Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur rreth vizitës te deputeti Haxhi Shala në orën një pas mesnate për të diskutuar rreth votës pro Qeverisë Hoti.
Në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se kanë arritur me presidentin Hashim Thaçi në të njëjtin vend, por nuk ka konfirmuar nëse ishin së bashku në një veturë sikurse ishte thënë më herët.
“Bashkë në të njëjtin vend kemi arritur. Haxhi Shala ka qëndrime parimore. Kam pasur plane të bisedoj për të pasi nuk ishte e sigurt nëse do të votonte ose jo. Kemi biseduar edhe me pjesëtarë të pakicave tjera, pasi ishte një situatë jo e lehtë sepse nuk ishin votat e nevojshme”, ka thënë ai.
Madje, Haradinaj si me shaka është përgjigjur edhe rreth kohës së vizitës te deputeti Shala, duke thënë se nuk e ka shikuar orën dhe se ndoshta ka mund të jetë edhe më herët.