3.8 C
Pristina
Sunday, December 15, 2024

Ja si u zgjidh vëllavrasja mes shqiptarëve të Kosovës nga një profesor e pesë studentë

Rekomandime

“Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit” — Kështu ftonte Adem Demaçi rininë e Kosovës nëpërmes romanit “Gjarprijt e gjakut” për t’i dhënë fund vëllavrasjes.

Adem Demaçi është një kapitull me rëndësi të veçantë në këtë lëvizje, është fryma motivuese e studentëve që morën iniciativën për t’i pajtuar shqiptarët mes vete. Romani “Gjarprijt e gjakut”, sado i veshur nën petkun letrar, në të vërtet kishte një mesazh politik kombëtar drejtuar bashkombësve për të braktisur konfliktet mes tyre, veçanërisht gjakmarrjen.

- Advertisement -

Demaçi, duke parë se si gjarpërinjtë e gjakut bashkë me gjarpërinjtë e sistemit pushtues po na i merrnin gjakun, po e varfëronin dhe po e rrezikonin jetën e shqiptarëve, atë substancën dhe mbijetesën tonë kombëtare në trojet tona shekullore, duke qenë i pa kompromis fton fuqishëm popullin, posaçërisht rininë shqiptare, t’i japë fund vëllavrasjes.

“Mshoju edhe pak, mshoju, e naljau turrin ktyne gjarpnojve t’gjakut, qi po munohen hala me ecë e me i përlye me marre kto malet tonat, me i fëlliqë kit dhe tonin!… – Nalni!…. Nalni!… Shtypjauni kryet!….”.

Si filloi aksioni Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë?

- Advertisement -

“Nuk janë forcat policore serbe ata që po vrasin demonstruesit në Kosovë. Por, vrasjet po i bëjnë shqiptarët mes vete sipas ligjeve të Kanunit të Lekës”. Ishte kjo deklaratë zyrtare e Beogradit që motivoi rininë shqiptare t’i pajtojë gjaqet e t’ia tregojë botës agresorin e vërtetë.

Është e vërtetë se mijëra familje në Kosovë ishin të hasmëruara dhe kërkon gjak, ata pretendonin se u ishte bërë padrejtësi. E brenda një shteti ku nuk gjen drejtësi, atë duhet ta bësh vetë, përmes grykës së pushkës, kështu besohej atëkohë.

- Advertisement -

Për gjaqet, historikisht ka pasur lëvizje që inicionin faljen e tyre. Kjo gjë asnjëherë nuk i pëlqeu Beogradit. Ata preferonin që populli ynë të vetëvritej. Rrjedhimisht, kur një familjes shqiptare i vritej sugari, ata mirë e dinin se kush ishte dorasi, por shteti Jugosllav parapëlqente të mos vepronte.

Familja viktimë, meqë shteti nuk i sillte drejtësi, duke mos gjykuar arsyeshëm dhe të verbuar për hakmarrje, shpesh nxjerrin hak vet. Këtë praktikë barbare Beogradi e përdorte për të vrarë shqiptar gjatë demonstratave që mbaheshin anë e kënd Kosovës.

Vetëm brenda katër ditëve, nga 27 janari deri më 31 janar 1990, Policia e Serbisë vrau dhe plagosi mbi 100 demonstrues. Beogradi nuk e pranonte, përkundrazi thoshte se shqiptarët2 po vriten mes vete sepse vëllavrasjen e kanë në gjak. Kjo deklaratë e rrejshme e mërziti dhe zemëroi rininë shqiptare.

Ideorja e aksionit — Have Shala Gërguri, këtë ide e diskutoi me Myrvete Dreshajn, Brahim Dreshajn e Lulëzim Etemajn, derisa po pritnin të largohej një autoblindë në hyrje të Pejës, pastaj për t’u futur në qytet. Për të biseduar lidhur me finalizimin e kësaj ideje, ata u takuan në shtëpinë e Adem Grabovcit, që tanimë ishte bërë pikëtakim për organizimin e demonstratave. Aty, të pestë, studentë dhe ish-të burgosur, hartuan planin për të realizuar Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë.

Porosia e Anton Çetës

“Të bëni çmos, që deri në Vitin e Ri të mos ketë më asnjë gjak të pa falur në Kosovë. Të ndikojmë me fjalën tonë të urtë, të shtrihet dora e pajtimit. Pse të bartim këtë barrë të rëndë e të neveritshme, kur na fisnikërojnë virtyte të tjera të larta nga tradita, si besa, bujaria, mikpritja, gajreti. TA ZHDUKIM, PRA, PLAGËN E GJAKMARRJES. TA ZHDUKIM!”, thoshte Anton Çeta për “Zërin e rinisë” më 7 prill 1990.

Anton Çeta edhe pse në moshë të shtyrë nuk la dy gurë bashkë pa i lëvizur vetëm që të falen gjaqet. Menjëherë pasi studentët e kërkuan ndihmën dhe përkrahjen e tij, Çeta u dashurua në këtë lëvizje. E mori ngryk dhe nuk e lëshoi derisa u falen gjaqet.

“Disa të rinj me një profesor, me një burrë, me një pleqnar… pastaj erdhën edhe profesorë e intelektualë të tjerë. Pastaj erdhën të gjithë. Kosova po i fal gjaqet, po e braktis zakonin e zymtë të gjakmarrjes. Çelni udhë rinisë…”, porosia e Anton Çetës.

Profesori kujton çastet më prekëse të këtij aksioni. Momente kur sytë e një pleqnari rrjedhin lot.

“Më kujtohet një rast kur në fakultet kisha një student shumë të mirë. Vitin e parë të studimeve ai mori notë të shkëlqyeshme. Ishte shumë simpatik dhe i zellshëm. Por, ai nuk erdhi në provimin e vitit të dytë, po ashtu as në vitin e tretë. Ç’ndodhi? Erdhi në vitin e katërt, pas dy vjetësh “pushim”. Kur e pashë, i thash: “Po pse s’erdhe në provim, morë djalë?”. “Profesor, – tha, – s’kam mundur se jemi në gjak! Jemi të ngujuar! Ata nuk na kanë dhënë besë, por sot kam ardhur tinëz!”. — Anton Çeta.

“Në Llaushë të Drenicës, kur Nezir Vojvoda fali gjakun e të birit, e ky ishte djali i tretë që kishte humbur jetën tragjikisht. Ai na priti, na fali gjakun dhe na përcolli si burrat, por kur dolëm, mendova: Ky burrë tashti do të mbetët vetëm…”. Atëherë më shpërtheu vaji, por ja kjo është jeta, fati ynë”. — Anton Çeta.

Gjakun e falën edhe gratë

“Ne insistuam që edhe gratë të jenë pjesë e aksionit. Ishin ato që bartnin peshën më të rëndë të dhembjes, por edhe të barrës së punëve, të cilat nuk mund t’i kryenin burrat e hasmëruar”, – Have Shala Gërguri.

“Kujtojmë një rast kur dy vëllezër kishin për të falur një gjak, por vëllai i vogël nuk donte ta falte. I thamë të shkonte të këshillohej me anëtarët e familjes. Rastisi që në atë familje të ndodhej t ezja si mysafire; grua plakë, por burrneshë. Ajo e bindi vëllanë e vogël për dhjetë minuta dhe e solli për krahu: “Nuk duhet të ndodhë kurrë gjakmarrja! – tha ajo. – Çohuni n’këmbë dhe merruni ngrykë!”.

“Në Saknoc të Drenicës, një familje kishte mbetur me pesë motra, dy të vogla fare. E madhja, Hyra, ishte zot shtëpie, madje i kishte kaluar edhe koha e martesës nga dëshira për ta marrë gjakun e babës! Ajo kishte sakrifikuar rininë e saj, por fjala e mirë e rinisë, e studentëve ia kishte zbutur zemrën dhe një ditë u ngrit midis burrash e tha “Ju qoftë falë gjaku i babës”!

“Në emër të Kosovës dhe të rinisë kosovare, e fali gjakun e babait”, do të dëgjohej një çun i vogël në Verrat e Llukës. E dom Lush Gjergji e ngreh çunin mbi supet e veta para 500 mijë vetave që morën pjesë në tubim.

U pajtuan gjaqet, për t’ia nisur luftës çlirimtare

Në odat dhe sheshet e pajtimit ku u falen gjaqet, çdo pjesëmarrës e kuptoi se ne u pajtuam për të mos ia kthyer kurrë pushkën vëllait, por armikut që deri atëherë kishte qenë i pamëshirshëm për ne.

“Vazhdimisht e kemi sqaruar nevojën e përgatitjes për luftën e pashmangshme të armatosur si mjet për arritjen e çlirimit, lirisë dhe statusit të Republikës së Kosovës, kërkesë e cila, si në pranverën studentore në vitin 1981, po shtrohej nëpër demonstrata që po mbaheshin ato ditë nëpër tërë Kosovën dhe me emrin e së cilës në gojë po korreshin nga plumbat e forcave serbe dhe po binin dëshmorët e parë në vitin 1990”. — Adem Grabovci.

“Sot po ju kërkojmë faljen e gjakut, nesër do t’ju kërkojmë meshkujt për luftë”, ishte shumë shpresëdhënëse dhe po mirëpritej me të madhe.

Sipas të dhënave jozyrtare, gjatë këtij aksioni u pajtuan mbi 5 mijë familje. Pak vite më vonë, në Kosovë filloi lufta dhe populli u armatos. Imagjinojeni se çfarë do të ndodhte sikur populli ynë i vogël të hynte në luftë me 5 mijë familje të hasmëruara.

Vetëm pas përfundimit të luftës çlirimtare, Kosova do ta kuptonte se pjesë e këtyre tubimeve madhështore kishte qenë edhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

Ish të hasmëruarit shpesh fati i ka takuar në krye të rrugicave kur ushtria serbe po ua bombardonte fshatin; në kolonat për t’u dëportuar drejt jugut; në grupet e meshkujve për pushkatim masiv; në kampet refugjate në Shqipëri e Maqedoni; në radhën e ushtarëve të UÇK’së.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit