1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Jakup Krasniqi me një fjalim në Speciale: Jam krejtësisht i pafajshëm, më vjen turp që po jetoj në këtë kohë

Rekomandime

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë para Gjykatës Speciale në seancën dëgjimore pas dorëzimit të aktakuzës së re, me ndryshime, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e dorëzoi në gjykatë më 29 prill.

Krasniqi u deklarua i pafajshëm, ndërsa pati një fjalim të gjatë kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti nëse e ka marrë aktakuzën e re dhe nëse i ka lexuar akuzat, raporton Gazeta Express.

- Advertisement -

“I nderuari gjyqtar, zonja dhe zotërinj të të gjitha segmenteve të drejtësisë që jeni të thirrur të mbroni dhe të bëni drejtësi, kërkoj që të më kuptoni drejt. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet më mënyrën më të qartë në raport me më të fortin, por për më të dobtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë, sado e rrezikshme të ishte dhe është edhe sot, nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë”, tha fillimisht Krasniqi.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se nuk do ta besonte kurrë që do të akuzohej me akuza të mbështetura në gënjeshtrat e Serbisë. Tha se i vjen turp që jeton në këtë kohë.

“Sot po i them disa fjalë. Mbase jam gabim, por kurrë nuk kisha besuar po të mos ishte ky rast se juristë të shkulluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngrisin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë lirinë, jetën e të drejtën e individit, e madje e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe. Mua më vjen turp që po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë”, tha Krasniqi.

- Advertisement -

Ai tha se gjatë luftës në Kosovë, “nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit, të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”.

“Luftërat dhe padrejtësitë nuk janë vepra të të virtytshme, por kjo e fundit nuk vlen për luftërat për jetë, për liri e për çlirim”, theksoi Krasniqi.

- Advertisement -

Në fund të fjalimit, ai tha se i ka lexuar akuzat e reja dhe se nuk e kupton. Krasniqi kërkoi që gjyqi të fillojë sa më shpejt.

“Unë z. gjyqtar, i kam lexuar dokumentet, aktakuzën, edhe këtë shtesën e fundit, dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe aktakuzën e parë, edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm. Dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim”, tha ai.

Paraprakisht, në Speciale u paraqitën ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës dëgjimore.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit