1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ish-kryetari i Supremes: Gjykata nuk duhet të bazohet në vendimin e Kushtetueses

Rekomandime

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se Supremja duhet të bazohet në Kushtetutën e vendit dhe jo në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me certifikimin, ose jo si kandidat për deputet të Albin Kurtit dhe të tjerëve.

- Advertisement -

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani thekson se Supremja duhet ta shikojë kodin e vjetër penal që nuk ia njeh pasojën juridike të veprës penale të ish-kryeministrit. Megjithëkëtë, shprehet pesimist se ish-kolegët e tij do të marrin një vendim të tillë.

Dy ditë pas pranimit të ankesave nga Gjykata Supreme, Hasani thotë se mundësitë janë që e njëjta ta interpretojë ankesën e LVV-së dhe të të tjerëve në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por shpreson se Supremja të reflektojë që kandidatëve për deputetë që iu janë shlyer dënimet dhe atyre të dënuar me kundërvajtje t’iu mundësohet të certifikohen si kandidatë për deputetë.

- Advertisement -

“Për bindjen time ajo (Gjykata Supreme) duhet të bazohet në Kushtetutën, çka thotë Kushtetuta dhe jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Duhet të bazohet në Ligjin, në Kodin Penal që nuk ia njeh pasojën juridike dhe duhet të shërbejë si precedent vendimi i vitit 2017, i cili nuk është shfuqizuar dhe nuk mund të shfuqizohet deri sa të bëhet një ndërrim në Kushtetutë. Edhe pse këtë nuk e pres, ajo (Gjykata Supreme) me siguri do ta interepretojë në frymën e njëjtë të Gjykatës Kushtetuese edhe pse s’do të duhej. Por unë së paku pres që Gjykata Supreme të reflektojë që personat të cilët veç janë shlyer nga dënimet dhe ata që janë dënuar për kundërvajtje, në këtë drejtim ta korrigjojë vendimin e KQZ-së”, thotë Hasani për KosovaPress.

Hasani thotë se Gjykata Supreme nuk mund të kategorizojë veprat penale të kandidatëve të ankuar, por mund të bazohet në kodin penal të vitit 2012 që nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë, të dënimit me kusht dhe vërejtjet gjyqësore.

- Advertisement -

“Gjykata Supreme mund të thotë meqenëse kodi penal i vitit 2012 nuk i njeh pasojat juridike të dënimit me gjobë të dënimit me kusht, vërejtjet gjyqësore dhe lirimin nga dënimi këto të gjitha duhet të kthehen në listë, pavarësisht se të kundërtën e thotë Gjykata Kushtetuese”, u deklaroi ai.

Ndërkohë, shton se vendimet që janë në kundërshtim me Kushtetutën nuk mund të kthehen në normë kushtetuese.

“Nuk jam pajtuar me kolegët që vijnë nga Gjykata Kushtetuese të cilët thonë, po vendimi është anti-kushtetues, vendimi është i paligjshëm, por ai duhet të zbatohet. Ngase nuk mund të thuash se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të krijohet në normë nëse është në kundërshtim me Kushtetutën. Nuk shkon, nuk shkon të thuash edhe është anti-kushtetues dhe krijon normë. Nuk mund të thuash krijon normë duke shkel Kushtetutën, kushdo qoftë institucion, qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë Gjykata Supreme”, thotë ai.

Hasani thekson se çështja e certifikimit ose jo të Kurtit dhe të tjerëve është më shumë çështje ligjore dhe jo Kushtetuese.

“Momentin kur Gjykata Kushtetuese nga çështja ‘Arifi’, neni 70, paragrafi 6 i Kushtetutës ka rrëshqit tek neni 29, paragrafi 1, germa q, ka kaluar nga një teren kushtetues në një teren të pastër ligjor. Pse është ligjor? Është për arsye se kush ka të drejtë të certifikohet ose jo është e Zyrës për Certifikim, e KQZ-së, pastaj ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme, është e pastër ligjore. Nuk mund të shprehet Gjykata Kushtetuese se kush ka drejtë të kandidojë ose jo, sepse janë procedura ligjore. Është çështje e pastër ligjore”, u shpreh ai.

Të mërkurën Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me moscertifikimin e liderit të partisë, Albin Kurti, Albulena Haxhiut, Liburn Aliut, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi. Njëjtën gjë e bëri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një parti nga komunitetet jo shumicë. Supremja ka afat për përgjigje deri të shtunën në orën 15:00.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit