3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Kosnett tregon dy njerëzit që e frymëzojnë atë

Rekomandime

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka mbajtur një fjalim në Konferencën Vjetore të Prokurorëve. Kosnett ka thënë se Kosova nuk duhet të harrojë njerëzit si Anton Çeta. Ambasadori u ka bërë thirrje prokurorëve që mos të frikësohen nga llogaridhënia, përkundrazi duhet të përqafojnë atë.

- Advertisement -

“Fillimisht, më lejoni të falënderoj kryeprokurorin e shtetit Lumezi për ftesën për të folur sot gjatë konferencës vjetore të prokurorëve.  Fakti që sërish po ju drejtohem në mënyrë virtuale vetëm na i përkujton sërish testet e ndryshme me të cilat po përballemi gjatë kësaj kohe të padëgjuar.  Për fat të keq, nuk po flas vetëm për ndikimin e pandemisë.

Sot, nuk po kërcënohet vetëm shëndeti ynë, por edhe vetë demokracia.  Si të gjithë ju, edhe unë u trondita nga ngjarjet e kohëve të fundit në Uashington. Dhuna politike e 6 janarit ishte përkujtuese e zymtë e brishtësisë së demokracisë, rëndësisë së sundimit të ligjit dhe rrezikut të gënjeshtrave dhe keqinformatave.

Por, përkundër dhunës dhe përpjekjeve tjera për t’i përmbytur zgjedhjet tona, institucionet tona rezistuan dhe bartja e pushtetit po vazhdon në përputhje me Kushtetutën tonë. Jam i bindur se Amerika do të dalë më e fortë se kurrë nga kjo periudhë kritike, por përpara nesh ende kemi edhe shumë punë dhe shumë dhimbje.

- Advertisement -

Sadoqoftë shqetësuese ishin këto ngjarje, kjo nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet tona demokratike janë testuar. Më duket e udhës t’i kthehem historisë për udhëzime.  Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm.

Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë.  Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.  Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes.  Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë.

- Advertisement -

Në Shtetet e Bashkuarra të Amerikës, frymëzohem po aq nga jeta e gjyqtarit Elbert Tuttle (Elbert Tatël), gjyqtar i apelit në Gjorgji në kulmin e lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë gjatë viteve 1960.  Gjatë gjithë jetës së tij, gjyqtari Tuttle luftoi palodhshëm për liritë civile të afrikano-amerikanëve.  Atij shpesh i jepen meritat si njëri ndër arkitektët e heqjes së ndarjes raciale në jug.  Përkundër sulmeve të panumërta personale dhe kërcënimeve fizike, Tuttle vazhdoi me ngulm duke avancuar të drejtat civile për komunitetet e lëna anash.  Edhe pse ende mbetet shumë punë për të avancuar barazinë, përmes përkushtimit të një njeriu ndaj drejtësisë, premtimi i Gjykatës së Lartë për vendimet kundër ndarjes raciale u bë realitet. 

Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj historikë kur individët janë përballur me rrezikun për të mbrojtur vlerat që ata i vlerësojnë lart.  Madje edhe përderisa po ndodhte dhuna e fundit në Kapitol, heronj vetëmohues demonstruan guxim të madh me veprime të mëdha e të vogla. Shumë prej jush keni dëgjuar rrëfimin për personelin e Kongresit që patën mendjen dhe guximin për t’i ruajtur votat e Kolegjit Elektoral dhe për t’i siguruar ato.  Po e them sërish, këta janë qytetarë të rëndomtë, të cilët, kur u përballën me test, e bënë të duhurën – duke ndihmuar për të ruajtur dhe mbrojtur institucionet dhe vlerat tona demokratike.

Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri.

Dhe ju nxis t’i mbani këto standarde dhe të shërbeni si shembull në shoqëri edhe në jetën tuaj personale. Kjo përfshin edhe luftën kundër pandemisë – bartni maskën, bindjuni rregullave të orarit kufizues dhe zvogëloni kontaktin shoqëror për të shmangur rrezikimin e panevojshëm të jetës. Nëse prokurorët nuk i marrin këto masa seriozisht, atëherë kush?

Jam i bindur se ju do të tregoni forcën dhe zgjuarsinë e duhur për të rezistuar dhe mbizotëruar në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe ligjit. Sepse me fjalët e Të Përndershmit Martin Luther Kingut të Riut: „Një njeri përfundimisht nuk matet me qëndrimin që e merr kur është rehat e mirë, por me qëndrimin që e merr kur përballet me sfida dhe polemika” ka thënë Kosnett.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit