11.8 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Kosova assesi t’i bindë shtetet skeptike për liberalizimin e vizave

Rekomandime

Mesazhet që ka marrë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë vizitës që pati këtë javë në Francë, sipas njohësve të proceseve të integrimit evropian, duket se kanë zbehur edhe më shumë shpresat se Bashkimi Evropian mund të libera\lizojë shpejt vizat për Kosovën.

- Advertisement -

Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministri Albin Kurti tha se përfaqësuesit e këtij shteti nuk kanë ndërruar qëndrim sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, deklaroi kryeministri Kurti për televizionin publik më 23 qershor .

- Advertisement -

Mes tjerash, kryeministri tha se duhet punuar me Holandën dhe shtetet e tjera që janë skeptike për këtë proces.

Ndonëse nuk është thënë shumë zyrtarisht, po edhe Belgjika ka shprehur rezerva sa i takon mbështetjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.

- Advertisement -

Refuzimi sidomos i Francës dhe Holandës për të mbështetur këtë proces, lidhet me faktin se këto dy shtete i frikësohen një vale të mundshme të emigranteve nga Kosova, kurse arsyeja tjetër, është lufta e pamjaftueshme e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndonëse Kosova ka përmbushur thuajse të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, vendimi ka ngecur prej vitesh në Bruksel.

Sipas profesorit të së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka ngecur për shkak se qeveritë vazhdimisht kanë dështuar t’i bindin shtetet skeptike si Franca dhe Holanda.

Mazreku thotë se është e dëmshme nëse liberalizimi i vizave, tani të lidhet edhe me një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Në qoftë se Franca e mendon një gjë të tillë, nuk mendoj se kjo është në përputhshmëri me mënyrën e funksionimit të Bashkimit Evropian, nuk është në përputhshmëri me ato vlerat fundamentale mbi të cilat është ndërtuar BE-ja dhe nuk ka asnjë lloj baze juridike, mbi të cilën funksionin BE-ja e që në këtë rast është traktati i Lisbonës”, thotë Mazreku.

Mazreku mendon se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, duhet të nisë një ofensivë të takimeve dhe vizitave për t’i bindur shtetet e BE-së që të përkrahin heqjen e vizave për Kosovën.

“Është koha e fundit kur Kosova duhet ta ketë një mënyrë të funksionimit, se si Kosova i kontakton dhe se si Kosova zhvillon një politikë efektive te vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sepse ata janë aktorët kryesorë të cilët e përbëjnë atë që quhet politikë e vendimmarrjes në BE”, thotë Mazreku.

Për herë të parë, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me procesin e dialogut e lidhi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Duke folur në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, Lajçak tha se Kosovës nuk i është dhënë liberalizimi ende, pasi që BE-ja nuk ishte e kënaqur me ecurinë e dialogut me Serbinë.

Liberalizimin e vizave javëve të fundit, e kanë mbështetur disa shtete evropiane në mesin e të cilave Greqia, Austria, Kroacia dhe Italia.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit. /REL/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit