2.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Kriza energjetike në Evropë i troket te dera Kosovës

Rekomandime

Tashmë, kriza e ashpër energjetike, te shumë shtete të Evropës nuk është më të pragu i derës, por brenda në shtëpi.

Në rend të parë, ajo po shprehet me ngritjen enorme të çmimeve të gazit natyror, të karburanteve-naftës dhe benzinës dhe të energjisë elektrike. Sado që në Kosovë, tani për tani, kriza energjetike nuk po shpërfaqet drejtpërsëdrejti dhe nuk është e prekshme si në shumë vende të tjera të Evropës, ajo domosdo po troket te dera.

- Advertisement -

Shkruan: Mehmet Gjata

Evropa tash e sa ditë po alarmon për krizën energjetike që ka nis të shfaqet në shumë shtete të kontinentit të vjetër, por edhe më shumë për mundësitë e thellimit të kësaj krize në muajt në vijim. Tashmë, kriza e ashpër energjetike, te shumë shtete të Evropës nuk është më te pragu i derës, por brenda në shtëpi. Në rend të parë, ajo po shprehet me ngritjen enorme të çmimeve të gazit natyror, të karburanteve-naftës dhe benzinës dhe të energjisë elektrike.

Dita ditës këto çmime po ngriten me agresivitet të lartë, duke thyer të gjitha rekordet dhe duke shkuar në kuotat që Evropa nuk i mbanë mend ndonjëherë të ketë ndodhur kështu. Çmimi i gazit natyror në Evropë dje, më 5 tetor, që në fillim të ditës sërish ka thyer rekordin, duke arritur 1.250 dollarë për 1.000 metra kub, sipas të dhënave të berzës ICE. Ky çmim nuk ka ndodhur kurrë deri më tash në Evropë dhe as në botë.

- Advertisement -

Sipas përfaqësuesve të prodhuesve të gazit në botë, kërkesat gjithnjë në rritje për gaz, kanë ndikuar në çmimet rekorde, të cilat sipas zhvillimeve në të ardhmën e afërt ka mundësi fare lehtë të tejkalohën me rekorde të reja.

Në Itali, sipas agjencive botërore të lajmeve, Qeveria tashmë i ka paralajmëruar italianët të presin një rritje prej 40% të faturave të energjisë gjatë muajve të ardhshëm. Franca tha se do të shpërblejë me nga 100 euro mbi 5.8 milion familje me të ardhura të ulëta. Madridi gjithashtu i dërgoi një letër Brukselit duke kërkuar veprim në mbarë BE-në. “Ne kemi nevojë urgjente për të reaguar menjëherë ndaj rritjes dramatike të çmimeve”. Kanë alarmuar tashmë për krizën e pritshme edhe Holanda, Bullgaria Gjermania dhe shumë shtete të tjera evropiane.

- Advertisement -

“Rritja e çmimeve në Europë lidhet me rritjen e kërkesës për energji ndërkohë që po hiqen kufizimet e vendosura nga pandemia”, ka thënë Tim Gore, nga Instituti për Politikën Europiane të Mjedisit (IEEP).

Edhe kryeministri Edi Rama, këto ditë, në një konferencë të pazakontë alarmoi duke thënë se “kemi përballë një krizë të jashtëzankonshme energjetike, dhe Shqipëria nuk do të mbesë e paprekur”. Ai tha se shumë shpejt do të përballemi me çmime marramendëse. “Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, ka thënë Rama.

Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara.

Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi, është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar. Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 euro/MWh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/MWh, duke shënuar një rritje prej 182%.

Sado që në Kosovë, tani për tani, kriza energjetike nuk po shpërfaqet drejtpërsëdrejti dhe nuk është e prekshme si në shumë vende të tjera të Evropës, ajo domosdo po troket te dera. Dimri edhe te ne po ofron, stinë kjo kur gjithmonë kosovarët kanë pasur probleme energjetike, sidomos janë ballafaquar me reduktime të ashpëra të rrymës si rrjedhojë e mungesës së prodhimit në kapacitetet vendore elektroenergjetike dhe pamundësisë për shumë arsye për të siguruar energjinë e nevojshme nga importi. Një fije shprese në Kosovë ekziston se mbase kriza energjetike do të jetë paksa më e butë për shkak të strukturës së prodhimit që mbështetet kryesisht nga djegia e qymyrit, që në minierat tona tani për tani ka me bollëk. Por, duhet pasur parasysh, sidoqoftë, ndonjë havari e papritur dhe ndonjë ndërprerje e pa panifikuar në termocentralet tona. Dhe pastaj si të sigurohet energjia elektrike nga importi, që qysh tash po dihet që do të jetë dukshëm mbi 120-130 euro megavati.

