Hetimet ndaj zarfeve me vota të ardhura nga Serbia, pas hapjes së të cilave u helmuan 29 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ende po vazhdojnë.
Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se rezultatet e deritanishme, jozyrtare të pranuara gojarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tregojnë se janë gjetur dy lloje të elementeve të mundshme.
“Elementi që vetë letra e përmban e që nuk ka rrezik dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në spërkatës për pastrim të zyrave ose për spërkatjet e pemëve e që nuk ka rrezik për jetën”, kanë thënë burimet brenda policisë të bazuara në deklaratat gojore të IKShP-së.
Por, sipas policisë, për më shumë do të tregojnë analizat të cilat do të bëhen në laborator përkatës.
Janë gjithsej 4 500 zarfe me vota të cilat kanë arritur në njërën nga degët e Postës në Prishtinë nga dy zyrtarë serbë e për fatin e të cilave nuk ishte marrë asnjë vendim nga anëtarët e KQZ-së.
Pas hetimeve do të vendoset nëse të njëjtat do të pranohen si të rregullta apo do të asgjësohen.