4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kjo është arsyeja pse Grenell kërkoi shkarkimin e Kurtit, ja pse e kushtëzoi LDK-në

Rekomandime

Tema e rrëzimit të Qeverisë Kurti është rikthyer në qendër të debateve publike, pas deklaratës së fundit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Gashi, ka treguar se ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzonin Qeverinë Kurti 1.

- Advertisement -

“Ne e kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për ta rrëzuar Qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6, 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, thotë Gashi për “Bota sot”.

Profesori Enver Bytyçi i ka komentuar këto prapaskena të rrëzimit të Qeverisë Kurti I, bazuar në deklaratën e Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se që nga fillimi është ditur se nuk ka qenë Agim Veliu shkaku i rrëzimit të Qeverisë Kurti I, por refuzimi i Kurtit për ta nënshkruar projektin e ndryshimit të kufijve në Uashington.

- Advertisement -

“Po. Është e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e zgjidhi kontratën me Vetëvendosjen në Qeverinë Kurti 1 për shkak të Agim Veliut. Agim Veliu u përdor si karrem për të zbatuar një projekt të caktuar, të cilin e kishin nisur Aleksandër Vuçiqi, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, projektin e ndryshimit të kufijve. Kurti nuk pranoi që të shkonte në Uashington për ta nënshkruar një projekt të tillë. Duhej rrëzuar Kurti, që projekti të firmosej në praninë e me mirëkuptimin e një kryeministri tjetër. Ky kryeministri tjetër e ka emrin Abdullah Hoti”, deklaroi profesori.

Mirëpo, sipas Bytyçit për këtë marrëveshje nuk ishte vendimmarrës Hoti, por Thaçi dhe Mustafa. Ai u shpreh se projekti për ndryshimin e kufijve do të futet në histori me shkronja të zeza, bashkë më ata që i shërbyen Serbisë.

- Advertisement -

“Por, nuk ishte Hoti vendimmarrësi. Vendimmarrjen e kontrollonte Thaçi dhe e shërbeu Isa Mustafa. Histori të trishta, histori që do të shkruhen me germa të zeza për figurat e zeza që i shërbyen me aq zell Serbisë. Fatmirësisht dikush u kujdes që firma për ndryshimin e territoreve në Ballkan të mos realizohej, pra që projekt-marrëveshja të mos firmosej, sepse atë ditë qershori 2020 Thaçi u shpall si i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në Hagë. Firmëtari Thaçi në emër të Kosovës u detyrua të zbresë nga avioni dhe të mos shkonte në Uashington. Të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri Hoti, i cili duhet të jetë i lumtur që i shpëtoi pjesëmarrjes në një akt tradhtie ndaj atdheut të tij”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori potencoi se që nga ajo kohë, u vë në pah roli i Grenellit dhe qëllimet e tij për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi.

Po ashtu, ai e komenton edhe politikën me të cilën Isa Mustafa e drejtonte LDK-në.

Që në ato kohë ne e dimë se cili ishte roli i Richard Grenell-it, i ngarkuar i presidentit Trump për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi dëshmitarë të presionit që Grenelli i bëri qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Të gjithë në Kosovë e dinë se Lidhja Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa bënte një politikë dyshe. Nga njëra anë deklarohej se ishte kundër ndryshimit të kufijve dhe të territoreve, nga ana tjetër nuk distancohej nga Hashim Thaçi dhe deklaratat e tij për ndarjen e Kosovës. Në fund u bë pjesë, madje me rol kryesor në komplotin kundër qeverisë Kurti 1”, nënvizoi Bytyçi.

Në vazhdim, ai thotë se më e turpshmja në këtë mes është fakti i linçimit të presidentes Osmani dhe përjashtimi i saj nga LDK-ja. Duke u bazuar në këtë Bytyçi deklaroi se Mustafa, Hoti, Veliu dhe Gashi duhet tu kërkojnë falje të gjithë rugovistëve, përfshirë edhe presidentes Osmani.

“Më e turpshmja ishte se iu kundërvunë Vjosa Osmanit, e cila mori një pozicion të hapur kundër këtij vendimi. Në vend që të kërkonin ndjesë, ata e nxorën Vjosën jashtë partisë. Ndërsa, tani unë e shoh si pozitiv faktin se ata e pranojnë se iu nënshtruan presionit të Richard Grenell-it. Deklarata e Arben Gashit është e sinqertë. Por të gjithë ata që votuan dhe punuan për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 duhet të kërkojnë ndjesë. Zoti Gashi nuk e bëri këtë. Duhet t’i kërkojnë ndjesë anëtarëve të LDK-së, atyre politikanëve që i linçuan dhe i dëbuan, përfshirë Vjosa Osmanin. Duhet t’i kërkojnë ndjesë elektoratit të Lidhjes Demokratike. Duhet t’u kërkojnë ndjesë rugovistëve, sepse në këtë aventurë Isa Mustafa, Hoti, Agim Veliu dhe vetë Arben Gashi spekuluan me Rugovën”, thotë ndër të tjera profesori.

Megjithatë, Bytyçi vlerëson se deklarata e Gashit të LDK-së nuk është dhënë në kohë të duhur. Madje, ai parashikon se LDK-ja do të dëmtohet në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me 14 nëntor nga këto deklarime.

“Deklarata e Arben Gashit është e pavend për kohën që u dha. Nuk e di nëse ai ka dëshiruar ta dobësojë ose jo pozicionin e partisë së tij në zgjedhjet lokale të 14 nëntorit në balotazh. Por, është fakt se kjo deklaratë e dëmton Lidhjen Demokratike në zgjedhjet e balotazhit. Mund të spekuloj dhe kjo nuk është gjë e mirë, por kam dronë se Arben Gashin e ka nxit dikush ta bëjë këtë deklaratë. Deklaruesi ndoshta nuk është thelluar pse është kjo nxitje. Por, kam përshtypjen se dikush nga garda e vjetër nuk e dëshiron suksesin e Lumir Abdixhikut. Ne shqiptarët lehtë shkojmë drejt parimit “Pas meje u bëftë qameti”!”, shpjegoi ai.

Tutje, profesori konsideroi se shumë politikanë shqiptarë harrojnë se Amerika është tërësia e institucioneve të saj përfshirë Presidentin, Senatin, Kongresin etj.

“Ndërkaq me këtë rast dua të theksoj vënien në dukje të një fenomeni shqiptar si në Shqipëri dhe në Kosovë, se i nënshtrohemi lehtë konceptit se gjithkush në SHBA përfaqëson interesat e Amerikës dhe spekulojmë me sentimentin pro-amerikan të shqiptarëve. Shumë shpejt i etiketojmë njerëzit në pro ose anti-amerikanë. Edhe ndonjë deklaratë të një funksionari ose diplomati të ulët të SHBA-ve e interpretojmë si qëndrim amerikan. Harrojmë se Amerika është tërësia e institucioneve të saj përfshirë Presidentin, Senatin, Kongresin, Departamentin e Shtetit, Komisionin e Jashtëm të Kongresit etj. Nuk është Amerika vetëm një segment i këtyre pushteteve”, thekson Bytyçi.

Në fund, ai thotë se Rama edhe tani, dhe Thaçi dikure nxisnin klimën pro dhe anti-amerikane, me qëllim që të shpallen si aleatë të SHBA-ve.

Sipas, profesorit Bytyçi përkrahja e Isa Mustafës për Ramën dhe Thaçin i kushtoi LDK-së me rënie drastike elektorale në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Më e keqja është se ka liderë shqiptarë, si Rama dhe Thaçi, të cilët ushqejnë dhe nxisin klimën pro dhe anti-amerikane, me qëllim që të shpallen si aleatë të SHBA-ve, për t’i klasifikuar kundërshtarët si anti-amerikanë. Në fakt kjo kategori politikanësh nuk e duan Amerikën, për pasojë as Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Në këtë llum intrigash ra Lidhja Demokratike. Për mendimin tim Isa Mustafa ishte i vetëdijshëm në këtë aventurë pro-serbe. Të tjerët mund t’i kenë besuar atij barbarisht. Prandaj dhe LDK-ja e pagoi koston e këtyre qëndrimeve në zgjedhjet e 14 shkurtit të kaluar”, përfundoi Enver Bytyçi, për “Bota sot”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit