-0.1 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Komandanti i KFOR-it: FSK-ja duhet të marrë miratimin tim për t’u vendosur në veri të Kosovës

Rekomandime

Ferenc Kajari, komandanti i ri i KFOR-it, ka thënë se pa miratimin e tij nuk mund të bëhet vendosja e forcave të FSK-së në veri të Kosovës.

- Advertisement -

Në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, Kajari ka thënë se e ka ditur se detyra që po e merr është komplekse, por qysh në fillim është përballë me sfida të ndryshme.

“Situata aktuale është përgjithësisht e qëndrueshme dhe KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në baza ditore – mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje”, ka thënë Kajari.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas një marrëveshje të mëparshme, duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës. Policia e Kosovës mund të lëvizë lirshëm në mbarë Kosovën. NATO pret që institucionet vendase të vazhdojnë t’u përmbahen marrëveshjeve. Në javët e para jam takuar me krerët e institucioneve në Kosovë, të cilët më kanë siguruar se para çdo veprimi, do të ketë koordinim të duhur me Kosovën dhe vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të vazhdojë të bazohet në njoftimin dhe miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it”, tha ai për mediumin serb.

- Advertisement -

I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet e Kosovës po planifikojnë një aksion tjetër në veri, Kajari ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë dhe se po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të përkushtuar në zbatimin e mandatit që kanë.

Gjenerali hungarez ka folur edhe për patrullimet e përbashkëta me Ushtrinë e Serbisë.

- Advertisement -

“KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Ushtrinë e Serbisë, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë. KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Ushtrinë Serbe dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, për të garantuar sigurinë në mbarë Kosovën. Patrullimet e sinkronizuara me ushtrinë serbe do të vazhdojnë përgjatë kufirit administrativ”, ka thënë Kajari.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit