18.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

I dashur Hashim

Rekomandime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi ndaj postimit të Shaun Byrnesit në peacefare.net të shtunën, me këto cicërima:

- Advertisement -

Zhgënjyese të shohësh miqtë e Kosovës dhe të mitë, Daniel Serwer e Shaun Byrnes, duke u mashtruar nga lajmet e rreme. Nuk ka marrëveshje apo asgjë të tillë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një e tillë mund të arrihet përmes një procesi transparent me lidershipin e SHBA-së dhe ju ftoj që të ndihmoni. Grenelli është duke bërë një punë të shkëlqyer.

Washingtoni e ka vëmendjen e plotë në dialogun Kosovë-Serbi. Është barrë e gjeneratës tonë që t’i japim fund konfliktit dhe ta hapim rrugën për integrimin euroatlantik dhe prosperitetin ekonomik. Ne kemi nevojë për mbështetje në këtë proces, e jo pengesa e as kundërshtime. Kjo ka të bëjë me fëmijët tanë.

Ky është reagimi im ndaj Presidentit, të cilin e kam njohur që nga vizita e tij e parë, pas luftës, në SHBA më 1999:

- Advertisement -

I dashur Hashim,

Jam plotësisht dashamirës i ambicieve euro-atlantike të Kosovës dhe vazhdimisht i kam dhënë përpjekjet e mia për këtë qëllim. Por, nuk është mençuri të besosh se Washingtoni i kushton “vëmendje të plotë” dialogut Kosovë-Serbi, i cili ka qenë një proces plotësisht i errët. Pak persona në Washington madje e dinë se ky proces po ndodh, e numër edhe më i vogël është i atyre që u intereson. Kjo pavëmendje u ka dhënë lobistëve të angazhuar nga Beogradi mundësinë të ndikojnë në një administratë që pak i intereson për Ballkanin e fare për Kosovën, të cilën ajo e sheh si produkt i administratës së përbuzur të Clintonit.

- Advertisement -

Më keq se pavëmendja amerikane dhe paragjykimi pro-serb është se populli i Kosovës dhe populli i Serbisë nuk dinë asgjë për atë që po diskutohet në takimet tuaja të përsëritura me Presidentin Vuçiq. Qytetarët tuaj kanë kërkuar transparencë. Unë kam kërkuar më shumë se një herë për një azhurnim. Asgjë s’ka në dispozicion. Kjo ju lë të hapur ndaj thashethemeve, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të sakta. Vetëm transparenca që ju premtoni mund ta rregullojë atë problem.

Richard Grenelli është person që ka dështuar si ambasador në Gjermani dhe po dështon si drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare. Megjithatë, ai po bën një punë të mrekullueshme në Ballkan, duke i bërë marrëveshjet e vogla të transportit të duken si hapa të mëdhenj përpara. Ai po punon po ashtu shumë për t’i bërë presion kryeministrit Kurti me kërcënime për tërheqje të trupave amerikane dhe të ndihmës. Albini është përkulur por ende nuk është thyer ndaj kërkesës amerikane për t’u dhënë fund tarifave ndaj mallrave serbe. Objektivi përfundimtar i Grenellit është shkëmbimi i tokave/njerëzve që administrata e Trumpit i ka nxitur dhe ju keni dhënë shenja se mund t’i pranoni. Shumica e popullatës suaj, përfshirë serbët në veri të Ibrit, kundërshtojnë këtë ide të poshtër, e cila do ta bënte Kosovën burim të paqëndrueshmërisë përgjatë Ballkanit dhe më gjerë.

Natyrisht se mund të më dëshmoni të kundërtën në të menduarit se jeni i gatshëm të tregtoni pjesë të Kosovës me popullsi serbe me pjesë të Serbisë me popullsi shqiptare: jepini Kuvendit të Kosovës llogari të plotë dhe të sinqertë të bisedimeve me Vuçiqin. Kjo duhet të përfshijë agjendat, çdo draft-marrëveshje apo propozime nga secila palë, dhe një transkript të plotë të dialogut në nivelin më të lartë dhe në secilin grup punues. Më pas, dorëzojeni përgjegjësinë e dialogut te qeveria, siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese të cilën tani e ka konfirmuar edhe Kuvendi. Bërja e Albinit kryenegociator do t’jua heqë juve presionin dhe do t’i vërë serbët në një pozitë të vështirë, meqë kryeministrja e tyre – e përkëdhelur e presidentit – nuk mund të pretendojë të ketë llojin e mandatit popullor që e ka Albini.

Pa dyshim se ju jeni të zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve që e sollën Albinin në pushtet, sepse e lanë partinë tuaj në vend të tretë. Por, të punosh me partinë e dytë për ta rrëzuar kryeministrin nuk do t’i sjellë Kosovës asnjë të mirë. Kjo rrezikon të nxisë një stuhi që do t’i japë fund çdo perspektive për suspendim të tarifave apo përparimit të mëtejmë të dialogut me Serbinë.

Për një atdhetar kosovar – dhe shpresoj se kam të drejtë të supozoj se do të dëshironit të konsideroheshit si i tillë – shpejtësia nuk duhet të jetë prioritet. Nuk ka kurrfarë përparësie të synohet arritja e një marrëveshjeje para zgjedhjeve të 26 prillit në Serbi. Presidenti Vuçiq do të jetë më i lirë të bëjë koncesione për Kosovën pas zgjedhjeve sesa para tyre. Kosova do të tregohej e mençur po të priste edhe më gjatë: deri kur amerikanët të dalin në zgjedhje më 3 nëntor.

Nëse atëherë do të ishte një president Biden – një mik i vërtetë i Kosovës – mund të prisni nga ai fuqizimin e një të dërguari serioz për të bashkëpunuar me Evropën, diçka që Grenelli s’mund ta bëjë kurrë sepse ai dhe presidenti Trump ndiejnë neveri ndaj Bashkimit Evropian, në arritjen e marrëveshjeve serioze mes Kosovës dhe Serbisë. Veprimi i përbashkët SHBA/BE është parakusht për t’i bërë presion të parezistueshëm Beogradit. Grenelli as që po përpiqet. Nëse Trumpi rizgjidhet, kushdo që është në pushtet në Kosovë do të duhet të shtrëngohet sërish për të mbrojtur vendin tuaj nga sulmi i ideve të këqija të ndarjes që tipat si Grenelli do të vazhdojnë të gjenerojnë.

Shumica e qytetarëve tuaj dëshirojnë një marrëveshje me Serbinë që njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur brenda kufijve aktualë dhe ia mundëson asaj të hyjë në OKB. Kjo ende nuk është ofertuar. Kosova duhet të jetë gati të largohet nga një marrëveshje e keqe për të marrë një të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën edhe të SHBA-së edhe të BE-së. Deri atëherë, përmirësimet shtesë janë krejt çka mund të shpresohet. Arti i qeverisjes së suksesshme kërkon nga ju që të nxitni qytetarët tuaj të jenë të durueshëm. Gjërat e mira vijnë për ata që mund të presin.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit