Në magjistralen Ferizaj-Shtime, përskaj rruge, dhjetëra shtylla betoni kanë zënë shtatin. Pikërisht në Koshare të Ferizajt rrjeti i ri elektrik po zëvendëson komplet rrjetin e stërvjetëruar që çdo dite po rrezikonte banorët derisa hall të madh ata kishin edhe me tension të dobët.
Këtij fshati, që gjendet në pjesën juglindore të Kosovës po i bëhet zgjidhje njëherë e mirë me energji elektrike. KEDS atje po investon rreth 100 mijë euro në rrjetin elektrik.
Trafo e re e cila po vendoset në këtë fshat, do të ketë kapacitetet të mjaftueshme për të përballuar kërkesën për konsum ndërsa 120 shtylla që po vendosen të betonit do të rrisin sigurinë në komunitet.
Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shërbime më kualitative të energjisë elektrike për banorët e asaj ane.
Se këto investime i kanë pritur për vite me radhë, e thotë edhe kryetari i fshatit Koshare, Sadik Qerimi.
“Dihet se ashtu sikurse në qytete dhe fshatra tjera, edhe këtu lufta ka bërë dëme të mëdha. Si dëme familjare ashtu edhe në rrjetin elektrik. Tash pas një periudhe, edhe pse ndërkohë është investu në pjesë më të vogla, me kërkesë tonën, KEDS ka marrë vendim me investu dhe me bë rrjet të ri. Me herët kemi pas probleme me tension të dobët por tash shpresojmë që me këto investime, nuk do të kemi më telashe”, tha Qerimi.
Ndërkaq, Ozman Osmani, Udhëheqësi i njërës ekip të KEDS që po realizon punimet në këtë fshat thotë se nga këto punime, banorët do të kenë shërbime dukshëm më të mira. “Me përfundimin e këtij projekti rritet siguria, rritet kapaciteti i furnizimit me energji elektrike, bëhet demontimi i shtyllave të vjetra dhe vendoset një trafo e re te Salla e Sportit”, shtoi Osmani.
Nga këto investime të kënaqur janë edhe vet banorët e fshatit. Madje ata i gëzohen mjaft shumë largimit të shtyllave të drurit të cilat po zëvendësohen me shtylla të betonit. “Për punën e KEDS ne jemi të kënaqur mjaft shumë sepse po hiqen shtyllat e drurit dhe po vendosen të betonit”, tha Remzi Jakupi, banor i këtij fshati.
Këto investime janë jetësim i përkushtimit të KEDS-it që të jetë sa më afër qytetarëve të Kosovës dhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimet për ta.