Sidoqoftë, zyrtarët e KEDS-it, distributorit të vetëm të energjisë elektrike në Kosovë, theksojnë se kanë bërë të gjitha përgatitjet që të kalojmë stinën e dimrit me sa më pak probleme. Sigurisht, janë ndërmarrë masat preventive dhe janë bërë investime të fuqishme anënkend vendit, në mënyrë që të krijohen parakushtet për ofrimin e shërbimeve sa më kualitiative, thotë Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS. Natyrisht, në vazhdën e tyre, janë faktorë tjerë që nuk janë në dorën tone, ka thënë ai. Aty hyjnë edhe prodhimi vendor i energjisë elektrike dhe importi, si faktorë që e mbulojnë kërkesën në rritje, sidmos pas ftohjes së kohës.

Çmimet aktuale në berza janë në stratosferë, pra shumë të larta. Natyrisht, ato cmime kanë ndikim direkt edhe në Kosovë, pasi edhe ne jemi pjesë e këtij tregu. Por, çka të ndodhë gjatë dimrit, ne nuk mund të spekulojmë, ka thënë ai në vazhdim. Kjo, pasi konsumi varet shumë edhe nga moti, pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve po ngrohen me energji elektrike. Të njëjtën kohë, në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektroenergjetrike dhe secila hallkë ka një funsion të caktuar dhe jetik për funskionimin e të gjithë këtij zinxhiri. Pra ne nuk e dimë cili do të jetë prodhimi vendor, pasi për këtë janë përgjegjëse kompanitë prodhuese, respektivisht pjesën më të madhe e prodhon KEK-u si pjesë e këtij zinxhiri. Pas saj është KOSTT-i që merret me menaxhimin e linjave transmetuese dhe tregut energjetik, që paraqet rëndësi të madhe sa i përket importit. Pastaj vijnë KEDS që menaxhon rrjetin e shpërndarjes dhe KESCO si furnizues. Mosfunksionimi i duhur i vetëm ndonjëres nga këto hallka e afekton komplet sistemin, pra ka efekt zinxhiror, ka thënë Buzhala për Buletinin Ekonomik.

Rritja e çmimit të derivatëve në nivel global, pritet t’i prekë edhe vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën. Në nivel global, çmimi i gazit është rritur me rreth 250%, ndërsa i naftës me 80%.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për Buletinin Ekonomik se edhe Kosova mund të preket nga kjo krizë, pasi çmimet i përcaktojnë berzat ndërkombëtare. Aktualisht, në treg një litër naftë shkon deri 1.10 euro, ndërsa benzina – 1.20 euro.

“Nuk ka levizë ende çmimi i derivatëve. Në të ardhmen mundet, sepse kemi furnizime edhe nga Shqipëria”, ka thënë Berjani.

Nga zyrtarët e KOSTT-it nuk morëm përgjigje as ndonjë sqarim rreth pikëpamjeve të këtij institucioni për krizën energjetike, përkundër interesimit për ta konsultuar atë dhe dërgimit me shkrim të pyetjeve rreth temës së trajtuar.

Droja më e madhe e shfaqur e kosovarëve tash për tash është te paralajmërimet për ngritjen e mundshme të çmimeve të energjisë elektrike. Ndonjë çmim eventual i ngritur përtej çdo kriteri do të rëndonte shumë gjendjen sociale të shumicës absolute të kosovarëve dhe do të ç’ekulibronte ndieshëm skemat sociale. Prandaj ZRRE- duhet të ketë parasysh këtë fakt. Fundja, për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Prandaj vendimarrësit për tejkalimin, ose më mirë thënë zbutjen sadopak të sajë duhet ndërmarrë masa ndryshe nga herat e tjera. Por më e rëndësishmja është frenimi me çdo kusht i ngitjes enorme të çmimeve të rrymës. Këtë e kemi në dorë dhe këtë frenim Kosova mund ta bëjë. /Buletini Ekonomik/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit