1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Këshilltarja e Pacollit i reagon VV’së: Mos e kafshoni dorën amerikane që duhet ta puthni

Rekomandime

Këshilltarja e Presidentit të AKR-së, Rejhan Vuniqi, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me kthimin e Behgjet Pacollit në Kosovë, transmeton Gazet Metro.

- Advertisement -

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sulmet verbale ndaj Pacollit, ndërsa ka akuzuar VV’në edhe për prishjen e raporteve me ShBA’në.

Postimi i plotë:

Rasti më i fundit i sulmeve të administratës Kurti ndaj zotëri Pacollit është letra e lakmusit për të kuptuar sesa e vjetër është në mendësi një politikë që ka fituar vota duke u paraqitur si forcë e re. Pikërisht, arroganca, mosmirënjohja, dehumanizmi, mungesa e fantazisë, agresiviteti kolektiv sipas modelesh të vendeve lindore, nxitën atë që në favor të zotëri Pacollit të shfaqeshin mijëra komente mbështetës. Shumica e heshtur e qytetarëve, e dhunuar nga pakica agresive doli në sipërfaqe dhe nxiti një dinamikë të re në përplasjet në opinion. Këtë humbje terreni e ndjenë dhe ideologët e Vetëvendosjes, që dikur hoqën dorë nga sulmet. Mirpo ja rifilluan prapë kur ju duk sikur mund të merreshin me një shprehje shqetësimi njerëzor të dikujt që kthehej në Kosovë pas dy muajsh izolimi, dhe që bombardohet nga sulme të egra verbale të kryeministrit, këshilltarëve të tij apo zvëvendësministrit të brendshëm dhe ushtrisë dixhitale të pakicës që kërcënon, linqon këdo që mendon dhe vepron ndryshe tyre. Mirpo si e thashë më sipër ka një mungesë fantazie shpesh në retorikën e tyre. Ndonëse zotëri Pacolli i ka votuar, i ka dorëzuar detyrën në një ceremoni model, nuk ka votuar për shkarkimin e qeverisë së tyre, përgjigja mosmirënjohëse e tyre ka qenë kundër çdo tradite njerëzore, politike të Kosovës dhe botës perëndimore. Dhe në sulmet ndaj tij, të frikësuar nga vota e shpallur pro qeverisë së re, diqka në traditën e AKR-së, që e ka mbështetur çdo qeveri, njerëzit e VV po veshin rrobat e ndyta të propagandës kundër zotëri Pacollit që i kanë përdorur në 15 vjet gjithë kundërshtarët e tij. Duke harruar se pështyma që hedh lart, të bie në fytyrë. Si ish-zëvendësministre e jashtme do doja të përmendja një aspekt shumë të rëndësishëm. Nuk ka akt më të rëndë dorëzimi përballë aleancës serboruse sesa të prishësh marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo prishje marrëdhëniesh nuk është incident i shkëputur: është linjë politike, diplomatike e kahmotshme. Janë kundërshtuar rregullisht dhe publikisht prej administratat amerikane, demokrate apo republikane: Klinton, Bush i ri, Obama dhe më në fund Trump. Po sulmohet, po linçohet i dërguari i ri amerikan për dialogun, Richard Grenell, i cili në rang është më lart sesa ishte përshembull i dërguari i Departamentit të Shtetit në 1999, Richard Hollbruk. Po sfidohet Presidenti Trump, aq sa kritik ndaj Kosovës janë pozicionuar: Këshilltari i sigurisë kombëtare O Brien; Shefi i CIA-s; djali i Presidentit Trump dhe njëherësh këshilltar i tij; dy senatorë;. Çfarë presin emisarët e Vetëvendosjes të na shkatërrojnë këto marrëdhënie? Të flasë Presidenti Trump? Kë duan si ndërmjetësues njerëzit e Vetëndosjes pasi kanë kritikuar si të dështuar dialogun me ndërmjetësimin e BE-së në 20 vjet? Nuk i duan amerikanët? Duan Lajçakun sërish, kur e shanë zonjën Mogherini? Njerëzit e Vetëndosjes pa kurrfarë eksperience në diplomaci, ndonëse zotëri Pacolli ua tha në Kuvend se historia nuk fillon me ju, po flasin për çnjohje. Ky është një term i përdorur rregullisht nga propaganda serbe dhe i mohuar nga të dërguarit amerikanë si Palmer përshembull, i cili flet për “ngrirje të njohjes” në ndonjë rast. Kurrë ne nuk kemi pranuar një koncept që nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare si tërheqja e njohjeve, për të cilën nuk ka as nota verbale. E vërteta është se kemi të bëjmë thjesht me kontrabandim letrash të ndonjë zyrtari të vendeve njohëse të cilat kanë përfunduar vetëm e vetëm në dorën e Daçiqit dhe mediave serbe, përforcuar nga mediat tona destruktive. Tani dhe nga politikanë destruktivë në pushtet. Më në fund, politikanët e Vetëvendosjes, grandomanë dhe egocentrikë le të na sjellin një njohje të re, meqënëse historia fillon me ta. Le t pyesin veten: a kanë ndonjë lidhje në mos Afrikë, në Azi, apo Amerikë Latine? A ka ndonje lidhje Kosova në këto kontinente jashtë rolit gjigand të Behgjet Pacollit, i cili i vetëm nga politika kosovare, ka sjellë afro 45 njohje mbi themelet e asaj që ka arritur politika amerikane? Të ashtuquajturat çnjohje për të cilat flasin të papjekurit e shtetit tonë tanimë në role ekzekutive, nuk mund të frenohen me vetëviktimizim duke i kërkuar Serbisë të ndalë fushatën e vet. Armikut nuk mund ta mësosh se çdo të bëjë kundër teje. As me grandomaninë e pakuptimtë të zotit Kurti që i kërkon administratës amerikane të urdhërojë Serbinë të ndalë fushatën e çnjohjeve. Jo, ajo arrihet duke forcuar marrëdhëniet me SHBA-të, dhe jo duke i shkatërruar ato si po bën zoti Kurti. Dora që duhet puthur, nuk kafshohet të nderuar zotërinj! Jeni duke na nxjerrë të vetmuar në luftë diplomatike përballë aksit serborus. Jeni duke na prishur madje dhe me Shqipërinë! Kujtoni rastin e Xhamajkës, një vendi mik i SHBA-ve!! Pse ne dështuam? Sepse ne, nën udhëheqjen e zotit Kurti dhe antiamerikanëve që ai ka në enturazhin e tij, jemi duke sulmuar rregullisht Amerikën!!

- Advertisement -

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit