Për javë të tëra, komuniteti ndërkombëtar e ka pyetur veten nëse, si dhe kur mund të shpërthejë ndonjë luftë në Ukrainë. Rusia i ka grumbulluar 100,000 ushtarë në kufirin me Ukrainën dhe presidenti amerikan Joe Biden u përgjigj duke dërguar 3,000 ushtarë të tjerë në zemër të Evropës.
Tonet mes Moskës dhe Washingtonit mbeten të ashpra, por ndërkohë jemi dëshmitarë të një aktiviteti diplomatik intensiv që sheh protagonistë jo vetëm Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.
Situata në terren është shumë delikate, por do të ishte afër dramës nëse nuk do të ishte kjo linjë e vazhdueshme kontakti që natyrisht përpiqet t’i kapërcejë këto vështirësi. Duhet të shpresojmë që nga ana e atyre që e menaxhojnë këtë situatë të ketë ndërgjegjësim për rrezikun e problemit”, tha gjenerali italian, Mauro Del Vecchio për gazetën e përjavshme italiane, “Famiglia Cristiana”.
Del Vecchio, 75 vjeç, ka udhëhequr misione në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni e Afganistan, ku ishte komandant i forcave të NATO-s.
Ai ka folur për strategjinë e Rusisë, duke marrë një shembull nga Kosova e vitit 1999, ku ai komandonte kontigjentet e NATO-s dhe rusët kishin marrë nën kontroll aeroportin e Prishtinës.
“Është qëndrimi i atyre që kurrë nuk duan t’i nënshtrohen një veprimi që mund ta dëmtojë zonën e tyre të ndikimit. Këtë e kam kuptuar vetë kur në vitin 1999 komandova kontingjentet e NATO-s në Kosovë. Para se ta vendosnim këmbësorinë tonë në tokë kosovare, rusët kishin marrë nën kontroll aeroportin e Prishtinës. Sepse dukshëm në atë kohë zona e ish-Jugosllavisë ishte një zonë në të cilën Rusia kishte njëfarë ndikimi. Edhe sikur OKB-ja ta kishte urdhëruar ndërhyrjen e NATO-s, Rusia donte ta impononte imazhin e saj të fortë edhe në atë rrethanë”, është shprehur Del Vecchio.
Fillimi i një lufte në Ukrainë s’do t’i kontribonte askujt, mendon ai.
“Do të ishte luftë në Evropë dhe do të ishte një tragjedi e madhe. Nuk mund ta imagjinoj një gjë të tillë. Në të kaluarën ka pasur momente të tensioneve të mëdha mes fuqive të mëdha, po mendoj për problemin e raketave në Kubë në vitin 1962. Kjo ishte një situatë tjetër e vështirë dhe shumë e rrezikshme për paqen botërore, por për fat të mirë diplomacia në atë rast lejoi tejkalimin e krizës”, tha Di Vecchio.
Veprimi i presidentit rus, Vladimir Putin për t’i dërguar 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, sipas ish-komandantit të forcave të NATO-s, është për ta theksuar presionin psikologjik. Ai nuk sheh ndonjë qëllim real për të ndërmarrë veprime në këtë kohë.
Lëvizjen e presidentit amerikan, Joe Biden për dërgimin e 3000 ushtarëve të tjerë në Evropë, Del Vecchio e kupton si manifestim të qëllimit për të nënvizuar kuptimin e politikës së NATO-s, atë të mbrojtjes së aleatëve të saj.
“Rusia është e shqetësuar sepse ka frikë se zona e saj e sigurisë mund të rrezikohet nga një pranim eventual i Ukrainës në NATO. Rusia është përpjekur gjithmonë të ruajë këtë zonë ndikimi dhe sigurie, edhe me qëndrime që sigurisht nuk janë perfekte, le ta kujtojmë çështjen e Krimesë”.
Del Vecchio tha se Ukraina duhet të jetë në gjendje të vendosë për politikën e saj në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO.
Në fund, ai foli për rolin e Italisë në këtë situatë të nxehtë.
“Unë besoj se Italia ka shansin më të mirë për të dhënë indikacione për të gjithë protagonistët e kësaj historie të rrezikshme. Italia ka treguar besnikëri ndaj parimeve të Kombeve të Bashkuara, gjithashtu ka mundur t’i zgjidhë problemet e natyrës etnike në territorin e saj, duke kapërcyer çdo krizë, si në rastin e Tirolit të Jugut. Demokracia jonë, dëshira jonë për të kuptuar të gjitha pozicionet dhe aftësia për të ditur se si të arrijmë në zgjidhje të balancuara na lejojnë të luajmë një rol të rëndësishëm”, tha ai.