-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Kaq vite burg mund të dënohet Molliqaj nëse ndaj tij ngritet aktakuzë

Rekomandime

Në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe nëse ndaj të njëjtit shqiptohet dënim nga gjykata, ky i fundit mund të dënohet me 6 muaj deri në 5 vite burgim efektiv për veprën “sulm ndaj personit zyrtar”.

Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net avokati i lëmisë penale, Asdren Hoxha, duke iu referuar nenit 402, paragrafit 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

- Advertisement -

Kodi Penal i Kosovës e rregullon çështjen në fjalë. Përcakton në nenin 402 paragrafin 2 përkatësisht paragrafin 4 veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar. Neni 402 paragrafi 2 përcakton dënim nga 6 muaj deri në 5 vite, kurse paragrafi 4 i të njëjtit nen përcakton dënim nga 1-8 vite”, deklaroi Hoxhaj për lajmi.net.

Ai shpjegon edhe dallimet mes paragrafit 2 dhe 4 të Kodit Penal, të cilët specifikojnë rrethanat e kryerjes së veprës penale në fjalë.

“Dallimi në mes paragrafit 2 dhe paragrafit 4 të nenit 402 të KPRK-së është se paragrafi 2 vjen në shprehje kur bëhet fjalë vetëm për sulm ndaj zyrtarit, në këtë rast policit, kurse paragrafi 4 përcakton pra lëndim më të rëndë, respektivisht nëse polici ka pësuar lëndim trupor”, njoftoi më tej ai.

- Advertisement -

Siç përkufizon neni 402, pika 1 dhe 2 e Kodit Penal, “1. Kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare, në lidhje me detyrat zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”.

“2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1 përfshin gjyqtarin, prokurorin, policin, zyrtarin doganor, zyrtarin korrektues, në lidhje me detyrat zyrtare, sigurinë e përgjithshme, sigurinë e Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.

- Advertisement -

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që Molliqajt dhe aktivistit të PSD-së, Adem Megjuani, t’u caktohet masa e paraburgimit prej një muaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të ndaluarve, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, për lajmi.net.

Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate e konsideron si politik arrestimin e aktivistit Megjuani dhe arrestimin e mbrëmshëm të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj. Kësisoj, ata kanë paralajmëruar veprime ndaj këtyre zhvillimeve.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit