2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Joe Dioguardi: Njohja nga Izraeli është një fitore e madhe dhe e rëndësishme për Kosovën

Rekomandime

Ish-Kongresisti Joe DioGuardi dhe kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për marrëveshjen e normalizimit ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, rolin e ShBA’së në dialog dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë. Ai ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli ka qenë rezultati më i mirë i arritur për Kosovën në Shtëpinë e Bardhë.

- Advertisement -

DioGuardi i cili ka qenë avokues për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës qysh në mandatin e parë të tij si anëtar i kongresit amerikan në fund të viteve të 80’ta, ka thënë se Kosova duhet të mbajë lidhjen e veçantë me ShBA’të pavarësisht se cila administratë është në Washington pasi shqiptarët gjithmonë kanë punuar me dy partitë, Demokrate dhe Republikane.

Kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane u shpreh se ShBA’ja ka qenë shtyllë e Kosovës në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

Gazeta Express: Të premten e kaluar në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Si e shihni këtë marrëveshje dhe a është përfituese për Kosovën?

- Advertisement -

Joe DioGuardi: Së pari më lër të them një gjë drejt në fillim: Rezultati më i mirë i takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli. Ky është një hap I rëndësishëm për të rritur qëndrueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Populli i Izraelit dhe shqiptarët gjithmonë kanë ndarë një miqësi unike që daton nga ditët më të errëta të Holokaustit kur shqiptarët rezistuan për të shpëtuar hebrenjtë, duke rrezikuar edhe jetët e tyre. Kështu që njohja nga Izraeli është një fitore e madhe dhe e rëndësishme për Kosovën dhe jam i gëzuar për këtë. Pjesa tjetër e marrëveshjes duket e mjegullt, thënë më së buti dhe mos të harrojmë që nuk është një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse. Për sa kohë që jep rezultate në përbërësit ekonomikë që ofrojnë vende pune për Kosovën, megjithatë, do të ishte një marrëveshje e dobishme. Por përderisa ajo ndodhë, rezultati më i mirë i marrëveshjes ishte njohja nga Izraeli.

Gazeta Express: A mendoni se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të marr rol udhëheqës në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë që do të përfundonin në njohje reciproke apo duhet të lihet tek Bashkimi Evropian për ta përmbyllur këtë çështje?

- Advertisement -

Joe DioGuardi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shtyllë e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Por ta kemi të qartë, miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës kanë qenë në Kongresin amerikan. Roli i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qenë jetik në të mësuarit (informimin) e anëtarëve kyçë të Kongresit, të cilët më pas punuan me ne për formësimin e politikës së jashtme të ShBA-së në favor të kërkesave legjitime dhe të drejta për liri dhe pavarësi. Vërtet, përpjekja e vështirë e Kosovës për liri dhe pavarësi për herë të parë është ngritur në Kongresin e ShBA-së në vitin 1986, kur unë isha anëtar i Kongresit dhe e kisha paraqitur rezolutën e parë kongresiste në përkrahje të shqiptarëve në Kosovë. E njëjta rezolutë ishte paraqitur në Senatin e Shteteve të Bashkuara, me kërkesën time, nga senatori i atëhershëm, Bob Dole. Të mos harrojmë se ne gjithmonë kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë në bazë dypartiake dhe kjo ka qenë një formulë e rëndësishme për suksesin tonë. Historia na tregon se pa përfshirjen e ShBA’së, Kosova nuk do të ishte e suksesshme sa ka qenë. Dua të jem i qartë se suksesi i brendshëm në Kosovë mbetet i diskutueshëm, thënë më së paku. Korrupsioni i përhapur gjerësisht dhe nepotizmi politik kanë qenë një problem i madh për Kosovën. Më vjen keq të shoh se pas më shumë se 20 vjetëve pas çlirimit të Kosovës dhe rreth 12 vjet pas pavarësisë së saj, ajo mbetet një vend i varfër. Pa një ekonomi të fortë, pavarësia e Kosovës mbetet vetëm një fakt në letër. Megjithatë, kam shpresë se po i afrohemi fundit të kësaj epoke të nepotizmit politik dhe korrupsionit. Duket se kemi një gjeneratë të re të liderëve të rij, të zgjuar dhe të edukuar mirë që po del në sipërfaqe. Unë besoj se këta individë ndikojnë në të ardhmen e Kosovës në një mënyrë shumë pozitive. Një gjeneratë e liderëve të këtillë në fakt mund ta bëjë Kosovën vendin që e meritojnë shqiptarët – të lirë, të fuqishme dhe të begatë – dhe anëtare të plotë të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë BE-në. Prandaj, përfshirja dhe përkrahja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën nuk do të duhej të trajtohej si ekskluzive në mënyrë reciproke, si ajo e BE-së. Kosova ka shumë aleatë të rëndësishëm në BE-, siç janë Gjermania, Zvicra, Britania e Madhe, për shembull. Perspektiva e anëtarësimit evropian të Kosovës kurrë nuk duhet të anashkalohet, por lidhja e veçantë me Shtetet e Bashkuara duhet të ruhet gjithmonë.

Gazeta Express: Më 3 nëntor do të mbahen zgjedhjet presidenciale në ShBA. Nëse kandidati demokrat Joe Biden fiton zgjedhjet, çfarë do të ndryshojë në politikat amerikane ndaj Kosovës dhe a do të implementohet marrëveshja për normalizimin ekonomik e nënshkruar më 4 shtator?

Joe DioGuardi: Më duhet ta them se zgjedhjet e ardhshme presidenciale në ShBA do të sjellin një ndryshim të rëndësishëm jo vetëm për ShBA’në por edhe për botën gjithashtu. Duhet ta kuptoni se ne kemi një lidhje të veçantë me Joe Biden. Unë si një republikan dhe bashkëshortja ime si një demokrate kemi punuar me Bidenin shumë sidomos kur ai ka qenë në senatin amerikan dhe ka shërbyer si Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senat.

Bideni gjithmonë ka qenë një përkrahës i lirisë së shqiptarëve dhe i pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në një mënyrë, e kemi borxh ta përkrahim atë në garën për president. Vërtet, unë sapo i jam bashkuar një grupi të madh të ish-zyrtarëve republikanë, të cilët ia kanë ofruar përkrahjen Bidenit për president.

Por siç e kam thënë edhe më parë, kjo nuk duhet të interpretohet si anim i joni për demokratët kundër republikanëve. Ne gjithmonë kemi punuar me të dy partitë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në interes të kauzës kombëtare shqiptare.

Nuk është e lehtë të parashikohet rezultati i zgjedhjeve tona presidenciale, por unë personalisht pres një fitore të Bidenit, sepse ka shumë realitete pikëlluese që e kanë definuar Administratën e Trumpit, sidomos së voni dhe pas kësaj pandemie globale, për të cilën ekspertët në Amerikë thonë se ka mundur të menaxhohet në një mënyrë shumë më të mirë.

Sa i përket Kosovës, pavarësisht se kush përfundon si Shef në Shtëpinë e Bardhë, marrë parasysh historinë dhe lidhjet tona me liderë të rëndësishëm në Kongresin amerikan nga dy anët e shtegut, ne do të vazhdojmë të jemi avokati më i rëndësishëm dhe thelbësor i Kosovës në Capitol Hill.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit