka ndjenjën e fuqisë së pushtetit prapa.

Përse u ankua Abazi?

Shqetësimi i Abazit ishte për një raportim të Albanian Post kur kishte dështuar intervistimi i kandidatëve për ambasadorë.

AP e raporti tekstin nën titullin “Dështon intervistimi i kandidatëve për ambasadorë”, derisa brenda tekstit ishte një intervistë e realizuar me Time Kadrijajn, anëtare e komisionit.

Kadrijaj e bënte fajtor për dështimin e intervistimit vetë Abazin.

“Haki Abazi nuk ka arritur të sigurojë kuorumin nga deputetët e pozitës dhe nuk ka të drejtë të ankohet për ne”, kishte thënë Kadrijaj, pasi ajo dhe deputetja tjetër nga PDK-ja, Ariana Matoshi, akuzoheshin se e “sabotuan procesin e caktimit të ambasadorëve”.

Pra, se Abazi ka dështuar ta formojë kuorumin ishte citat i thënë nga Kadrijaj, por Abazi problemin e ka me vetë raportimin.

Ai nuk do të shkruhet asnjë lajm për të, kur në mendjen e tij, del negativisht para lexuesit.

“Krejt tekstin e keni negativ”, thotë deputeti i Vetëvendosjes, por pa treguar specifikisht se ku është bërë shtrembërim i informacionit.

Abazi me siguri mendon se lajmet që shkruhen për të duhet të jenë të atilla që t’i pëlqejnë atij.

Lajmi mund të mos jetë i vërtetë në logjikën e Abazit, por duhet të jetë i pëlqyeshëm për pushtetin.

Ai, i veshur me pushtetin politik, mendon se e ka edhe atë hyjnor, dhe mund të caktojë fatet e njerëzve e në këtë rast gazetarëve e mediave.

Por Abazi, duke mos qenë vetë gazetar, ka harruar se edhe mediat kanë pushtetin e tyre – atë të raportimit të së vërtetës.

Njerëz me kut si të Abazit edhe mund ta mashtrojnë vetën se frikësojnë dikë, por efekti i vetëm që kanë në mediume si Albanian Post, që preokupim të vetëm e kanë të Vërtetën, është rritja e një zelli për të punuar edhe më shumë.

Dhe me punë ekspozohet fytyra e vërtetë e pushtit, si në këtë rast fytyra kërcënuese e Haki Abazit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit