0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Haradinaj: Kurti është mashtrues nëse Konjufcën e bëri kryetar pa dakordim me LDK’në

Rekomandime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nëse propozimi dhe për kryetar të Kuvendit dje nga Lëvizja Vetëvendosje është bërë pa marrëveshje paraprake me Lidhjen Demokratike të Kosovës, tregon për mashtrim nga ana e Albin Kurtit.

- Advertisement -

Sipas Haradinajt, nuk duhet të vendoset partneri para aktit të kryer dhe pastaj t’i kërkohet mbështetje. Haradinaj, i cili deri në krijim të institucioneve të reja qëndron në krye të ekzekutivit, thotë se nuk bën të zvarritet vendi, duke parë si mundësi edhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, u betuan dje në këtë institucion, i cili pastaj zgjodhi edhe kryetarin dhe nënkryetarët, duke përfunduar kështu me sukses konstituimin e Kuvendit.

Këtë, kryeministri Haradinaj po e konsideron lajm të mirë për vendin, pasi siç thotë i hap rrugë formimit të Qeverisë së re.

- Advertisement -

Por, sipas tij, veprimet e partnerëve duhet të bëhen me marrëveshje, dhe jo duke mashtruar.

“Nuk është në rregull njëri partner me marrë veprim si i vetëm, me nxjerr tjetrin para aktit të kryer, e pastaj t’i kërkojë mbështetjen. Pra kjo është një marrëveshje e vullnetit, dhe nuk bëhet me zor, nuk mundesh me diktat me ja bë askujt. Unë prej fillimit kam shpreh habi në qasjen e zotit Kurti, në një lloj qasje që është më shumë diktat, ose kushtëzim ndaj partnerëve potencialë, duhet të bëhet kujdes, të trajtohen me respekt partnerët dhe me arrit një marrëveshje të besueshme për të gjithë. Kuptohet besimi është diçka që ndërtohet, unë vet nuk kam shpreh besim në zotin Kurti sepse kam thënë se ai është mashtrues, dhe kam thënë që do të dalë zhgënjim për qytetarët e vendit. Për këtë nuk është se i gëzohem sepse qytetarët meritojnë suksesin dhe vendi meriton suksesin, unë nuk e kam pas një besim të tillë në zotin Kurti, tani nëse kjo që ka ndodhur dje pra është punë pa marrëveshje, flet për mashtrimin që e kam folur dikur”, thotë Haradinaj.

- Advertisement -

Tani, Haradinaj thotë se është vështirë të paragjykohet si do të rrjedhë procesi, veçse thotë se tani mundësitë reale janë edhe për zgjedhje të tjera të reja, nëse nuk arrihet krijimi i institucioneve.

Sipas Haradinajt, vendi nuk mund të qëndrojë në këtë gjendje pa epilog për një kohë të gjatë.

“Nëse zoti Kurti nuk arrin me bë këtë atëherë është në diskrecionin e presidentit në bazë të obligimeve dhe kompetencave kushtetuese me i dhënë mandatin, ta zëmë kandidatit tjetër i cili mund të vjen nga partia fituese, po ashtu ekziston mundësia me e bartë mandatin te ai që e ka shumicën. Nëse shkohet në logjikën që të mos dërgohet vendi në zgjedhje, por tash e tutje është mundësia reale po ashtu të shkohet në zgjedhje. Nuk jemi ne Belgjikë ose disa vende, sepse ka vende ku qeveritë vonojmë me muaj ose vjet ta zëmë, por ne nuk e kemi atë nivel, duhet të bëjmë kujdes sepse është me rendësi të krijohen institucionet ose t’i jepet epilog kësaj gjendje”, ka thënë ai.

Derisa, konstituimin e Kuvendit e quan sukses për vendin, Haradinaj shton se nëse është bërë pa marrëveshje paraprake është veprim i gabuar meqë i pamundëson hapat e tjerë rreth krijimit të qeverisë.

Ai thotë se nëse partnerët duan të krijojnë institucionet atëherë duhet të ketë pajtim mes tyre, dhe nëse njëri merr veprim si i vetëm atëherë e pamundëson vazhdimin e punës së përbashkët.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi dje Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit, i cili mori edhe votat e LDK-së, kryetari i së cilës disa orë më parë deklaroi se nëse VV nuk është gati për marrëveshje, atëherë do t’ia votojnë asaj kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë pa asnjë kusht dhe në atë formë LDK tërhiqet nga përgjegjësitë duke qëndruar parti opozitare./KsP/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit